Në ditën kur në Tiranë u mbajt samiti për Planin e Rritjes dhe kur Shqipëria ishte sërish një pikë reference për vlerat europiane, në krahun tjetër, atë të partisë demokratike u demonstrua një antivlerë, sa joshqiptare aq edhe jo europiane: përçmimi i mikut dhe kafshimi politik i një zyrtareje të lartë të Bashkimit Europian.

Në ditën kur Europa vjen në Tiranë, dhe na rikujton se ne i përkasim thelbësisht asaj, partia demokratike kryqëzoi me një retorikë banale, Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos.

Fillimisht Gazment Bardhi e etiketonte si “zëdhënëse të qeverisë”, duke komentuar deklaratat e saj për raportin e zgjedhjeve të OSBE-ODHIR. Më harbutçe vijonte deklarata e Flamur Nokës që e akuzonte Kos se “ka dalë nga binarët e BE-së”. Nuk mungoi në sinkron me kolegët e tij as Belind Këlliçi, që e fuste Komisioneren në thesin e euroburokratëve që bëjnë qoka politike.

Që partia demokratike nuk e konsideron etikën e komunikimit pjesë të vetën, kjo është zgjedhje e saj. Por kur kjo formë e dhunshme ushtrohet në emër të shqiptarëve që PD përfaqëson dhe kur ajo i drejtohet një zyrtareje të BE-së, e cila rezulton të jetë edhe mbështetësja më e madhe dhe më e drejtë ndaj progresit të Shqipërisë, ky nuk është më problem i vetëm PD-së. Ky kthehet në një turp kombëtar, në një shenjë fatkeqe të faktit se në këtë Shqipërinë Europiane që do dhe vlerëson aq shumë Marta Kos e të tjerë brenda BE, ka ende elementë primitivë në jetën publike dhe atë politike.

Primitivë për nga mungesa e arsyes, në mënyrën se si PD komunikon mospajtimet e veta me qëndrimet e Marta Kos për procesin zgjedhor në Shqipëri. Nëse deputetët e PD besojnë se deklarata e Komisioneres për “zgjedhje të lira” ishte skandaloze dhe jashtë realitetit shqiptar, do duhej të merreshin seriozisht me të gjithë elementet dhe argumentet e bindjes së tyre, dhe jo me mbiemrin e Martës. “Kosi” me të cilin zyrtarët e PD përgojojnë një nga profilet më të respektuara të Komisionit Europian, nuk mund të jetë ushqim për jetën publike shqiptare.

Nëse Marta Kos është e saktë ose e gabuar, e mirë informuar ose e nxituar në deklaratat e saj, kjo mbetet për t’u analizuar, por asgjë nuk justifikon kurrsesi agresivitetin me të cilin burrat e PD-së i turren një mikeje të popullit të tyre. Nuk është dinjitoze as që kjo skenë turpi del nga Shqipëria dhe as që e njëjta grua e cila kërkon t’i japë Shqipërisë hakun dhe meritën në rrugën e integrimit europian, linçohet e kryqëzohet në këtë mënyrë.

Aq më tepër prej atyre që do të duhet të ishin gardianët e një politike të mbarë, që duhet të ndërtojnë argument dhe qëndrim, përpara se të ndjekin instiktin shtazor të gjuajtjes me gurë ndaj kujtdo që del para.