1770133538_vendikumbahenkorumportoromano.jpg

Vendi ku mbahen mbetjet e Korum në 'Porto Romano'

102 kontejnerët me 2800 tonë mbetje që kishin destinacion Tajlandën, u kthyen në nëntor 2024 në vendin tonë pasi organizata mjedisore “Basel Action Netëork” ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme.

Ngarkesa u nis në muajin korrik 2024 nga porti shqiptar, si pjesë e një marrëveshjeje eksporti të kompanisë shqiptare “Sokolaj”, e cila i kishte blerë mbetjet nga kompania Kurum, prodhuese e çelikut dhe hekurit, në mjediset e ish kombinatit metalurgjik në Elbasan. Destinacioni i saj ishte Tajlanda, e cila i refuzoi kontenierët pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ (BAN) me seli në Seattle të Shteteve të Bashkuara, pas një sinjalizimi që ajo kishte marrë nga Shqipëria.

Sipas kësaj organizate, dyshohej se bëhej fjalë për pluhur helmues, që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike, më përmbajtje të lartë metalesh si plumbi dhe kromi dhe mbetje të tjera kimike që shkaktojnë kancer.

Kontejnerët u ngarkuan në portin e Durrësit, pasi mbetjet kishin qëndruar më parë në një mjedis të hapur. Eksporti i tyre u krye nga kompania shqiptare Sokolaj, e cila në deklaratat doganore dhe dokumentacionin shoqërues dorëzuar autoriteteve nuk ka njoftuar se bëhet fjalë për mbetje, aq më tepër të rrezikshme, siç dhe janë ngritur dyshimet.

Në muajin gusht, pas alarmit të dhënë nga BAN, ngarkesa mori rrugën e kthimit për në Shqipëri. Në atë kohë ministria shqiptare e Infrastrukturës dhe ajo e Mjedisit, dolën me një qëndrim të përbashkët ku theksonin se “Shqipëria nuk mund të pranojë a priori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekullimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”.

Por në të kundërt, Prokuroria e Durrësit, më 27 tetor 2024, një ditë përpara se anija të shfaqej pranë portit të Durrësit, urdhëroi sekuestrimin. Për këtë rast, në hetime u përfshi dhe zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, në Bruksel. Që prej kthimit, mbetjet mbahen ende në Porto Romano. 


Lajmi kryesor:

2800 tonë mbetjet e rrezikshme të ‘Kurum’, Prokuroria e Durrësit lëshon 33 urdhërarreste, mes tyre 2 administratorët, zyrtarë të Doganës dhe Agjencisë së Mjedisit (EMRAT)