Ky është dënimi i parë për ngjarjen që krijoi tërmet politik në Sllovaki, duke detyruar Kryeministrin e atëhershëm Robert Fico të jepte dorëheqjen.
Dënimi u dha nga gjykata speciale penale e Pezinok, në perëndim të vendit.
I akuzuari është Zoltan Andrusko, ish biznesmen i akuzuar për bashkëpunim në planin për të kryer vrasjen e dyfishtë.
Andrusko ishte ndërmjetësi midis porositësit të krimit dhe vrasësit.
Dyzet e dy vjeç, Zoltan Andrusko është gjykuar për krimin e dyfishtë të vitit 2018. Ai u dënua me 15 vite burg edhe për arsyen se kishte ndihmuar autoritetet në hetimin e ngjarjes.
Sipas rindërtimit të fakteve që kanë dalë deri më tani, Andrusko kishte ngarkuar me detyrën e vrasjes së gazetarit investigativ Jan Kuciak dhe parteren e tij dy persona, një ish-ushtar dhe një ish-policë, Miroslav Marcek dhe Tomas Szabo.
Zoltan Andrusko ishte kontaktuar nga Alena Zsuzsova, në emër të sipërmarrësit Marian Kocner,të cilin gazetari e kishte denoncuar për punët e tij të paligjshme. Kocner gjithashtu kishte kërcënuar reporterin.
Në këmbim të ndërmjetësimit të tij, Andrusko kishte marrë një shumë prej 20 mijë eurosh dhe premtimin se shpërblimi do shkonte 50 mijë euro.
Kuciak, 27 vjeç dhe e fejuara e tij Martina Kusnirova u qëlluan për vdekje në 21 shkurt të vitit 2018 në shtëpinë e tyre në Velka Maca në jug të Sllovakisë.
Ishte e qartë se Kuciak ishte vrarë për artikujt e tij investigativ të cilët nxorën në dritë marrëveshje dhe kontakte midis mafies dhe politikës.
Vrasja e gazetarit nxorri në rrugë dhjetëra mijëra sllovake gjë që e detyroi Kryeministrin Fico të jepte dorëheqjen. Kocner u akuzua për vrasjen në mars të vitit 2019.