SKEDA/ Nga dorëheqja, heshtja 1 vjeçare te rikthimi i (pa) pritur i Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike

Lulzim Basha dha dorëheqjen nga kryetar i Partisë Demokratike pas 9 viteve në krye të saj më 21 mars të 2022. PD po përjetonte krizën më të madhe mes vetes, atë të përçarjes në dy grupime, në demokratë që mbështesnin Berishën dhe në demokratë që mbështesnin Bashën, ndërsa sapo kishte kaluar një tjetër humbje, atë të 6 marsit në zgjedhjet e pjesshme, ku për herë të parë në histori logoja e demokratëve u rendit e treta.

Me një rekord humbje pas vetes, Basha, dorëheqjen, e quajti një hap pas në shërbim të demokratëve, duke u distancuar edhe nga daljet publike përgjatë më shumë se një vit. Vendin e tij, si i komanduar, e zuri Enkelejd Alibeaj, ndërsa ekipi drejtues vendosi që zgjedhjet për kryetarin e ri të mbahen pas zgjedhjeve vendore të 2023.

Kur u rishfaq Basha në jetën politike?
Edhe pa Lulzim Bashën, PD vijoi rrugën e humbjes. Ajo e 14 majit, me Enkelejd Alibeajn kryetar të komanduar, ishte edhe më e thellë për PD. Në këto kushte, Alibeaj u tërhoq nga kreu i komanduar, ndërsa në PD nisi të diskutohet nevoja e zgjedhjes së kryetarit. Emri i Lulzim Bashës nisi të artikulohej gjithnjë e më shumë, nga ata që kishte lënë pas, mbështetësit e tij në kryesi e në drejtimin e strukturave lokale (krerët e degëve).

Kur ishte dalja e parë publike e Lulzim Bashës pas dorëheqjes?
Vetëm 10 ditë pas zgjedhjeve vendore, Lulzim Basha u rikthye në skenën politike. Përmes atyre që la pas, e që njihen si mbështetësit e ngushtë në PD, në media u përhap me shpejtësi lajmi se ish kryedemokrati do të niste turin e takimeve me të rinjtë, ku tashmë ka kthyer sytë për mbështetje. Më 24 maj, ai zhvilloi një takim me të rinjtë, duke e shitur si ftesë të tyre për bashkëbisedim.

Si ishte ky rikthim?
Lulzim Basha nuk e pranoi se rikthimi i tij në arenën politike ishte tentativë për t’u rikthyer në drejtimin e Partinë Demokratike. Në një bashkëbisedim të shkurtër me gazetarët, jashtë kamerave, Basha u shpreh se do të flasë me akte nëse do të rikthehet apo jo në krye të PD. Por, mesazhet gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë ishte i qartë. Basha foli për një program të qartë për politik-bërje të re, ndërsa shpalosi 3 teza të vjetra të kohës kur ishte kryetar i PD: Listat e hapura, Vetting të politikanëve dhe kufizimin në 2 të mandateve të kryeministrit. Turin e takimeve, nga Tirana e zhvendosi në rrethe, ku për gati një muaj preku qytetet kryesore në vend.

Çfarë ndodhi pas dorëheqjes së Alibeajt?
Paralel me rishfaqjen e Lulzim Bashës në takime, në PD zyrtare nisën lëvizjet. Gazment Bardhi i propozoi nënkryetares Jorida Tabakut marrjen e përkohshëm të PD, propozim që e refuzoi në heshtje. (vendim që mund të shtynte për pak kohë lëvizjet për rikthimin e Lulzim Bashës.)

Si shkuan demokratët drejt procesit të zgjedhjeve?
Menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve, në PD nisi debati për riformatimin e partisë. Lëvizjen e parë e bëri grupi parlamentar i PD, të cilët në 1 vit e gjysmë ishin të qartë në qëndrimet e tyre se Basha e Berisha nuk mund të drejtojnë partinë. Me nuhatjen politike, se gara për kryetar me të njëjtat struktura që ishin vendosur nga Basha, e që kishin mbetur pasardhësit e tij në parti, do të çonin automatikisht në ri-zgjedhjen e këtij të fundit, grupi parlamentar propozoi që fillimisht  risktrukturimin e drejtuesve lokalë, e më pas zgjedhje për kryetar. Por, ky propozim hasi kundërshtimin e fortë të mbështetësve të Lulzim Bashës në kryesi dhe në grupin e krerëve të degëve.

Por, si lindi përplasja e grupit parlamentar me kryesinë?
Duke shpërfillur këtë shqetësim të grupit parlamentar të kryesuar nga Gazment Bardhi, kryesia e PD (ku pjesa më e madhe e anëtaëve njihen si mbështetës të Lulzim Bashës) vendosi me nxitim dhe pa marrë parasysh debatet gati 10 orëshe në mbledhjen e 6 qershorit, hapjen e garës për kryetar në PD.

Në shenjë revolte, Gazment Bardhi braktisi mbledhjen, ndërsa ish i komanduari i Bashës, Enkelejd Alibeaj dha votën pro duke u bërë figura e vetme qendrore në parti që u rreshtua krah procesit që do të rikthente ish kryedemokratin në krye të Partisë Demokratike.

Hapat që ndoqi Gazment Bardhi për të kundërshtuar zgjedhjet?
Vendimi i orëve të para në të gdhirë të 7 Qershorit u pasua nga një sërë deklaratash të Gazment Bardhit që ngrinte alarmin e kuq për zgjedhje në kundërshtim me ligjin demokrat, statutin e PD. Bardhi kërkoi mbledhjen e Këshillit Kombëtar, që në periudhën mes 2 Kuvendeve është organi më i rëndësishëm vendimmarrës në parti. Pas insistimit se mbledhja e Këshillit nuk është domosdoshmëri, Kryesia e bind dhe kërkesës së Bardhit ju përgjigj me një vendim për ta mbledhur më në fund Këshillin.

Por, ky vendim, i marrë në një mbledhje ku Bardhi nuk mori pjesë, ishte njëkohësisht një “kurth” për Sekretarin e Përgjithshëm, pasi vendimi I hoqi kompetencat e tij në raport më Këshillin Kombëtar dhe iu dhanë 3 anëtarëve të kryesisë, që gjithashtu njihen si kampi “Basha” në PD. Kjo do ta bënte më të thjeshtë kontrollin e Këshillit dhe marrjen e vendimeve që do të favorizonin garën për kryetar. 20 qershori tregoi pikërisht këtë: Këshilli vendosi të mbështeste zgjedhjet për kryetar, pas shkurtimit të listave dhe plotësimit me vështirësi që iu bë kuorumit. Edhe listës së anëtarësisë, kryesia i parapriu. Ndryshe nga sa kërkonte Gazment Bardhi, kryesia vendosi (po ndryshe nga sa thotë statuti) që listat e anëtarëve të përpiloheshin nga krerët e degëve (gjithashtu mbështetës të Lulzim Bashës)

Qëndrimi i Lulzim Bashës gjatë kësaj periudhe?
Teksa të besuarit e tij po i shtronin rrugën ligjore për zgjedhjet, Lulzim Basha vijoi turin e takimeve. Pas atij me të rinjtë në të thuajse gjithë vendin, ish kryedemokrati nisi turin ‘ndërkombëtar’ me takime jashtë vendit siç disa foto në disa ditë tregojnë. Ironikisht, teksa Basha zhvillonte këto takime, në media u publikuan edhe kriteret që duhet të kishte kreu i ri i PD, mes të cilave marrëdhëniet e mira me aleatët ndërkombëtarë. Përgjatë gjithë kësaj kohë, Lulzim Basha nuk e pohoi kurrë me zë të lartë ambicien për ta rimarrë partinë!

Kur e shpalli Basha zyrtarisht kandidaturën?
Për rikthimin në krye të PD, Lulzim Basha ‘foli’ qartë mbrëmjen e së martës, 20 Qershor, kur dorëzoi pranë Komisionit Zgjedhor në PD formularin e kandidimit për kryetar në zgjedhjet që do të mbahen më 29 korrik, duke shuar kështu çdo dilemë se nuk u tërhoq asnjëherë nga ideja e rikthimit në krye të Partisë.

A ka rival Lulzim Basha në garën e 29 korrikut?
Si për të legjitimuar fjalën garë në zgjedhjet e 29 korrikut, i vetmi që nxitoi për të kandiduar ishte Gjergji Hani, një figurë që vjen nga shpresa e ish të përndjekurve politikë. Rastësisht ose jo, mik i Enkelejd Alibeajt.

Me një kryesi shumica e të cilëve njihen mbështetës të tij, me anëtarësinë, listat e së cilës po përpilohen nga krerët e degëve po ashtu mbështetës të tij, e përballë një rivali që nuk njihet për mbështetje elektorale, rikthimi i Lulzim Bashës duket një fakt i pashmangshëm. E vetmja që na ndan nga ky fakt është data 29 korrik, kur PD do të zhvillojë një tjetër proces zgjedhor të shoqëruar me kundërshtime të forta.

SI.E./M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • edi: 22/06/2023 08:07

    Me vjen keq o Boli por mendimi yt eshte i gabuar. Kjo qe Basha do e marre prap PD-en eshte merite e Rames dhe jo e Berishes, eshte ai (bashke me Juri Kim) qe kerkojne me ç'do kusht qe ne krye te PD-es te jete Basha!

    Përgjigju
  • Mergimtari: 22/06/2023 06:31

    Kethimi i Bashes ne krye te PD-s thjesht nxit vazhdimin e ndarjes dhe "perjeteson" Ramen ne krye te pushtetit.

    Përgjigju
  • jugori: 22/06/2023 04:35

    rama i beri keta maloket kashte e koqe...ashtu si i kane dhe trute...

    Përgjigju
  • Boli: 21/06/2023 23:48

    Basha ik ! Kjo duhet te jete parulla.Ne parQitje je alamet burri,por e provave vehten 8 vjet dhe vetem humbje pate. Megjithese kush me shume e kush me pak te gjthe jeni te infektuar nga Berisha.

    Përgjigju
  • Vasili: 21/06/2023 23:16

    PD do te humbas edhe kete rradhe.Mire eshte qe drejtimin e Partise te marri Bashe,se ai ja ka marr doren humbjeve.Ai nuk fiton kurre.Burre i mire eshte por i akuzuar per per korruosio,vjedhje ne rrugen e kombit,nuk ka dhene llogari per parat ruse,per rolin e tij ne ngjarjet e 21 janarit ,etj.Mos u merrni me te.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Të shtëna me armë zjarri në lagjen ’24 Maji’, 1 i plagosur (EMRI)

Vlorë/ Të shtëna me armë zjarri në lagjen ’24 Maji’, 1 i plagosur (EMRI)