Faleminderit për interesimin e posaçëm lidhur me përgatitjen dhe anonçimin e Skuadrës sonë Kombëtare për Rilindjen. Do duhet të prisni edhe pak lidhur me emrat konkretë të kësaj skuadre dhe me të gjitha skuadrat përbërëse për çdo qark. Mirëkuptoj gjithë çfarë janë spekuluar dhe çfarë janë thënë nëpër gazeta e nëpër televizione duke bërë shpesh herë gjënë e duhur, herë të tjera duke na i ngatërruar pak ujërat, por sot përpara se sa ne të mblidhemi në kryesinë e Partisë Socialiste për ta çertifikuar Skuadrën tonë Kombëtare që është gati, dua të them disa gjëra.

Së pari, me shumë mirënjohje, me shumë respekt dhe me vlerësimin më të lartë falenderoj të gjithë deputetët e Partisë Socialiste, që në këto katër vjet kontribuuan në rezistencën opozitare, në përgatitjen e alternativës sonë për Rilindjen, në ballafaqimin parlamentar, në komunikimin me komunitetin, dhe për hir të rikonfigurimit të domosdoshëm nuk do të jenë të përfshirë në Skuadrën tonë Kombëtare, por janë treguar plotësisht të gatshëm që të përfshihen gjerësisht në këtë betejë, duke qenë vija e parë e mbështetjes. Një falënderim shumë i posaçëm për ata të cilët me modesti intelektuale, me përgjegjshmëri të lartë, me një sens të jashtëzakonshëm të frymës së skuadrës kanë pranuar të zbresin në vende të mëposhtme duke dhënë mesazhin më fantastik të këtij momenti që ne jemi një skuadër dhe që përfshirja apo mospërfshirja jonë në këtë skuadër lidhet me ide të përbashkëta, lidhet me pasionin e përbashkët politik, lidhet me vullnetin për t’i çuar gjërat përpara dhe nuk lidhet me numrin në renditje. Kjo do të jetë një skuadër që do të konsolidojë dhe do të ripërtërijë. Do të konsolidojë çka kemi ndërtuar në këto vite duke riafirmuar bazën e vlerave, bazën e gjithë asaj përmbajtjeje njerëzore, politike, morale, të kulturës sonë të bashkëjetesës. Njëkohësisht, duke përfshirë njerëz të rinj, duke përfshirë energji të reja, duke përfshirë figura që janë në procesin e konfirmimit brenda familjes sonë politike dhe në raportet me komunitetin, ne me këtë skuadër do të konsolidojmë duke mos lënë asgjë mangut që skuadra të ketë gjithë eksperiencën e nevojshme për të fituar dhe për të qeverisur. Do të kemi atë energji të re, atë vlerë të shtuar që vjen nga ripërtëritja përmes figurash të reja. Sot ne kemi një grup parlamentar, në fund të këtij sesioni, që ka konsoliduar vlerat bazë, por edhe ka mundësuar ndërtimin e profileve të reja. Profile të reja politike dhe publike që sot janë të patjetërsueshme për fizionominë e skuadrës sonë përfaqësuese. Prandaj, kështu duhet parë dhe vazhdimi në rrugën e ripërtëritjes. Në fund të fundit kjo është në ADN-në e Partisë Socialiste. Partia Socialiste ka lindur si një parti e transformimit. Ka lindur si një forcë që transformimin e Shqipërisë e sheh duke kaluar përmes transformimit të vazhdueshëm të vetvetes. E tillë është sot dhe e tillë do të mbetet.

Së dyti, skuadra jonë përfaqësuese vazhdon në traditën e harmonizimit të gjeneratave, vazhdon në procesin e zëvendësimit të qetë dhe të matur të brezave që i lënë stafetën njëri – tjetrit pa krijuar asnjë çarje dhe asnjë thyerje. Pra, do të kemi ata që e kanë përfaqësuar në vite PS, do të kemi ata që ofrohen rishtaz për ta përfaqësuar bashkë me të tjerë. Kjo skuadër do të ketë më shumë gra se sa skuadra që këto ditë mbaron misionin e saj. Më shumë gra, për më shumë barazi gjinore, për më shumë përfaqësim. Nuk jemi ende për hir të së vërtetës aty ku do të dëshironim të ishim në këtë aspekt, por rëndësi ka që shkojmë përsëri më tutje drejt realizimit të një objektivi strategjik të Partisë Socialiste, që është barazia e plotë gjinore në perspektivën e rrugës sonë drejt së ardhmes. Kjo skuadër është njëkohësisht shprehja më kuptimplotë e vullnetit për të ndarë përgjegjësi. Ne nuk po nisemi drejt 23 qershorit për të mbyllur legjislativin dhe ekzekutivin shqiptar brenda një rrethi prej 73 apo 74 vetësh që do jenë nesër deputetë të Partisë Socialiste dhe për këtë kemi mirëkuptimin dhe marrëveshjen edhe me aleatët tanë. Ne nisemi për të ndarë përgjegjësitë duke dëshmuar qysh sot me një numër deputetësh që janë përfshirë në skuadrën tonë pa pretendimin për të qenë në listat që hyjnë drejtpërdrejtë, sepse ne nesër duam që legjislativi të bëjë legjislativin, ekzekutivi të bëjë ekzekutivin. Me ne në qeverisja nuk do të ketë më asnjë problem për të ushtruar tërësisht fuqinë e popullit sovran përmes parlamentit dhe të gjithë instrumentet e kontrollit parlamentar pa interferenca mes legjislativit dhe ekzekutivit. Nuk do ketë më ministra të cilët do të hyjnë në parlament me mandatin e dyfishtë, edhe ministra edhe deputetë. Ministrat do të bëjnë shërbëtorin e popullit shqiptar 24 orë në 24, duke ekzekutuar të gjitha aktet, vendimet, ligjet dhe duke i shërbyer besnikërisht Kushtetutës në funksion të interesave të popullit shqiptar. Deputetët do të bëjnë 24 orë në 24 ushtrimin e vullnetit sovran në kontrollin e qeverisë. Ashtu sikundër edhe do të jenë trupa solide, mbështetëse e një ekzekutivi që në 23 qershor do të ngarkohet nga shqiptarët për të realizuar programin tonë ambicioz, që t’i japim fund rrënimit dhe të hapim rrugën e një Rilindjeje Shqiptare.
Pa dyshim që është momenti për të nënvizuar se ky është një proces për të ndërtuar një kulturë skuadre. Për të ndërtuar kulturën e një organizate ku prioritetin e ka organizata, nuk e ka individi. Ku çdo individ është në funksion të prioritetit të organizatës. Një kulturë skuadre, ku ajo çka mbetet si objektiv i përbashkët, si pika e përbashkët e referimit në rrugën tonë të përbashkët, është vizioni dhe qëllimet që burojnë nga ai vizion dhe jo axhendat personale. Kemi pasur në vijimësi probleme me axhendat personale, që kanë interferuar jo rrallë në axhendën tonë kombëtare, në axhendën e Partisë Socialiste, politike, strategjike, taktike po të doni. Do shkojmë përpara duke i dhënë forcë axhendës tonë kombëtare, axhendës tonë strategjike, axhendës tonë politike dhe duke konsoliduar këtë kulturë bashkëjetese.
Së fundi, dua të nënvizoj, se sigurisht, ka pasur një shumicë që e ka kuptuar drejt, menjëherë, pa ekuivok, nevojën për të vazhduar të ecim përpara së bashku, së bashku, së bashku…pavarësisht pozicioneve dhe për të ndarë përgjegjësitë nesër. Ka pasur edhe ndonjë, që ka mirëkuptimin tim të plotë, që mund të jetë ndjerë edhe i lënduar. Këto janë momente që sa ç’janë politike janë dhe njerëzore. Janë momente që sa ç’kanë domosdoshmërinë e një vendimmarrjeje që duhet të niset nga prioritetet e organizatës kanë edhe emocionet njerëzore dhe individuale të gjithsecilit. Nuk ekziston asnjë skuadër kampione sa do e famshme, profesionale, e disiplinuar ku të ketë lojtarë, që nuk duan të futen që në minutën e parë në fushën e lojës. Kemi parë lojtarë të mëdhenj, që kur dalin nga fusha e lojës bëjnë dhe gjeste josportive, joetike, por kjo është pjesë e të qenit në një arenë, ku gara është ajo që rrit adrenalinën e gjithsecilit në mënyrë të vazhdueshme. Kështu që, me këtë mirëkuptim të plotë unë jam i bindur që ne sot i kemi dhënë formë një skuadre, të cilën shqiptarët do ta votojnë me besim. Me të cilën ne do të realizojmë axhendën tonë të reformave të mëdha në parlament dhe angazhimet tona, zotim për zotim në qeverisje.

Pyetje: Zoti Rama është folur se ju do të jeni kandidati i parë i listës në qarkun e Vlorës. A keni marrë një vendim nëse do të kandidoni në Tiranë apo në Vlorë?

Unë kam dy gjëra për të thënë lidhur me pyetjen se ku do të jem unë si emër. E para, kjo është një betejë që materializohet në një fletë votimi ku votohet partia dhe lideri. Në këtë kuptim çdo lider partie është në të gjithë Shqipërinë. E voton e gjithë Shqipëria. Çdo spekulim lidhur me vendosjen këtu apo atje, për arsye personale apo të axhendës personale, është banal, sepse ju e dini shumë mirë, këtu nuk bëhet fjalë për një betejë mazhoritare, këtu bëhet fjalë për një betejë që nis me një skuadër që në 95% të saj është e afirmuar që në momentin që hyn në fushë. Që do të thotë se pjesët e sipërme të këtyre listave hyjnë si pjesë që garantojnë secilin.
Së dyti, PO, unë kam vendosur që të jem në krye në listën e Vlorës, me një mesazh shumë të qartë, jo për Vlorën, por për Tiranën, për Shkodrën dhe për Prishtinën. Me mesazhin e kryeqytetit të pavarësimit të shtetit shqiptar dhe të fillimit të rrugës së shtetit shqiptar. Me mesazhin e domosdoshmërisë që të gjithë bashkë ne shqiptarët të rinisim rrugëtimin për të hapur me faqe të bardhë kapitullin e dytë të 100 vjetëve të dyta të shtetit tonë, i cili sapo filloi dhe i cili nuk mund të vazhdojë si inerci e fundit të kapitullit të parë e këtyre 8 viteve rrënim skandaloz. Çdo spekulim tjetër është vetëm abuzim. Vlora nuk është e Vlorës. Vlora është e vlonjatëve, sa ç’është e tiranasve, sa ç’është e shkodranëve, sa ç’është e gjithë shqiptarëve në të gjitha trojet shqiptare, nga Prishtina në Preshevë, në Shkup e kudo qoftë. Pra, aty ku ka shqiptarë, aty ka një zemër që rreh për kryeqytetin e pavarësisë, për qytetin e flamurit kuq e zi, për vendin nga nisi historia e shtetit shqiptar. Një histori që sot ka ngecur. Ka ngecur në një mënyrë që e ka kthyer shtetin shqiptar në një sëkëlldi për botën që na rrethon. Njëkohësisht e ka thyer Shqipërinë në një vend ku ne kemi njëmijë e një probleme dhe ku kemi përgjegjësinë historike që të përveshim mëngët dhe të fillojmë t’i zgjidhim duke parë në sy njëri–tjetrin dhe duke ndërmarrë një rrugëtim për t’i dhënë fund jo vetëm rrënimit ekonomik, por në radhë të parë rrënimit të shtetit si shëmbëlltyrë e marrëdhënieve mes atyre që zgjedhin dhe atyre që zgjidhen.

Pyetje: Një tjetër çështje që është diskutuar ditët e fundit është ajo e kandidimit të zotit Erjon Braçe. A do të jetë ai në listat e PS?

Çdo spekulim lidhur me mosqenien në listë të Erjon Braçes është vetëm spekulim. Erjon Braçe është një nga pjesëtarët e Skuadrës sonë Kombëtare dhe sigurisht për të mos bërë përjashtim nga të tjerët ka vendin që i takon në frontin e një beteje ku ne nuk jemi për veten, por jemi për qëllimin e përbashkët dhe ku secili prej nesh do të mundohet me mish e me shpirt të japë maksimumin, duke përputhur atë që mund të japë me atë çka kërkohet nga çdo territor. Kështu që, ju siguroj se Erjon Braçe gëzon të gjithë respektin dhe njëkohësisht të gjithë vlerësimin tim dhe të të gjithëve ne, në funksion të një beteje ku askush nuk është i domosdoshëm, po ku të gjithë janë të nevojshëm.

(v.gj/shqiptarja.com)