Opozita rikthehet për ndarjen e mandateve në skemën e parë të cilën përmes përfaqësuesve të saj në KQZ e kishte rrëzuar. Cila është skema e opozitës për të evituar...?
Ne denoncojmë me forcë atë çka tenton të bëjë Kuvendi. Këto janë veprime antikushtetuese dhe antiligjore, sepse Kuvendi nuk vihet në lëvizje me letra. Eshtë e njejta skemë si vjedhja e Tiranës në zgjedhjet e 8 majit. Ku KQZ me një letër nga PD vendosi të kryejë veprime në kundërshtim të hapur me Kodin. Dhe tani Kuvendi me një letër nga "Jozefina3", vartësja e vartëses së Jozefinës në KQZ kërkon të marrë një vendim për diçka që s'ka asnjë tagër ligjor. Ligji është shumë i qartë: Kuvendi miraton propozimet e KQZ. Kur s'ka propozim s'ka miratim. Do të ishte njëlloj sikur të zgjidhje anëtar të Gjykatës së Lartë apo Kushtetueses pa propozimin e Presidentit, meqënëse Presidenti s'do që të propozojë atë që do ti. Pastaj personi i drejton një letër kuvendit, e ai për të mbajtur një qëndrim konstruktiv siç shprehet Uollfarth, i thotë Kushtetutës e ligjit që ju jeni destruktivë dhe në Evropë shkohet sipas vullnetit arrogant të shumicës.
Si zgjidhet...?
Nëse mandatet caktohen në rrugë të paligjshme, do thotë që vetë zgjedhjet janë të paligjshme. S'është si manipumimi me votë, loja me karta identiteti, që shkalla e shkeljes varet se sa është, e në bazë të tyre raportet cilësojnë nëse në tërësi zgjedhjet janë legjitime ose jo. Ndërsa këtu bie legjitimiteti i zgjedhjeve. Ligji ka dy detyrime themelore, rishikimin e shpërndarjes së mandateve para çdo fushate zgjedhore, sepse kanë kaluar 4 vjet dhe ka lëvizje demokrafike. Çka do thotë që vetë ligji ndarjen e mëparshme e quan nul pasi ishte bërë për atëherë. Dhe e dyta, që këtë rishikim e bën KQZ dhe ajo e ka të drejtën e propozimit në Kuvend. Kuvendi pastaj vetëm ratifikon propozimet e KQZ. Ndërsa mosrishikimi i shpërndarjes do thotë të shkelësh hapur barazinë e votës, të drejtën e përfaqësimit në mënyrë të barabartë, sepse si kuksianët, si beratasit, si tiransit dhe të gjithë qytetarët kudo duhet të përfaqësohen në mënyrë sa më të barabartë në Kuvend.
Mendoni se është një skemë manipulimi kjo...?
Është fiks skema e manipulimit në Tiranë ku përdhunisht nuk respektohet marrja e vendimit me 5 vota dhe çuditërisht i pari që rend për të justifikuar këto shkelje është ambasadori i OSBE. Shqiptarët këto ditë po shohin të njejtët skenarë, të njejtët protagonistë, të njejtat lojëra politike dhe të tëra këto kërkohet të kalohen me ca fraza të çuditshme që siç ishte për Tiranën që çdo votë duhet numëruar, por mënyrën se si numërohet e përcakton shumica dhe jo Kodi. Dhe tani thuhet që nuk mund të ketë bllokim dhe zhbllokimi gjendet te arbitrarizmi i shumicës në kundërshtim me ligjin. Po pse fakti që nuk arrihet votimi me pesë vota pse quhet bllokim i pakicës dhe jo bllokim i shumicës? Po të ndiqej kjo rrugë atëherë i bie që sa herë s'miraton dot një ligj në Kuvend ta çoje në gjykatë e ta bën gjykata ligjin siç bëri me ZAZ. KQZ ka kompetencat e saj dhe askush nuk e zëvendëson atë dhe aq më shumë s'mund ti bëjë këto as në emër të kontruktivitetit e as në emër të zhbllokimit. KQZ duhet të përcaktojë shpërndarjen e mandateve, që s'ekziston. I vjetri ka mërdhirë, ka përfunduar me zgjedhjet e 2009 e s'ka vlerë për zgjedhjet e tanishme. Duhet të bëhet në rrugë legjitime.
Përfaqësuesit e PS në KQZ i janë rikthyer variantit të parë...?
Unë di që me të drejtë ka pasur debate në KQZ, që janë manipuluar banorët e Kukësit hapur. Pavarësisht nga shkalla e pjellshmërisë, ajo nuk ndodh në tre muaj. Dhe sepse pjellshmëria e jep efektin elektoral pas 18 vjetësh, nuk e jep menjëherë. Pra nëse ka pasur ndonjë lulëzim nga Rruga e Kombit, pra janë shtuar lindjet nga qejfi i rrugës ato e japin efektin pas 18 vjetësh. Lindshmëritë në Shqipëri kanë rënë në mënyrë drastike dhe në mënyrë uniforme në të gjitha zonat në tërësi. Për hir të vërtetës në zgjedhjet e vitit 2009 kur PD shtoi votues kudo, vetëm në Dibër, Kukës dhe Gjirokastër nuk kishte asnjë shtesë. Tani çuditërisht papritmas dhe kjo shtesë nuk mund të shpjegohet. Pra manipulimi ishte i qartë sepse ka ndodhur vetëm në një periudhë disamujore, është shumë e lokalizuar vetëm në disa komuna dhe nuk ka nevojë për investigim për të kuptuar lojën. Por dhe që në Shqipëri dihen gjërat, janë rikthyer formalisht shumë persona dhe për pasojë KQZ kishte të drejtën absolute që të kërkojë shpjegime sepse ajo ka të drejtën të zbatojë ligjin për shpërndarjen e mandateve sipas numrit të popullsisë. Këta në vend që të bëjnë transparencën për këtë çështje, tentojnë ta bëjnë përmes Kuvendit. Kur Kuvendi absolutisht i ka duart e lidhura. S'ka asnjë nen, asnjë paragraf që i jep të drejtë Kuvendit të bëjë shpërndarjen e mandateve.
Cila është skema e opozitës që do të maksimalizonte votën që të garantohej fitorja pa një aleancë me LSI apo partitë e reja...?
Nuk ka parullë më bajate, më pa sens, më pa moral dhe më absurde se sa ajo që thotë se "a do të fitojë opozita pa LSI". Opozita ka 8 vjet që kërkon të ndryshojë këtë realitet të hidhur shqiptar, mbështetur nga shumica dërmuese e popullit shqiptar. Me shpirt nëpër dhëmbë, me gjithë deformimet e sistemit opozita me 2009 arriti që me votë popullore ta mundë këtë qeveri. Por ishte pikërisht LSI që për herë të dytë, tashmë del hapur, dhe i jep mandatet për të qeverisur dhe 4 vjet të tjera, mandate që ishin marrë për të shkulur këtë qeveri. Pas kësaj PD-LSI del qartazi se i ka bashkuar korrupsioni, që është shumëfishuar dhe ka thyer çdo lloj rekordi, të çdo lloj qeverie të mëparshme, dhe të Berishës së '96-'97 me Piramidat, edhe ato që Berisha thoshte për Nanon apo dhe vetë Metën para se të bëhej pjesë e kësaj qeverie. Kjo qeveri ka dështuar tre herë radhazi për integrimin. Dhe është qeveria më e çuditshme në botë, fajin ia ka opozita që "dështon". Por dështimi e ka emrin korrupsion, zgjedhje jashtë standardeve, antikushtetutshmëri dhe drejtim Kuvendi alla-Jozefinë.
Fitoni si bllok i majtë...?
Absolutisht gjithë populli opozitar kërkon largimin sa më parë të kësaj qeverie, të këtij çifti Berisha-Meta, PD-LSI apo siç e kanë quajtur njëri tjetrin Sali 'Gërdeci' me Ilir 'Floririn'. Kanë gjetur mënyrën më të mirë për të personifikuar njëri tjetrin. Dhe në këto 4 vite që të dy e kanë pasuruar këtë tipar të tyre. Pas Gërdecit bëri 21 janarin, pas 21 janarit deklaron se jam gati të vras dhe kryetarin e opozitës e gjithkënd që kërkon dorëheqjen e qeverisë sime. Opozita sot ka këtë detyrë, të çmontojë këtë qeverisje, që ka emra, qeverisja nuk është fenomen natyror, ka përgjegjës, ka protogonistë dhe të thuash se a e heqim këtë qeveri pa ndihmën e kësaj qeverie, këtë unë nuk e kuptoj dot. Dhe që nga ky moment roli ynë është që të mos mashtrohet kurkush që të votojë për LSI që ajo mund të jetë me të majtën. Ky është një mesazh krejtësisht i gabuar që s'duhet të ndodhë. Ky është dhe një nga defektet e pyetjeve nëse do vijë LSI majtas. Ku LSI është përgjegjësja numër një e keqqeverisjes së këtij vendi. Prandaj koalicioni i majtë absolutisht nuk e ka në llogari LSI-në. Ca më shumë dhe sikur të kishte ikur me të vërtetë nga qeveria më parë dhe për çështje në dukje parimore dhe jo për lojë, përsëri nuk i besohet që nesër nuk shkon në krahun tjetër. Këtë radhë i thonë ta kruash vetë.
Sepse ta punoi më 2005, më 2009, ta punoi me Presidentin dhe po e provove prap, ti qofsh. S'është faji i LSI, pasi ai e ka treguar se e ka këtë ves. Prandaj llogarija është që grupimi i majtë të fitojë votat e të gjithë atyre që duan këtë ndryshim, atyre që s'pajtohen me këtë realitet dhe të gjithë atyre që s'pranojnë më qeverisjen PD-LSI. Në Shqipëri ka 60% që votojnë kundër kësaj qeverie, nga të cilët mbi 50% janë me të majtën. Ndaj e majta është e vëtëmjaftueshmë për të fituar e ka fituar gjithmonë. Por të majtën e kanë shitur e shyqyr që u pastruam nga ata që shisnin të majtën. Prandaj PSD nuk është dakord që të eksperimentojmë përsëri me atë që na shet e roli ynë është që ti bëjmë të qartë gjithkujt që vota për PSD, për PS çon në fitore e ndryshim real, kurse çdo votë jashtë këtij grupimi s'është për të majtën. Aq më tepër që çdo votë për LSI s'është për të majtën por për Berishën.
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 25 janar 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)