Kaosi dhe përplasjet mes deputetëve në seancën e sotme parlamentare, ku opozita bllokoi foltoren dhe përmbysi karriget nën dirigjimin e Sali Berishës janë cilësuar si skena të turpshme nga deputeti socialist Erion Malaj.

Gjatë një interviste në emisionin “Studio Live” në Report TV, Malaj tha se dhuna e shfaqur në Kuvend është pasqyrë e asaj që po ndodh në rrugë, ndërsa akuzoi opozitën për mungesë argumentesh. Sipas tij, në një situatë që kërkon qetësi, PD zgjodhi të bëjë të kundërtën.

“Ajo që pamë sot është pasqyrë e asaj dhune që është edhe në rrugë që nuk u përket njerëzve të përgjegjshëm. Nuk i bën fare nder opozitës, përkundrazi tregon mungesë argumenti, bazë për të dhënë mendim të shëndoshë për të qetësuar situatën. Jemi në një situatë që vendi do qetësi ndërsa opozita bëri të kundërtën. Atë ka bërë gjithmonë prandaj ka ardhur duke u rralluar. Skena është e turpshme” tha deputeti në Report TV

Sa i përket protestave, Malaj u bëri thirrje studentëve që të zgjedhin dialogun dhe të shmangin dhunën sepse sipas tij,  forca e protestës qëndron te numri i pjesëmarrësve dhe argumentet, jo te dhuna apo shkatërrimi i qytetit. M

Malaj theksoi se dera për dialog mbetet e hapur, ndërsa pranoi se edhe qeveria duhet të bëjë më shumë për studentët.

"Jam i pari që e dua dialogun për një qëllim njerëzor dhe më pas politik. Unë kam punuar me studentët, e di që kanë pakënaqësinë e tyre, janë në të drejtën e tyre për të kërkuar më shumë. Edhe ne duhet të bëjmë më shumë. Nuk i jep peshë kauzës së tyre dhuna në protestë, por numri dhe forca e argumentit. Pastaj nëse aty bëhet turli dhe merret protesta duke shkatërruar qytetin, pastaj humbet kauza. Studentët janë e ardhmja e vendit. Të gjitha format e dialogut janë të hapura. Ne e kemi lënë derën hapur. Kryeministri ka bërë thirrje çdo ditë për dialog. Edhe unë bëj thirrje për dialog sepse është e vetmja formë demokratike” tha ai