Skënder Minxhozi: Albin Kurti s’e ka problemin me Leposaviqin ose Beogradin, e ka me Uashingtonin

Skënder Minxhozi: Albin Kurti s’e ka problemin me Leposaviqin ose Beogradin, e ka me Uashingtonin

Kryeministri i Kosvës Albin Kurti

Brenda rrokopujës së ngjarjeve të rënda që prodhoi “kriza e kryetarëve” në komunat serbe të Veriut të Kosovës, ndoshta lajmi më i keq për kryeministrin Albin Kurti ka qenë një tjetër. Në pamje të parë i palidhur drejtpërdrejt me kacafytjet e bandave kriminale serbe me policët kosovarë në dyert e komunave në fjalë, por në fakt i lidhur drejtpërdrejt me vetë sigurinë dhe egzistencën e Kosovës si shtet. Fjala është per përpjashtimin e palës kosovare nga manovrat më të mëdha ushtarake të NATO-s në Evropë të titulluara “Defender Europe”. Personeli prej 1300 efektivësh që Kosova planifikoi për të qenë pjesë e kësaj manovre do të qëndrojë jashtë kësaj stërvitjeje ushtarake dhe mesazhi që përçon ky largim ndëshkues është lajmi më i keq që një banor i Kosovës mund të marrë në këtë moment.

Është shumë e lehtë të lexohet qysh në krye të këtij vendimi, sinjali i fortë i palës amerikane për t’i thënë autoriteteve të Kosovës, e përmes tyre gjithë banorëve të shtetit më të ri të Ballkanit, se mund të ndodhen jashtë çadrës së sigurisë që ofron sot Aleanca Atlantike nëse do të vijojnë të veprojnë siç vepruan me komunat serbe, ku qeveria kosovare çoi me forcë në zyrë kryetarët e zgjedhur me pak qindra vota në një proces elektoral të bojkotuar në masë nga pakicat serbe.

Ky sinjal është në fakt masa e parë konkrete ndëshkuese që amerikanët i dhanë Albin Kurtit, ndërkohë që ai quan naiv dhe të painformuar sekretarin amerikan të shtetit Blinken, duke ngulmuar të mos lëvizë nga mbajtja me forcë e krerëve lokalë të komunave në ambjentin e ndezur të Veriut të Kosovës.

Kjo pamje e re e krizës me të cilën përballet sot Kosova, sheh hyrjen e papritur në skenë të disa faktorëve të rinj që historikisht kanë qenë themeluesit realë të shtetit kosovar. Albin Kurti ja ka arritur që me intransigjencën e tij krejt emotive dhe irracionale, të provokojë disa dështime njëherësh: i ka dhënë një makijazh fytyrës së plasaritur të presidentit Vuçiç të cilin po e kërkojnë të largohet qindra mijë serbë çdo javë. Ka acaruar më pas situatën në Veri, aty ku ekuilibrat janë të brishtë e ku paqja mbahet formalisht e jo si gjendje e përhershme. Më tej ka vënë kundër vetes të gjithë ata që në kohëra të ndryshme e për motive të ndryshme, kanë qenë e janë kumbarë të shtetit kosovar, dikush duke e njohur si të tillë, te tjerë duke e ndihmuar financiarisht e të tjerë akoma duke i mbajtur rendin e kufinjtë dhe duke ruajtur paqen e sigurinë në tërësi brenda dhe rreth Republikës së Kosovës.

Me këtë listë aleatësh tradicionalë e ka krizën e vërtetë Albin Kurti sot, jo me qindrat e huliganëve e policëve serbë të veshur civilë, që djegin e shkatërrojnë makinat e gazetarëve e zyrat e pushtetit vendor në Veri të Kosovës. Me Vuçiçin Kurti ishte, edhe pa këtë krizë të fundit, në një gjendje mospëlqimi e urrejtjeje reciproke. Mjafton të lexosh çfarë thonë për njëri-tjetrin. E reja në këtë krizë është se sot i gjithë Perëndimi në bllok është gjithashtu kritik dhe fytyrngrysur me kryeministrin kosovar, i cili bën djalin kokëfortë edhe kur s’ka as fuqi e takat të ruajë as zyrat e katër komunave.

Para se ta quajë naiv Blinkenin, kryediplomatin e shtetit që krijoi Kosovën siç e njohim sot, Albin Kurti duhet të reflektojë thellë dhe me qetësi rreth naivitetit të vërtetë në gjithë këtë histori. Sepse s’mund të quhet veçse naive që të sherrosesh me garantët e vetëm të shtetit tënd, teksa je në hasmëri për vdekje prej shekujsh me komshiun përballë. E gjitha kjo në kontekstin e gjerë të një krize kontinentale ku lufta në Ukrainë ka shkartisur shumë letra. Ndër to edhe rolin e pozitën e Serbisë të cilën perëndimorët kanë interes ta mbajnë sa të munden brenda sinoreve të Perëndimit, e jo ta shtyjnë matanë gardhit rus.

Albin Kurti ka krijuar një problem të madh jo me Veriun e Kosovës, pasi problemet në Zvecan e Zubin Potok kanë qenë e do të jenë edhe për shumë kohë prezente. Ai ka gatuar me vullnet të plotë dhe me vetëdije prej nacionalisti tekanjoz e emotiv, një lëmsh të koklavitur por të evitueshëm me amerikanët, pa të cilët dje, sot dhe nesër nuk ka Kosovë! Kaq e thjeshtë është. Jo Lepopsaviqi, por Uashingtoni është halli primar i Albin Kurtit dhe gjithë shqiptarëve në këtë moment.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vjeshta: 01/06/2023 13:28

    Minxhozet nuk jane shquar per trimeri e nacionalizem me sa di une nga historia. Sot eshte koha te jemi bashke ne ceshtjen kombetare

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Ditë me diell e temperatura deri në 28 gradë celsius, parashikimi i motit për sot

Ditë me diell e temperatura deri në 28 gradë celsius, parashikimi i motit për sot