TIRANE - Gazetari Çim Peka, nuk është përgjegjës për aksidentin e ndodhur në fshatin Mullet të Tiranës, ngjarje e ndodhur të shtunën e javës së kaluar. Peka udhëtonte me një veturë "Mercedez- Benz" klasi S, ndërsa bashkë me të ishte edhe Fleura Kola, vajza e ish- ambasadorit shqiptar në Itali, Llesh Kola. Mjeti me të cilin ata udhëtonin u përfshi në një aksident me një mjet tjetër, nga i cili mbeti e vdekur 29 vjeçarja Kola, si dhe u plagosën rëndë dy dretuesit e mjeteve, Emiljano Pelushi, si dhe gazetari i njohur Çim Peka.

Akti i ekspertimit autoteknik, ka mbërritur tashmë në duart e organit të akuzës që pritet të vlerësojë më tej situatën dhe vijimin e hetimeve. Mbërritja e aktit të ekspertimit, konfirmohet për “Shqiptarja.com”, nga burime të Prokurorisë së Tiranës që thanë dje se akti i ekspertimit ka nxjerrë përgjegjës drejtuesin e mjetit, Audi A8 me targa AA 556 HT që drejtohej nga Emiljano Pelushi. “Shqiptarja.com”, mundi të siguronte skicën e realizuar nga ekspertët në të cilën përshkruhet nëpërmjet disa skemave dinamika dhe rrethanat e aksidentit.