Një SMS e kapur në telefonin e Kryeministrit gjatë seancës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga një numër tjetër telefonik fliste qartë për një ankesë gjithë revoltë të dërguesit. Në përpjekje për të zbuluar dërguesin dhe për të bërë publik shqetësimin e tij Shqiptarja.com kontaktoi numrin dhe personi që u përgjigj nga ana tjetër duke ruajtur me fanatizëm identitetin tha se ishte nga Vlora, madje një antar i Partisë Demokratike.

"Nuk ka rëndësi emri im mund t'ju them se pasi kam dërguar dhjetra letra kryeministrit dhe nuk mora përgjigje, nisa të dërgoj mesazhe telefonike në drejtim të tij. Nuk kam probleme pronash por vetëm një problem me punësimin tim. Kam qenë punonjës i Prefekturës së Vlorës dhe jam shkarkuar në kundërshtim me të gjitha ligjet nga njerëz të korruptuar. Ky ka qenë shqetësimi im, prandaj kam këmbyer dhe sms me kryeministrin", - është shprehur personi nga ana tjetër e telefonit.

Në tentativë për të siguruar identitetin e tij dhe një intervistë qytetari nga Vlora është shprehur se nuk dëshironte t'i bëhej publik emri dhe se të gjitha të dhënat për të i dinte shumë mirë kryeministri i vendit. Më pas nëpërmjet një sms-je dërguar gazetës ai ka shkruar se: "Unë ja kam dërguar Berishës disa sms për ato çka mendoj. Unë kam shumë miq gazetarë, por kam zgjehdur ti drejtohem direkt atij si kryeministër për çështjet në fjalë. Unë jam themelues i degës së PD-së së Vlorës. Sms-të ja kam dërguar Berishës edhe si kryetar i PD-së. Unë kam besim te institucioni I kryeministrit dhe ruaj besimin se do marr prej tij një përgjigje institucionale. Nëse do e gjej të nevojshme do kontaktoj vetë me ju. Faleminderit".

(im/shqiptarja.com)