Në mesin e luftës së ashpër në Gaza, Sllovenia ka theksuar qëndrimin e saj propalestinez duke njohur Palestinën si shtet.

Sipas mediave të huaja, Kuvendi i Sllovenisë vendosi njohjen e shtetit palestines me 52 vota pro nga 90 deputetë që ka në total.

Ministrja e Jashtme sllovene, Tanja Fajon, pas vendimit iu drejtua popullit të Palestinës se vendimi përfundimtar i Sllovenisë është një mesazh shprese dhe paqeje.

“Ne besojmë se vetëm një zgjidhje me dy shtete mund të çojë në një paqe të qëndrueshme në Lindjën e Mesme. Sllovenia do të vazhdojë pa u lodhur të punojë për sigurinë e të dy kombeve, palestinezëve dhe izraelitëve”,- ka deklaruar Fajon.

Sllovenia njohu një shtet palestinez vetëm disa ditë pas veprimit të njëjtë që ndërmorën Spanja, Norvegjia dhe Irlanda.