Kryeministri Edi Rama është zhvendosur në Vlorë për fundjavë, ndërsa në qendër të vizitës janë disa takime me degët e partisë në këtë qark në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm. Kryetari i PS mbërriti pasdite në Vlorë, ndërsa takimet i nisi në shkollën profesionale ‘Pavarësia’ për të vijuar më pas me mbledhjen e asamblesë.

Në qendër të diskutimeve ka qenë analiza e zgjedhjeve të 2017 pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve të kryetarëve të organizatave socialiste për çdo qendër votimi. Organizimi po bëhet në kuadër të fushatës së 2019 në qytetin bregdetar. Rama ka lënë porosi për bazën që të angazhohet çdo anëtar i partisë në evidentimin e çdo vote të mundshme për të arritur një rezultat më të mirë në 2015. Ndërkohë ditën e shtunë do të vijohet me një tjetër axhendë kryesisht për investimet në qytetin e Vlorës. Po gjatë ditës së djeshme, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar të gjithë drejtorët dhe punonjësit e 61 bashkive të vendit se do të humbasin vendin e punës nëse nuk përmbushin objektivat. Duke folur për punësimin, shefi i ekzekutivit deklaroi se qeveria ka si objektiv punësimin e 25 mijë personave që kanë dalë nga ndihma ekonomike dhe që janë të gatshëm të punojnë.

Për çdo drejtor dhe punonjës në 61 bashkitë e vendit objektivat do të jenë të matshme dhe kush e arrin qëndron në punë, kush nuk e kap, i hap rrugën dikujt tjetër. Kemi objektivin e 25 mijë të punësuarve si punëkërkues që kanë dalë nga ndihma ekonomike ose jo, por që janë të gatshëm të punojnë. Do ketë dëshmorë, ky objektiv me patjetër të realizohet”, tha Rama. Më tej, Rama tha se do të trajnohen me pagesë të gjithë ata persona që duan të punojnë, por që kanë nevojë për një trajnim. Ai theksoi se çdo trajnim do të paguhet me gjysmën e pagesës së papunësisë dhe menjëherë pas trajnimit do të rekrutohen në punë. “Sfida e punësimit është e vështirë, fillon nga kapacitetet e vendit për punë, sa njerëz e kanë kualifikimin për punë. Kemi riformatuar skemën e punësimit, janë 10 mijë njerëz që duan të punojnë. Ne do t’i paguajmë ata që duan punë dhe janë të gatshëm që për të marrë punën të trajnohen. Do t’i paguajmë më shumë se sa mesataren e ndihmës ekonomike, me gjysmën e pagesës së papunësisë. Në vend se të rrinë në shtëpi, mund të marrin pagesën dhe të shkojnë të trajnohen. Menjëherë pas trajnimit personi do rekrutohet në punë.  

Kryeministri Edi Rama