Një 41-vjeçar shqiptar në Serres të Greqisë është arratisur në mënyrë spektakolare, ndërsa transferohej nga burgu i Nigritës drejt spitalit.

Rreth orës 23:30 të së premtes, automjeti i transportit ndodhej në oborrin e spitalit, konkretisht jashtë repartit psikiatrik. Në atë moment, brenda furgonit ndodheshin i burgosuri dhe dy persona, të cilët i përkisnin shërbimit të jashtëm të sigurisë së burgut.

Në atë çast u shfaqën bashkëpunëtorët e 41-vjeçarit me automjete që ngjanin me ato të policisë. Nga të dhënat e deritanishme nuk rezulton se autorët kishin veshur uniforma policie apo se u paraqitën si pjesëtarë të njësisë speciale të policisë greke (OPKE). Megjithatë, një nga automjetet thuhet se ishte një Nissan Navara, i ngjashëm me automjetet që përdoren edhe nga OPKE-ja, dhe kishte gjithashtu një dritë sinjalizuese të vogël.

Kjo bëri që shoqëruesit e të burgosurit fillimisht të mendonin se bëhej fjalë për policë. Situata ndryshoi brenda pak sekondash, kur personat që ndodheshin në automjet zbritën duke mbajtur kallashnikovë.

Nën kërcënimin e armëve, ata neutralizuan shoqëruesit dhe ndihmuan 41-vjeçarin të arratisej, ndërsa, morën edhe armën e shërbimit të një punonjësi të burgut. Më pas hipën në automjetet e tyre dhe u larguan.

Në momentin e arratisjes, brenda spitalit ndodheshin edhe dy të burgosur të tjerë.

Shqiptari ishte arrestuar vitin e kaluar nga efektivë të Krimit të Organizuar për tentativë vrasjeje në Selanik, pas një incidenti në një kioskë ushqimore. Gjithashtu, dyshohet se kishte qenë i përfshirë edhe në trafik armësh e droge.

Autoritetet kanë nisur kërkimet për 41-vjeçarin dhe për bashkëpunëtorët./Protothema