Për shkak të prurjeve të shumta si rezultat i reshjeve të shiut të ditëve të fundit Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka shitur këtë të martë 10.800 megavat energji me çmim mesatar 15.55 euro megavati, ndërkohë që çmimi mesatar në bursë është 128 euro për megavat. Në total KESH nxori në shitje 56.500 megavat por arriti të shiste vetëm 10.800 megavat. 161978

Nga kjo shitje KESH ka fituar 167,940 euro në total ose rreth 16.2 milionë lekë. Nga një përllogaritje rezulton se shitja e energjisë në bursë është bërë me çmim shumë më të ulët sesa çmimi që paguajnë qytetarët në vend për konsumin e energjisë.

Konkretisht 10.800 megavat që kanë në total 10.800.000 kilovat, e cila është shitur për vetëm 16 milionë e 200 mijë lekë, ose 1.5 lekë për kilovat. Ndërkohë që qytetarët shqiptar që konsumojnë deri në 700 kilovat në muaj energji paguajnë atë 8.5 lekë kilovatin, kurse kur kalohet ky nivel paguhet 9.5 lekë kilovati.

Për shkak se vendi ka mbiprodhim të energjisë gjatë stinës së dimrit, energjinë e eksporton me çmim të ulët, pasi nuk ka kapacitete ruajtëse, ose në rastin më të keq hapen portat e hidrocentraleve që tej mbushen me ujë. Siç ka ndodhur që në ditët e para të këtij viti. Ndërsa sot KESH njoftoi se sot është shkarkuar 70 - 90 përqind % e prurjeve ujore në kaskadën e Drinit.

Qeveria ka planifikuar në programin e projekteve prioritare që do të investojë 120 milionë euro për të ndërtuar një central për ruajtje të energjisë elektrike.