Skënder Minxhozi: Çifti i çuditshëm shqiptaro-maqedonas! Na duan bashkë që të na lenë jashtë?!

Skënder Minxhozi: Çifti i çuditshëm shqiptaro-maqedonas! Na duan bashkë që të na lenë jashtë?!

Foto ilustruese

Edi Ramës nuk i doli inati me Brukselin as në ditën e ditëlindjes. Në 4 korrik, teksa merrte urimet në telefonin e tij, kryeministri shqiptar shkruante nga Holanda në lidhje me zhbllokimin e negociatave të integrimit me BE, se “ky është një turp, një turp që lidhet me frymën e devijuar të zgjerimit. Një vend që merr peng dy vende, për shkak të disa çështjeve që nuk i vë në diskutim, por në Ballkan nëse hyn aty është çmenduri”.

Si për çudi, Rama këtë radhë s’e kishte me të zotët e shtëpisë, Holandën, por me Bashkimin Evropian në tërësi dhe Bullgarinë në veçanti, të cilat po vonohen që të gjejnë pika takimi në propozimin francez për zgjidhjen e ngërçit të negociatave për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Valsi katërvjeçar që Tirana dhe Shkupi janë shtrënguar të kërcejnë, me urdhër të evropianëve, ka provokuar një situatë që tashmë i ka tejkaluar kufijtë e absurdit. Kjo gjendje pezullie ka provokuar rënien e një qeverie (kabinetit maqedon të Zoran Zaev), ka shkaktuar stuhi politike në dy vendet ballkanike, ndërkohë që vendet evropiane kanë vijuar në pavendosmërinë e tyre nëse dy shtetet fqinje të Ballkanit Perëndimor duhen trajtuar të ndara apo së bashku, sa i përket afrimit me BE.

Në vitin 2019 francezët dhe holandezët vunë veton për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe kjo rrethanë la jashtë derës edhe Shkupin. Ishte akti i parë i shkeljes së këmbëve mes dy fqinjëve ballkanikë.

Në tre vitet që pasuan, megjithëse bllokada ndaj Tiranës u hoq, në lojë hynë pandemia dhe kalendarët elektorale të vendeve kryesore evropiane, të cilat e mbajtën të mbyllur derën për çiftin e çuditshëm shqiptaro-maqedonas. Si të mos mjaftonin këto, sherri me Bullgarinë, bëri që kësaj radhe të ishte Shkupi ai që do të mbante peng Tiranën ndaj negociatave me Brukselin.

Amatorët e historisë mund të thonë sot, jo pa një dozë cinizmi, se panorama aktuale e krizës së zgjerimit në Ballkanin Perëndimor është pasqyrë e shprehjes së njohur të Çurçillit, se ky rajon prodhon më shumë histori sesa është në gjendje të konsumojë.

Lufta në Ukrainë është një element sfondi që në fakt ka ushqyer me pasiguri dhe surpriza klimën në rajonin e Ballkanit, një zonë e nxehtë gjeopolitike mes Lindjes dhe Perëndimit. Shqipëria vazhdon të përpiqet të çlirohet nga sherri bullgaro-maqedonas, një rrethanë e cila nuk ka të bëjë fare me rrugën e saj drejt BE, por e sheh veten të kyçur brenda “këmishës së hekurt” ku e kanë mbyllur bashkë me Maqedoninë e Veriut. Në anën tjetër ndodhet Serbia me njëqind fytyrat e politikës së saj të jashtme, apo edhe Bosnja etnikisht e ngrirë, që mund të shkrihet rrezikshëm në kuadër të simpative të hapura për “vëllezërit rusë” që po pësojnë agresionin e NATO-s!

Ballkani Perëndimor kërkon një perspektivë të qartë dhe urgjente afrimi me Bashkimin Evropian, por vetë Evropa duket e mëdyshur, pa vizion dhe plot hezitim ndaj angazhimit që dikur ajo vetë e kishte marrë solemnisht në Selanik në vitin 2003, kur deklaronte se “e ardhmja e Ballkanit është në Bashkimin Evropian”. Ashtu siç ishte parashikuar, presidenca franceze e BE janar-qershor 2022, rezultoi e pafat për dy vendet ballkanike, kryesisht për shkak të paqartësisë në të cilën noton sot lidershipi i Manuel Macron, i kërcënuar nga rritja e ekstremeve të djathta dhe të majta që e kanë lënë partinë e tij pa shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare. Franca është sot shteti klasik që mishëron dilemën e madhe evropiane ndaj procesit të hapjes për anëtarët e rinj. Aq më tepër kur tani klubit po përpiqen t’i shtohen Ukraina, Moldavia e të tjerë në të ardhmen.

Bllokimi bullgar i Maqedonisë së Veriut, i parë jashtë kësaj dileme ekzistenciale europiane, do të ishte lehtësisht i zgjidhshëm, madje brenda pak orësh. Do të mjaftonte të ndaheshin nga njëri-tjetri shtetet kandidate dhe gjithçka do të vijonte sipas njërit prej parimeve bazë të procesit të integrimit evropian – atij të meritokracisë individuale të vendeve aplikante.

Insistimi i qendrave kryesore politike të Evropës së Bashkuar, për të mbajtur në fuqi një proces zgjerimi plot kthesa, paparashikueshmëri dhe me standarde të dyfishta, krijon mosbesim dhe skepticizëm tek popujt e rajonit. I parë me syzet e mërzisë dhe dyshimit që kanë sot qytetarët e rajonit, edhe propozimi i Macron për Komunitetin Politik Evropian duket si një gjest që mund të fshehë një tjetër shtyrje të procesit të anëtarësimit për vendet kandidate. Edhe në këto orë kur po flitet për një kompromis mes Shkupit dhe Sofjes, që do të hapte rrugën e negociatave për shqiptarët e maqedonasit.

Për herë të parë në vitin 2020, dëshira e shqiptarëve për t’u integruar në Bashkimin Evropian ra poshtë shifrës 90%. Një kambanë e vogël alarmi për një proces që zgjat prej kohësh që tashmë nuk mbahen mend dhe që Brukseli prej kohësh e ka futur në logjikën e shtyrjeve pa afat. Mbajtja në fuqi e logjikës së “çifteve” bën që problemet e njërit prej vendeve të jenë njëkohësisht edhe problemet e shtetit tjetër, megjithëse ky i fundit mund të mos ketë asnjë lidhje me to. Siç është rasti aktual i krizës bullgaro-maqedonase të vjen të thuash se po na mbajnë bashkë, që të na lenë jashtë…

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arbërori: 06/07/2022 18:02

    Këtë e do më shumë se bukën Edvin shkjau shqipfolës!

    Përgjigju
  • Rina: 06/07/2022 18:02

    Shum e vertete

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Thirrjet për kursimin e energjisë elektrike, mendoni se zbusin pasojat e krizës energjetike?



×

Lajmi i fundit

Ja kush është autori 24-vjeçar i vrasjes në Sarandë (FOTO)

Ja kush është autori 24-vjeçar i vrasjes në Sarandë (FOTO)