Ecuria si askush tjetër në 4 ndeshjet e para në krye të Real Madrid duket se ka bindur Fiorentino Perezin për t’i besuar përfundimisht Santiago Solarit drejtimin e Real Madrid. Argjentinasi u emërua trajner i përkohshëm i ‘mbretërorëve’ më 30 tetor pas shkarkimit të Lopetegit dhe në dy javë i ka mahnitur të gjithë. Në 360 minuta lojë Reali i Solarit ka marrë 4 fitore, ka shënuar 15 gola dhe ka pësuar vetëm dy.
Sipas mediave spanjolle shifrat mbi të gjithë kanë bindur presidentin Perez, që do t’i ofrojë Solarit një kontratë deri më 30 qershor të 2020. Në këtë mënyrë bie hipoteza Conte e cila qëndronte si hije e Lopetegit që nga fillimi i sezonit. Vetë trajneri italian në një intervistë të fundit për mediat e vendit të tij fillimisht ka deklaruar se do të qëndrojë pushim këtë sezon, ndërsa më pas i është përgjigjur kapitenit Sergio Ramos që nuk e donte te Real Madrid. Për këtë çështje Conte është shprehur:
“Kur një trajner i ri vjen në skuadër ai sjellë edukatë dhe respekt, diçka e cila duhet të mirëpritet nga lojtarët. Kur kjo nuk ndodh më pas fillojnë problemet.”
Në Itali ndërkohë Juventusi ka vendosur një rekord absolut në “Seria A”. “Zonja e vjetër” në dymbëdhjetë javë kampionat ka grumbulluar 34 pikë, diçka e cila nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Janë 11 fitore, e fundit kundër Milanit dhe vetëm 1 barazim, i arritur kundër Xhenoas.
Më parë e mbanin rekordin Napoli dhe Roma që në dy sezone të ndryshme ishin ndalur në 32 pikë, ndërkohë që Juventusi në të gjithë historinë nuk kishte shkuar më shumë se 30 pikë.
Në 7 sezonet e fundit kur Juventusi është shpallur kampion më i dobëti ka qenë ai i 2015-2016, ku në 12 javë kampionat bardhezinjtë grumbulluar 18 pikë. Që nga ky moment Juventusi nisi një seri me 15 fitore radhazi që në fund ndikuan për të marrë titullin kampion të radhës.
Komento