Bashkimi Evropian rrezikon të humbasë besimin e Ballkanit Perëndimor nëse vazhdon t’i mbajë vendet e rajonit në pritje, ndërsa avancon me Ukrainën. Paralajmërimi vjen nga kryeministri i ri hungarez, Peter Magyar, i cili kërkoi që BE të mbajë fillimisht premtimet e vjetra ndaj Ballkanit.
Në një intervistë të dhënë për mediat në Vienë, Magyar tha se siguria e Ballkanit është në interes të vetë Europës.
“Sa i përket anëtarësimeve në BE në përgjithësi, dua t’i inkurajoj vendet evropiane që fillimisht të pranojnë ata kandidatë që prej shumë vitesh po përgatiten, që kanë bërë shumë sakrifica, kanë marrë shumë detyrime dhe kanë marrë shumë premtime, përpara se t’u premtojnë statuse vendeve të tjera. Kam frikë se, në të kundërt, do të humbasim besueshmërinë tonë, që Evropa do të humbasë besueshmërinë në vendet e Ballkanit Perëndimor. E dimë se stabiliteti dhe siguria e Ballkanit nuk janë vetëm në interes të vetë Ballkanit, por edhe të Evropës. Prandaj dua t’i nxis të gjithë që fillimisht të përmbushim së bashku detyrimet tona të mëparshme, përpara se të bëjmë premtime të ndryshme në emër të Bashkimit Evropian” tha ai në një intervistë për mediat vieneze.
Magyar u pyet edhe për mundësinë e një referendumi në Hungari për hyrjen e Ukrainës në BE dhe tha se një gjë e tillë ndo të ndodhë vetëm pasi të ketë mbaruar lufta me Rusinë dhe nëse Kievi ende e dëshiron atë anëtarësim në atë kohë.
“Jemi shumë larg kësaj, pasi Ukraina nuk do të jetë aq larg nga anëtarësimi në BE nesër ose pasnesër, por, nëse do të jetë fare, do të jetë aq larg pas dhjetë vjetësh. Por nuk është vetëm mendimi i Hungarisë, por i pothuajse të gjitha qeverive evropiane, se nuk ka dy mënyra për t’u anëtarësuar në BE”, tha hungarezët.
Ai theksoi se kushdo që dëshiron të anëtarësohet në BE “duhet të kalojë nëpër të njëjtat procedura, të përmbushë të njëjtat parakushte”. Sipas tij, është e drejtë e çdo vendi sovran të vendosë nëse qeveria e di më mirë, apo nëse, ashtu si qeveria hungareze, duhet t’ia lërë popullit të vendosë për pranimin e një vendi në BE në një moment të caktuar.
Komente







