Protesta e dhunshme e PD-së në 28 shkurt, ku militantët e Berishës sulmuan me molotovë vilën e Enver Hoxhës dhe rrezikuan jetët e artistëve që ndodheshin brenda saj, çoi në shkarkimin e Ilir Prodës si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Sot është zyrtarizuar lirimi nga detyra i Ilir Prodës, me firmën e kryeministrit Edi Rama. Vendimi i publikuar në Fletoren Zyrtare i hap rrugë hapjes së garës për drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë, i cili do të zgjidhet me konkurs.

Proda u shkarkua me pretendimin se nuk siguroi jetët e qytetarëve gjatë protestës, ndërkohë që në vend të tij u emërua zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Sokol Bizhga.

Ndërkohë Report TV ka siguruar ditën e sotme urdhrin e Ministres së Brendshme, Albana Koçiu për komandimin e Bizhgës si drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Kujtojmë se gjatë protestës së PD-së në 28 shkurt u hodh një sasi e madhe molotovi në vilën e Enver Hoxhës, sot qendër artistike ku brenda saj ndodheshin disa artistë, duke rrezikuar seriozisht jetët e këtyre të fundit.

Lidhur me ngjarjen pati reagim edhe nga delegacioni i BE-së në Shqipëri, si dhe nga disa ambasada të vendeve të Bashkimit Europian në Tiranë, të cilët dënuan dhunën në protestën e Berishës.