Skënder Minxhozi: Ja ka marrë apo jo partinë Lulit?!

Skënder Minxhozi: Ja ka marrë apo jo partinë Lulit?!

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Është ndoshta pyetja më intriguese në Tiranën politike aktuale. Madje është bërë një pyetje me rezonancë kombëtare që kurse kanë nisur Foltoret. “Ja ka marrë partinë Bashës apo jo?” Përgjigjen për këtë pyetje sa të thjeshtë aq edhe komplekse, nuk e ka as vetë Sali Berisha, autori i sfidës më të madhe vjeshtore në politikën shqiptare.

Nëse dëgjon entuziastin e kritikëve të Lulizm Bashës të cilët numërojnë me sy më shumë dëshirë popullin që mbush sallat e Doktorit, pa harruar të konstatojnë se “Luli kaq s’i mblidhte as në fushatë” – pra nëse merr për bazë këtë kategori personash, loja tashmë ka mbaruar. PD ka rënë, Berisha ka fituar dhe enigma qëndron jo më tek fitorja, por tek përdorimi i fitores. Pra, në atë se çfarë do të ndodhë me një Berisha-bis në krye të Partisë Demokratike.

Por ka dhe një kategori tjetër, më të heshtur, por jo për këtë arsye të parëndësishme, në këtë betejë të hapur e plot nerv. Janë ata që thonë se Lulzim Bashës i mjafton të ketë pas krahëve Amerikën dhe gjithçka ka mbaruar. Nën zë pranojnë gjithashtu se edhe Rama do të donte t’i jepte fund historisë së Berishës dhe se kjo e ndihmon qoftë edhe indirekt Lulin.

Në fakt përplasja Berisha-Basha është realisht intriguese dhe plot surpriza, sepse është një konflikt që po konsumohet me tetë vjet vonesë. Nuk pati një sqarim të vërtetë palësh në ditën kur u dorëzuan çelësat e zyrës së kryetarit të PD dhe pasoja qenë tetë vite të gjata zvarritjesh, dilemash e ulje-ngritjesh bilbike. Basha u kthye në një Sizif me gurin në krah, që kurrë nuk e çonte dot në destinacion.

Kjo opozitë e zgjatur dhe agonizuese ka prodhuar një luftë të dëshpëruar për të kontrolluar partinë, me produktin më të pamendueshëm dhe absurd që mund të imagjinohet: Basha sot sfidohet nga një thuajse 80 vjeçar që kujtohej se po merrte rrugën e pakthyeshme drejt daljes nga politika aktive. Do të ndodhte me shumë gjasë kështu po të mos ishte rrufeja amerikane që e detyroi të reagojë Sali Berishën, pas një qëndrimi thuajse pasiv (në aspektin publik, jo pas perdeve), gjatë tetë vjetëve të qëndrimit të partisë së tij në opozitë.

Sot Sali Berisha nënkupton më shumë sesa flet hapur për të rimarrë partinë. Tregohet enkas i mjegullt në synimet e tij, duke përsëritur deri në mërzi se i kanë bërë padrejtësi duke e shpallur non grata në SHBA, por pastaj kritikon edhe Bashën për gjendjen e mjerueshme ku e ka lënë partinë. Nuk foli as në 25 prill, as kur Luli u rizgjodh kryetar, por doli të bëjë fushatë në vjeshtë, atëhere kur zgjedhjet për parlamentin por edhe për kreun e opozitës, ishin mbyllur që të dyja!

Se cili fiton sot mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës ka pak rëndësi në vetvete. Jo se ky është një detaj që s’ka peshë politike, por sepse ajo që do të pasonte në rast fitoreje të njërit apo tjetrit, duket shumë më e rëndësishme dhe e paparashikueshme në afat të shkurtër dhe të mesëm.

Një fitore e Bashës do të konfirmonte rilindjen e tij (çfarë ironie ky term për kryeopozitarin), në raport me postin dhe partinë. Qysh tani, edhe pse i trembur në palcë nga Foltoret e Berishës, Lulzim Basha nuk harron të përsërisë mes rreshtave se ka ndërmarrë një gjest që nuk ishte as i lehtë dhe as pa pasoja. E vërteta është se ka të drejtë në atë që thotë. Më mirë vonë se kurrë.

Një parti e drejtuar edhe më tej nga Basha do të kishte mbështetjen e hapur të SHBA dhe do të sillej me sovranitet në qëndrimet ndaj qeverisë. Basha do t’i kishte duart të lira të forconte opozitarizmin e tij, çka po fillon të duket qysh tani, ose edhe të ulej me Ramën për reforma të mëdha si ligji elektoral, ndryshimet kushtetuese etj. Askush s’do ta qortonte dot se nga selia e kryeministrit do të shkonte tek kulla Coin për të certifikuar negociatat me Berishën. Më në fund Luli do të jetë vetvetja. Ah sikur të ishim në vitin 2014!

Ata që kujtojnë se fitorja e Lulit zgjidh krizën duhet të kujtojnë gjithashtu humbjet e tij. Ky njeri di vetëm të humbë sapo sheh një kuti votimi. Kujdes demokratë, mund të jeni duke zgjatur qëndrimin në opozitë edhe përtej murit të rëndë të 12 viteve! Veç në i besfoshi fabulës së shishes së qumështit që Basha ka vënë në derën e pushtetit që në vitin 2013.

Në anën tjetër një fitore e Sali Berishës do të ishte situata më surreale në të cilën do të ndodhej Partia Demokratike që nga themelimi i saj. Përfshirë edhe vitin 1997. Sepse Berisha nuk ka sot vetëm hallin e marrjes së partisë, as vetëm problemin e pastrimit të njollës amerikane, por edhe të gjetjes së një formule ku rrëzimi i Bashës të dukej jo thjesht si një hakmarrje e verbër e Doktorit, por edhe si një fazë e re pozitive për partinë, bazuar mbi një set të ri rregullash që do të forconin demokracinë e brendshme. E habitshme, por e vërtetë: Berisha flet për demokracinë e brendshme të partisë!

Një PD me Berishën do të ishte një sfidë e hapur ndaj ligjeve të politikës, e nëse doni edhe të fizikës, kimisë e matematikës bashkë. Do të ishte një akt i çmendur, ku regresi shfaqet si progres, ku e vjetra mbyt më të renë në emër të “rinovimit”. Do të ishte me shumë gjasë një fund më i shpejtë dhe më dramatik sesa agonia e zgjatur opozitare e Lulit. Do të ishte një nga ato rikthime që si precedent të famshëm kanë 100 ditët e kthimit të Bonapartit, të cilat siç e dimë, kanë si finale Vaterlonë.

Zaret janë hedhur. Na mbetet të shohim cili do të jetë fituesi, megjithëse një gjë e dimë edhe pa mbaruar loja: kjo punë nuk ka ardhur për mirë. Sidoqoftë fundi, po projektohet një PD edhe më pa peshë, edhe më në krizë, edhe më e vogël sesa kjo që doli nga zgjedhjet e prillit.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fato: 18/10/2021 01:14

    Dhe ne qe mendojme se gazetare si puna ketij, kane nje standart. Pyetja qe shtron:Ja ka marre apo jo partine-deshmon se sa pertoke eshte situata. Nese mendon qe partia eshte prone e njerit apo tjetrit, nuk ka nevoje te zgjatesh me tej, pamvaresisht pronesise, diskutimi eshte i deshtuar. Pasi vete subjekti, partia eshte e deshtuar. Ne 2021 gazetaret ne Shqiperi jane rreshtuar ne karvanin e gjate qe i prin Rama dhe as ua ndjell per qente qe lehin, Luli apo Berisha. Ne aspektin real, jane pragmatiste, pjese te shoqerise sone te korruptuar. Ne aspektin moral, jane minus 30 vjet pas.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë