TIRANË - Sokol Çomo, anëtari aktual i KLD pritet të jetë emri favorit për të zëvendësuar nënkryetarin Elvis Çefa.
 
Kuvendi ka nisur procedurat për shkarkimin e këtij të fundit dhe të anëtarit tjetër Lulzim Lelçaj, për të cilët të enjten votohet në Kuvend për ngritjen e një Komisioni hetimor që do të hetojë shkeljet e tyre në KLD.
 
Dhe pse emri i Sokol Çomos mund të duket i parakohshëm, kur ende ky komision nuk ka nisur punën në Kuvend, A1 Report ka mësuar se në radhët e mazhorancës, ai është kandidati i preferuar për këtë pozicion.
 
Vetë grupi parlamentar i PS e propozoi këtë kandidaturë për anëtarë të KLD, e cila u votua më pas në Kuvend. Madje mazhoranca ka avancuar dhe më tej duke e bërë fakt të kryer shkarkimin e Lelçaj dhe Çefës, teksa ka menduar dhe për kandidatët favorizues për t’i zëvendësuar ato. Emri i përfolur është ai i ish-ministrit të marrëdhënieve me Kuvendin Ilirjan Celibashit.
 
Por ajo që duhet të mendojë mazhoranca është mbështetja e Çomos brenda KLD kur sipas ligjit, nënkryetari duhet të zgjidhet nga Këshillit i Lartë i Drejtësisë, me propozime që sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë duhet të vijnë nga Presidenti Bujar Nishani që ështe aktualisht edhe kryetar i këtij institucioni.
 
Ky I fundit ka minimizuar mbështetjen brenda radhës së KLD që do të thotë se propozimet e tij nuk do te gjenin akses brenda vetë anëtarëve. Presidenti ka të drejte të zgjedhë për nënkryetar një nga tre anëtaret e KLD të zgjedhur nga Kuvendi.
 
Ajo që pritet të enjten në Kuvend është konstituimi i komisionit hetimor qe kryetar do të ketë Armando Subashin. A1 Report ka arritur të mësojë se Subashit i është lënë besimi për të konstatuar shkeljet e Çefaj dhe Lelçajt, te evidentuara tashmë dhe në kërkesën e 39 deputetëve të Kuvendit.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)