Report Tv zbardh ekskluzivisht skemën e fshehjes së kokainës në kontenierin e bananeve të kompanisë “Arbri Garden” dhe mënyrën se si 613 kg kokainë ishin ndarë në 7 sasi të ndryshme. Sipas dosjes së siguruar nga Report Tv rezulton se dyshemeja e kontenierit ishte me 7 ndarje me sasi të ndryshme kokainë çka konfirmon dyshimet e hetuesve se porositësit e drogës janë disa grupe kriminale.
Shpimi i dyshemesë së kontenierit me një trapan pas zbarkimit të arkave me banane zbuloi se nën dyshemenë e kontenierit kishte pluhur të bardhë të ngjashëm në aromë karakteristike me kokainën. Pa ditur sasinë dhe paketimin, hetuesit vendosën ta hapin të gjithë dyshemenë e modifikuar dhe salduar në Kolumbi, duke zbuluar aty vendet se si ishin fshehur pakot me kokainë.
Në ndarjen e parë të dyshemesë së kontenierit ishin të vendosura 67 pako me kodet KE dhe 020. Në ndarjen e dytë sasia ka qenë më e vogël e koduar me kodet KE, 020 dhe CR 77 me 46 pako në total. 81 pako me kokainë sipas procesverbalit të sekuestrimit ishin të vendosura në ndarjen e tretë nda dera hapëse e kontenierit dhe ato me kodet KE, CR77 dhe 020.
Ndarja e katër ka pasur të njëjtat kode KE, 020, CR77, 63 pako në formë drejtkëndore të mbushura me lëndën narkotike kokainë. Në ndarjen e pestë të modifikuar në kontenierin e nisur nga qyteti i Turbos në Kolumbi drejt Durrësit ishin të vendosura 77 pako me kokainë.
Ndarja e 6-të e fshehur nën dyshemenë e kontenierit ka pasur dhe sasinë më të madhe të lëndës narkotike me plot 107 pako me kodet Ke, CR77, 020. 87 pakot e fundit ishin të vendosura në ndarjen e shtatë dhe paketimi i tyre ishte me kodet CR77, KE, 020 dhe disa pako me ngjyrë të jeshile pa mbishkrim.
Në total 613 kg e 350 gram kokainë ishin të ndara në 528 pako ndërsa për ekzaminime laboratorike të kokainës dhe cilësisë së saj dy nga pakot e sekuestruara janë hapur rreth orës 05:30 minuta të mëngjesit të 28 shkurt 2018.
d.c./shqiptarja.com