Sofja refuzon kërkesën e Shkupit për kërkim-falje për deportimin e hebrenjve

Sofja refuzon kërkesën e Shkupit për kërkim-falje për deportimin e hebrenjve

Portretet e viktimave hebreje brenda Qendrës Memoriale të Holokaustit në Shkup

Autoritetet bullgare nuk pajtohen me qëndrimin e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, se Sofja duhet të kërkojë falje për deportimin e hebrenjve në vitin 1943 nga territori i Maqedonisë së atëhershme për në kampin shfarosës Treblinka në Poloni.

Sofja njeh faktin e dëbimit të hebrenjve nga territoret që ishin nën kontrollin e saj në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, por jo përgjegjësinë për të. Çdo vit në mars, ajo përkujton vetëm shpëtimin e hebrenjve, por jo edhe përgjegjësinë për dëbimin dhe vrasjen e mijëra të tjerëve në kampet e përqendrimit.

Presidenti bullgar, Rumen Radev, ka marrë pjesë në manifestimin përkujtimor në Sofje për shpëtimin e hebrenjve bullgarë, por nuk ka nderuar kujtimin e të dëbuarve.

“Përpjekjet për të fajësuar janë një manifestim i mungesës së respektit për hebrenjtë e shpëtuar dhe për veprën morale të Bullgarisë së vogël gjatë Luftës së Dytë Botërore”, deklaroi Radev, në fjalimin e tij, por pa hyrë në detaje lidhur deportimin e hebrenjve.

Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, tha të dielën se për të pasur pajtim duhet të kërkohet falje për rolin e qeverisë profashiste të Sofjes në atë kohë në deportimin e hebrenjve nga territori maqedonas.

“Drejtësi do të thotë të njohësh dhe emërtosh të vërtetën që ajo të respektohet nga të gjithë. Që të ketë pajtim, duhet kërkuar falje për rolin e qeverisë profashiste në atë kohë në Sofje në dëbimin e hebrenjve maqedonas”, tha Pendarovski, në manifestimin e mbajtur në Shkup kushtuar 80-vjetorit të dëbimit dhe vrasjes të hebrenjve.

Eurodeputeti bullgar, Angel Xhambaski, që në publik në disa raste ka demonstruar pretendime territoriale dhe gjuhë urrejtjeje me hartën e Bullgarisë së Madhe dhe me pikëpamjet se Maqedonia e Veriut është Bullgari, shkroi në rrjetet sociale se Pendarovski me këtë kërkesë ka treguar “arrogancë skandaloze antibullgare”.

Xhambaski shkroi se autoritetet në Shkup po përpiqen të mohojnë, sipas tij, meritën e padiskutueshme historike të kombit bullgar, i cili kundërshtoi Hitlerin dhe shpëtoi hebrenjtë në Bullgari.

“Të fajësosh vetëm Bullgarinë për deportimin e hebrenjve nga Maqedonia e Veriut para 80 vjetësh është joserioze”, tha Angel Dimitrov, bashkëkryetar i Komisionit të Përbashkët për Çështje Historike dhe Arsimore ndërmjet Shkupit dhe Sofjes.

Në një intervistë për agjencinë bullgare të lajmeve, BTA, Dimitrov tha se një deklaratë e tillë është jo vetëm e papranueshme, por edhe e pasaktë, sipas tij.

“Të flasësh kështu për Bullgarinë është jashtëzakonisht e papranueshme, madje e pasaktë nga një politikan me përgjegjësi të madhe, qëllimi i të cilit duhet të jetë vendosja e marrëdhënieve të mira diplomatike mes dy vendeve tona”, u shpreh Dimitrov.

Një vizitor në Muzeun e Holokaustit në Shkup, ku janë vendosur portretet e hebrenjve që vdiqën në kampin e përqendrimit Treblinka. Ai tha se mbi 10.000 hebrenj me ndihmën e përfaqësive diplomatike bullgare në Evropë arritën të merrnin dokumente dhe përmes Bullgarisë të merrnin rrugën e shpëtimit.

"T'i atribuosh fajin Bullgarisë është joserioze, sepse deportimi u bë me urdhër dhe nën kontrollin e përfaqësuesve të Gjermanisë naziste", deklaroi Dimitrov për agjencinë e lajmeve BTA.

“Atëherë nuk kishte shtet maqedonas, ata ishin qytetarë të Jugosllavisë. Dhe Jugosllavia jo vetëm që po dëbonte hebrenjtë e saj, por mburrej se ishte vendi i parë që zgjidhi çështjen hebraike. Në territorin e Serbisë ka kampe përqendrimi, në të cilat hebrenjtë vendas janë shfarosur në masë”, u shpreh Dimitrov.

Por, ndryshe nga Dimitrov, një historian tjetër bullgar, Mihail Ivanov, e mbështeti thirrjen e Pendarovskit drejtuar zyrtarëve bullgarë për kërkim të faljes për depërtimin e hebrenjve.

Efraim Zurof, historian izraelit nga SHBA-ja, ishte i pranishëm në Shkup në manifestimin e 80-vjetorit të Holokaustit. Ai tha për mediat në Shkup se hulumtimet që ka bërë, dëshmojnë se “deportimi i hebrenjve nga Maqedonia e atëhershme është bërë nga Bullgaria fashiste”.

“Unë e kam hulumtuar këtë situatë, të kaluarën me Holokaustin në Maqedoni dhe e di shumë mirë se kush është përgjegjës për deportimin e hebrenjve nga Shkupi, Manastiri dhe Shtipi. Në Treblinka u dërguan 11.343 hebrenj dhe asnjë prej tyre nuk është kthyer. Njerëzit përgjegjës për këtë janë okupatorët bullgarë. Ata i kanë bërë deportimet. Ata e bartin përgjegjësinë për këtë krim të tmerrshëm”, deklaroi Zurof.

Goran Sadikaroi, drejtor ekzekutiv i Fondit të Holokaustit të Hebrenjve të Maqedonisë së Veriut, tha për Radion Evropa e Lirë se deportimi i hebrenjve është bërë nga autoritetet bullgare, të cilat gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin rreshtuar përkrah Gjermanisë fashiste.

“E vërteta është një. Është fakt i pamohueshëm se Bullgaria në vitin 1941 e ka okupuar Maqedoninë pas çka edhe kanë filluar dëbimet dhe vrasjet masive të hebrenjve”, theksoi Sadikaroi.

Sipas tij, më 11 mars të vitit 1943 ushtria dhe policia bullgare me dhunë i ka dëbuar hebrenjtë nga shtëpitë e veta dhe më 22, 25 dhe 29 mars ata u deportuan nga Maqedonia e atëhershme në kampin shfarosësh nazist në Treblinka. Nga Maqedonia u deportuan 7.144 hebrenj dhe asnjë prej tyre nuk u kthye i gjallë./ REL

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!