Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka refuzuar propozimin e Gjermanisë për t’i dhënë Ukrainës statusin e “anëtarit të asociuar” në Bashkimin Europian, duke deklaruar se vendi i tij duhet të jetë pjesë e bllokut me të drejta të plota dhe të barabarta.
“Nuk mund të ketë një projekt europian të plotë pa Ukrainën dhe vendi i Ukrainës në Bashkimin Europian duhet të jetë gjithashtu i plotë — i barabartë dhe me të drejta të plota”, shkroi Zelensky në platformën X.
Ai theksoi se është e rëndësishme të hapen kapitujt e negociatave dhe të ketë progres real në procesin e anëtarësimit, ndërsa shtoi se Ukraina po punon “100% për sigurinë dhe popullin e saj”. Kancelari gjerman Friedrich Merz ka propozuar që Ukrainës t’i jepet statusi i “anëtarit të asociuar” në Bashkimin Europian, një formulë që do t’i sillte Kievit disa përfitime, si pjesëmarrja në mbledhjet e Komisionit Europian dhe Këshillit Europian.
Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, të enjten mbështeti këtë qasjeje graduale të propozuar nga Merz, duke deklaruar se vendeve kandidate mund t’u jepet akses në “tregun e përbashkët, unionin doganor, roaming, si edhe programet Erasmus dhe Horizon”, si hapa drejt anëtarësimit të plotë në BE.
Të premten në mbrëmje, Zelensky u dërgoi një letër liderëve të Bashkimit Europian, ku theksoi se Ukraina po ecën me ritme të shpejta në reformat e nevojshme për anëtarësimin e plotë, ndërsa njëkohësisht po shërben si mburojë ndaj agresionit rus për të gjithë BE-në me 27 vende anëtare, raportoi Reuters.
“Ne po mbrojmë Europën plotësisht, jo pjesërisht dhe jo me gjysmë masash. Do të ishte e padrejtë që Ukraina të jetë në Bashkimin Europian, por pa zë”, mësohet të ketë shkruar Zelensky në letër.
Letra iu drejtua presidentit të Këshillit Europian Antonio Costa, presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe presidentit të Qipros, Nikos Christodoulides, vendi i të cilit mban aktualisht presidencën e radhës të Këshillit të BE-së. Ukraina aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Europian pak ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin nisi pushtimin e plotë të vendit në shkurt të vitit 2022. Disa muaj më vonë, Kievit iu dha statusi zyrtar i vendit kandidat, ndërsa negociatat për anëtarësim nisën në vitin 2024.
Komente









