Sllovakia fillon kontrollet në kufi me Hungarinë

Sllovakia fillon kontrollet në kufi me Hungarinë

Sllovakia filloi sot të kryejë kontrolle kufitare me Hungarinë, për shkak të asaj që e quan, një rritje dramatike të numrit të emigrantëve që kalojnë në territorin e saj. Numri i emigrantëve që hyjnë në Sllovaki, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afganistani, është dhjetëfishuar duke regjistruar afro 40,000 emigrantë këtë vit. Sipas të dhënave të qeverisë sllovake, emigrantët synojnë të kalojnë nga Hungaria në Sllovaki dhe më pas të shkojnë në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës Perëndimore.

Vetëm gjatë muajit shtator, migrimi i paligjshëm në Sllovaki ishte aq i lartë sa gjatë gjithë vitit 2022. Për këtë arsye Bratislava vendosi të fillojë kontrollet në kufi me Hungarinë prej nga vijnë migrantët e paligjshëm. Kontrollet, sipas qeverisë sllovake, do të zgjasin 10 ditë.

Në një vendkalim kufitar në Sahy të Sllovakisë, 90 kilometra në veri të Budapestit, policia sllovake filloi ndalimin e makinave të enjten për të kryer kontrolle. Ky vendim është në kundërshtim me rregullat e zonës Shengen që mundëson kalim pa kontrolle kufitare mes vendeve të Bashkimit Evropian.

“Diçka duhej bërë patjetër. Ky është një vendim i mirë. Koha do të tregojë nëse ishte vendim pozitiv, apo negativ”, thotë Attila Varga, që kalon çdo ditë kufirin nga Hungaria në Sllovaki ku punon.

Të tjerë që kalonin kufirin mes Sllovakisë dhe Hungarisë mendojnë se më mirë do të ishte të mbyllen kufijtë e jashtëm të zonës Shengen.

“Kufiri Hungari - Serbi duhet të mbyllet. Kufijtë e jashtëm të zonës Shengen duhet të kontrollohen. Kjo do të ishte një zgjidhje, por duket sikur zyrtarët në Bruksel nuk mund të marrin vendim”, thotë Istvan Matusov, një mekanik hungarez në pension.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto gjithashtu fajësoi Bashkimin Evropian për rritjen e numrit të migrantëve të paligjshëm. Hungaria ka mbajtur prej kohësh qëndrim të ashpër kundër migracionit, duke kundërshtuar me forcë propozimet e BE-së për të rishpërndarë azilkërkuesit midis 27 vendeve anëtare të bllokut.

“Sa i përket veprimit të qeverisë sllovake, është tërësisht faji i Brukselit. Ai inkurajon migrimin. Brukseli mbështet modelin e biznesit të kontrabandistëve të njerëzve duke nxitur vazhdimisht kuotat e detyrueshme të zhvendosjes së refugjatëve nga njëri vend tek tjetri gjë që është magnet për migrantët në Evropë”, thotë ministri i jashtëm hungarez, Szijjarto gjatë konference për shtyp në Budapest krahas ministrit slloven për mjedisin dhe energjinë, Bojan Kumer.

Pjesa më e madhe e këtyre emigrantëve udhëtojnë drejt BE-së në të ashtuquajturën rrugë ballkanike, duke kaluar kufirin jugor të Hungarisë me Serbinë ose Kroacinë. Ata e bëjnë këtë pavarësisht një gardhi kufitar prej 320 kilometrave që Budapesti filloi ta ndërtonte në vitin 2015, pasi më shumë se 1 milion emigrantë hynë në Evropë duke ikur nga lufta dhe varfëria në Siri, Irak dhe gjetkë.

Megjithatë, pavarësisht politikave të ashpra të Hungarisë, Sllovakia thotë se këtë vit ka pasur rritje të skajshme të numrit të migrantëve që vijnë nga territori i fqinjit të saj jugor. Austria, Republika Çeke dhe Polonia filluan kontrollet kufitare një ditë para Sllovakisë ndërsa Gjermania vendosi kontrolle të reja me Poloninë dhe Republikën Çeke javën e kaluar./VOA

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?