Komentin e tij për ngjarjen e 21 Janarit, vendimin e Strasburgut për hetimin e të gjithë zinxhirit komandues në atë ngjarje, zbardhjen e plotë, si dhe hetimet e nisura nga SPAK, e dha edhe eksperti i sigurisë, Fatjon Softa.
Duke folur për emisionin “Studio Live” në Report TV, ai shprehu keqardhjen që ngjarja mbetet ende plagë e hapur dhe hetimet nuk kanë shkuar ende deri në fund apo çështja është zvarritur.
Softa e vë theksin tek verifikimi i të gjithë procedurave të ndjekura, që nga leja e dhënë për protestën dhe deri te analiza e komunikimeve të regjistruara në radio që ekzistojnë, për të zbardhur përgjegjësitë, veprimet dhe mosveprimet në atë kohë.
Gjithashtu vuri theksin te fakti se 21 Janari tashmë është bërë betejë politike mes palëve, ku çdo vit një krah justifikohet dhe tjetra vendos trëndafila te vendi i ngjarjes. Por Softa mendon se duhet të pyeten të gjithë personat që kanë pasur lidhje me ngjarjen dhe veçanërisht ata që kishin akses te kamerat e sigurisë apo ata që dhanë urdhrat sipas zhvillimeve të çdo momenti.
“Më vjen keq që sa herë vjen 21 Janari i rikthehemi çështjes. Dosja është rihapur fal Strasburgut, dosje voluminoze që kërkon të rikthejë hetimin në SPAK për zinxhirin komandues. Nuk është e thjeshtë për shkak të kohës dhe numrit të personave dhe më shumë sesa për drejtësinë është kthyer betejë politike, që duket se do të zgjasë derisa të marrë zgjidhje. 21 Janari është plagë e hapur. Objektet e rëndësisë së veçantë ruhen nga Garda. Jashtë gardhit është Policia e Shtetit. Ka plan masash në nivel të lartë, me bashkëveprim të Policisë dhe Gardës për perimetrin jashtë dhe brenda, me detyra të ndara. Pati një moment me makinën që goditi gardhin dhe deri në hapjen e derës, u thye perimetri, u tha se kishte lëndë plasëse. U ekspozuan protestuesit me Gardën e Republikës, të cilët ishin të pajisur me armë zjarri”, u shpreh eksperti.
Por sipas tij duhet ndjekur një plan i qartë hetimi dhe procedurash për rastin, që t’i shkohet deri në fund, duke vënë theksin tek komunikimet në radio, pasi bisedat janë të regjistruara.
“Hetimi të nisë nga plani i masave, instruktazhi, veprimet e ndjekura, komunikimet mes tyre, radiot, kanë qenë të regjistruara të gjitha dhe analizohen të gjitha komunikimet dhe mbahen përgjegjësitë dhe për veprime e mosveprime”, shpjegon ai.
Por një ndër pikat më të rëndësishme ishte edhe fshirja e serverit në Kryeministri. Softa mendon se ky veprim është kryer nga personat që kanë pasur aksesin për të hyrë te dhomat dhe për të kryer veprimet.
“Pastaj janë serveri, sepse është fshirë, janë fshirë pamjet dhe regjistrimet, ato janë në salla të veçanta. Duhet të hetohen personat përgjegjës që hynin e dilnin atje, që kishin akses. Fshirja e tyre është bërë nga njerëz ekspertë të fushës dhe ata që kanë pasur aksesin apo autorizimin. Të drejtën e kanë ekspertët e IT dhe personat e autorizuar për të hyrë në dhoma”, shprehet Softa.
Lajmi kryesor: