TIRANË- 20 shkollat më të frekuentuara në Tiranë janë pajisur me kamera inteligjente në kuadër të projektit Smart City. 600 kamera janë instaluar në total që do të iofrojnë më shumë siguri për rreth 14 mijë nxënës. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm dhe ministrja e Arsimit, inspektuan Qendrën e Komandës dhe Kontrollit të projektit Smart City.
“Bën bashkë 3 komponentë, siguria rrugore, publike dhe në shkolla. Nga sot jemi gati për vitin e ardhshëm shkollor për të garantuar se gjithçka po bëhet në zbatim të ligjit duke adresuar dhe problematikat e prindërve.
“Persona të paautorizuar futen me me sende të ndaluara apo sjellje të rrezikshme, Programi me inteligjence artificiale është programuar ti detektoje dhe ti paralajmëroje në kohë reale. Informacioni nga 20 shkolla të Tiranës vjen në qendër dhe shkëput ato imazhe që përbëjnë rrezik dhe sinjalizojnë menjëherë të policia e shtetit”, tha Besfort Lamallari.
Do të jenë kamera vetëm në mjediset publike, korridore, hapësirat e mëdha që do jenë parandaluese në sinjalet që japin. Edhe sot është pjesë e infrastrukturës pajisja me kamera. Por kamerat që kemi, kur ndodh incidenti thërrasim policinë dhe hapen kamerat për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, kamerat inteligjente na tregojnë para ku mund të ketë rrezik potencial për një incident apo tension, për të ndërhyrë edhe vetë shkolla me mjete komunikimi”, tha Mirela Kumbaro.
Në përputhje me prioritetet strategjike të Qeverisë Shqiptare për dixhitalizimin e shërbimeve publike, inovacionin dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale në funksion të sigurisë publike, projekti kombëtar “Smart City” synon krijimin e një sistemi të integruar për monitorimin dhe menaxhimin inteligjent të sigurisë në shkolla, sigurisë në vende publike dhe trafikut rrugor,
Lajmi në përditësim...

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, theksoi se “Smart City” nuk është thjesht një projekt kamerash, por një ekosistem i integruar teknologjik që transformon mënyrën se si parandalohet dhe menaxhohet rreziku në kohë reale.
“Qendra e Komandës dhe Kontrollit ngrihet dhe qëndron nga sot, në zemër të një filozofie dhe qasjeje të re të qeverisë shqiptare për sigurinë publike. Programi ‘Smart City’ nuk është thjesht një projekt kamerash. Kush e sheh kështu, ose e zvogëlon me dashje, ose nuk e ka kuptuar ende dimensionin e tij,” u shpreh ministri.
Lamallari shpjegoi se sistemi bazohet në 3 komponentë të integruar: burimet e informacionit të shpërndara në territor, platformën e centralizuar të komandës dhe kontrollit, si dhe inteligjencën artificiale që analizon në kohë reale të dhënat e mbledhura. Sipas tij, sistemi përpunon informacionin e ardhur nga 873 lokacione operative, të shpërndara në 12 Drejtori Vendore të Policisë, 24 qytete kryesore, 28 pika të kalimit kufitar dhe 20 shkolla në qytetin e Tiranës, duke mundësuar reagim të menjëhershëm ndaj çdo rreziku të mundshëm.
“Çdo sjellje potencialisht e rrezikshme apo në shkelje të normave ligjore detektohet përmes inteligjencës artificiale dhe merr formën e një ‘alerti’ pikërisht këtu në Qendrën e Komandës dhe Kontrollit, për t’u ndarë menjëherë me patrullën më të afërt në territor. Sistemi është projektuar të evidentojë, analizojë dhe paralajmërojë në kohë reale, duke mundësuar një reagim proaktiv dhe parandalues,” deklaroi ministri.
Duke folur për zbatimin e fazës së parë të projektit, Lamallari theksoi se nisja me 20 shkollat më të frekuentuara të Tiranës është një zgjedhje me rëndësi strategjike.
“Nuk është e rastësishme që këtë projekt, i cili është me plot kuptimin e fjalës një kapërcim epokal në garantimin e sigurisë në Shqipëri, e nisim me 20 shkollat më të frekuentuara të kryeqytetit. Siguria e një vendi nuk matet vetëm me statistikat e luftës kundër krimit, por edhe me aftësinë reale për të mbrojtur fëmijët tanë,” tha ai.

Kryeministri Edi Rama thotë se me monitorimin e rrugëve me kamera inteligjente do të rritet niveli i parandalimit të ngjarjeve kriminale. Rama mori shembull skemat tipike të atentateve, kur autorët pasi ekzekutojnë, largohen pa lënë gjurmë dhe djegin mjetet e përdorura në krime. Sipas tij, sistemi do të sinjalizojë në kohë reale se ku ndodhet makina.
Kryeministri tha po ashtu se policët do të pajisen me kamera trupi të cilat do të jenë të lidhura me qendrën e Komandës dhe Kontrollit të projektit Smart City. Edhe makinat me detyrime të papaguara do të detektohen nga sistemi inteligjent.
“Jo vetëm në shkolla, por edhe në të gjitha rrugët e vendit dhe komunitete. Sistemi informon në kohë reale për rrezikun, jo thjesht të ruajë një informacion që pastaj duhet të marrë duke hapur sistemin e duke nxjerrë informacionin kur fakti ka ndodhur. Nëse një thikë del nga xhepi, në cilindo vend publik, jo vetëm në shkolla, por edhe në rrugë, sistemi jep informacion në qendrën e monitorimit. Mund të jetë krejtësisht e parrezikshme, por mund të jetë edhe e rrezikshme,. Nëse një person në kërkim ka shumë mundësi të fshihet, sistemi e bën pothuajse të pamundur që në momentin e reagimit policia të mos dijë nga të drejtohet. Historia e makina që kryejnë akte krimi dhe pastaj gjenden të djegura, nuk mund të ndodhin më për shkak se sistemi e sheh makinën para se makina të ndalet. Informon se ku gjendet. Sistemi informon qendrën kur një makinë që nuk ka paguar detyrimet del nga parkimi dhe futet në rrugë. E kombinuar edhe me një element tjetër që kamerat e trupit do jenë të lidhura me qendrën dhe do jetë e pamundur që të bëhen lodra, isha deri këtu, shkova deri aty. Do bëjë që problemi i raportit etik mes punonjësit të policisë dhe një qytetari në makinë apo në rrugë, të adresohet në mënyrë sistemike. Jo se s’do ndodhë më asgjë, se kjo nuk ka ndodhur askund, por niveli i parandalimit do ritet në mënyrë eksponenciale, niveli i rreziqeve do ulet dhe zbulueshmëria e shkeljeve do rritet”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama tha se instalimi i kamerave inteligjente në 20 shkollat më të frekuentuara të Tiranës është përgjigjja ndaj vrasjes tragjike të Martin Canit pranë shkollës “Fan Noli”. Sipas tij, sistemi i ri do të mundësojë identifikimin dhe sinjalizimin në kohë reale të situatave me rrezik, duke e çuar parandalimin e incidenteve në një nivel tjetër.
"Të gjithë e kanë harruar vrasjen tragjike të një nxënësi të shkollës “Fan Noli”, e cila tronditi mbarë vendin dhe krijoi një situatë me versione të ndryshme të ngjarjes, me politizimin ekstrem të vdekjes dhe me gazetarinë e gjakut. Ndërkohë që Policia e Shtetit, Ministria e Arsimit dhe qeveria u vunë në shënjestër të spekulimeve, akuzave, sajesave e fabrikimeve, të cilat zgjatën jo pak dhe torturuan jo vetëm familjarët, por edhe gjithë opinionin publik, unë nuk e kam harruar, siç e harruan të gjithë ata që abuzuan deri në fund me atë tragjedi. E kujtoj çdo ditë duke ndjekur këtë projekt, që është përgjigjja jonë ndaj asaj tragjedie.
Një shtet nuk matet me çdo gjë që ndodh, sepse edhe në shtetet më të zhvilluara, me sistemet më të sofistikuara administrative, ka raste kur ndodhin ngjarje që trondisin mbarë opinionin publik. Por një shtet matet me mënyrën se si reagon.
Reagimi ynë në këtë rast është një reagim sistemik, i cili, edhe në nderim të kujtimit të një viktime të pafajshme, do të mundësojë që shumë fëmijë, të cilët potencialisht mund të jenë një ditë të rrezikuar, të mos kenë asnjë pasojë, pikërisht sepse ky reagim do të lërë pas një mekanizëm të sofistikuar teknologjik, që do të harmonizojë përpjekjet e institucioneve me aftësitë e inteligjencës artificiale. Kësisoj, do të mundësohet që parandalimi të ngrihet në një nivel tjetër. Keni nisur me zemrën e projektit, që është siguria në shkolla”, tha Rama.
Komente










