SOMALI- Lideri i organizatës islamike Al-Shabaab, me veprimtari në territorin somalez, Ahmed Abdi Godane, raportohet të jetë vrarë gjatë një sulmi ajror të forcave ushtarake të SHBA.

Godane ishte lideri i Al-Shabaab, organizatë kjo që dyshohet të jetë autor i një sulmi terrorist vitin e kaluar në një qendër tregtare në Kenia, ku humbën jetën 68 persona dhe u plagosën 200 të tjerë.

Gjatë sulmit ajror të forcave të SHBA, së bashku me Godane, kanë mbetur të vrarë dhe 10 militantë islamik të tjerë. 

Vetë presidenti amerikan Obama, gjatë samitit të NATO-s që po mbahet ne Uellsit, deklaroi se ky sulm i suksesshëm është shembull i mësymjes së administratës së tij kundër terrorizmit.

“Ne kemi qenë tepër sistematik dhe metodikë në luftën kundër organizatave të tilla që kanë kërcënuar personelin e SHBA-ve dhe vendin tonë.

Kjo na lejon ta bëjmë në mënyrën e duhur, por nuk kemi asnjë dyshim: Ne do të vazhdojmë atë që është e nevojshme për të mbrojtur qytetarët amerikan.”- deklaroi Presidenti Obama gjatë samitit të Uellsit.

Pentagoni e ka konfirmuar sulmin ajror ndaj një kampi të Al-Shabaab qysh nga e hëna, por lajmin mbi vrasjen e liderit Godane e ka konfirmuar vetëm sot. Departamenti Amerikan i Shtetit e ka klasifikuar Al-Shabaab si organizatë terroriste qysh nga Shkurti i vitit 2008.

Redaksia Online
(e.n/shqiptarja.com)