Një situatë sa qesharaka, por edhe për të vënë duart në kokë paraqet nëpërmjet një shënimi në rrjetet sociale kreu i Emergjencës Kombëtare Skënder Brataj. Ai tregon një histori të ndodhur mëngjesin e sotëm, teksa ishte në një dyqan ku merren shërbime telefonike. Brataj thotë se në një moment aty vjen dikush, të cilit më pas i kërkon të vendosë maskën, por ky i kthen 'se kam pirë gjysmë kilogrami raki dhe nuk më gjen gjë'.

Personi në fjalë duket se është ndikuar nga lajmet që qarkulluan në fillim të pandemisë, ndërkohë që Brataj tregon edhe një tjetër ngjarje, e cila ndodhi me vazjën që kryente shërbimin.

"Për të qeshur apo për të qarë?

Pa hyr te dera e dyqanit të telefonisë sot në mengjes dëgjova: Zotëri nuk shërbejme pa maskë. Keni shumë të drejte i thashë dhe vendosa maskën. Afrohem te banaku dhe shikoj që vajza maskën e vet e mbante mbi mjekër. Me fal zonjë, pse nuk e vendosni maskën? Na kanë dhënë urdhër të mos shërbejmë pa maskë zotëri! E kisha fjalën për ju zonjë. Kam xhamin ndarës zotëri më thotë zonja! Edhe unë e kam xhamin ndarës me ju zonjë i them. Ndërkohë hyn nje qytetar pa maskë me lekët në dorë. Më boj një karikim telefoni 1100 lek goce se jam vonë. Zotëri nuk shërbejmë pa maskë i thotë vajza. Mushe se po dal ke dera thot zotëria dhe ndërkohë nuk po lëviste nga vendi. I drejtohem, zotëri të lutem ose gjeni një maskë ose dilni te dera i them. Hec o zotëri më thotë, kam pi gjysëm kile raki që në mëngjes, nuk më gje gjo mua!"-shkruan Skënder Brataj në 'facebook'.