Shumica e anëtarëve të Partisë Laburiste thonë se nuk besojnë që Keir Starmer mund ta rikthejë partinë në rrugën e suksesit, ndërsa 45% mendojnë se kryeministri duhet të japë dorëheqjen.

Kryebashkiaku i Greater Manchester, Andy Burnham, rezultoi zgjedhja e parë për 42% të anëtarëve që u pyetën për pasardhësin e preferuar në drejtimin e partisë.

Sondazhi u zhvillua pak para zgjedhjeve të së enjtes, ku Laburistët garonin në disa fronte: në zgjedhjet lokale në Angli dhe në zgjedhjet parlamentare në Uells dhe Skoci. Reform UK e Nigel Farage fitoi qindra vende dhe mori kontrollin e më shumë këshillave bashkiakë në Angli; Laburistët humbën terren në Skoci, ku SNP arriti një fitore historike të pestë radhazi; ndërsa Plaid Cymru i dha fund një dominimi shekullor të Laburistëve në Uells, duke rrëzuar kryeministren laburiste Eluned Morgan.

Në Londër, Partia e Gjelbër fitoi disa këshilla bashkiakë në kryeqytet, një sinjal i rritjes së zhgënjimit progresist ndaj partisë së Keir Starmer.

Mes anëtarëve, sondazhi tregoi se Burnham ka një nivel pëlqyeshmërie neto prej 72%, çka sugjeron se ai do të kishte shumë gjasa të fitonte çdo garë për drejtimin e partisë ku do të lejohej të kandidonte. Burnham nuk mund të kandidojë për sa kohë nuk i jepet mundësia të garojë për Parlamentin, gjë që është bllokuar nga Komiteti Ekzekutiv Kombëtar i Laburistëve (NEC).

Sondazhi me më shumë se 1 mijë anëtarë të partisë tregon një rritje të fortë të pakënaqësisë ndaj drejtimit të Starmer. Në tetor, vetëm 28% mendonin se kryeministri duhet të largohej nëse Laburistët do të kishin rezultate të dobëta në zgjedhjet e majit.

Më shumë se një e treta e anëtarëve të pyetur thanë se po konsideronin të hiqnin dorë nga anëtarësia në parti, sipas sondazhit të realizuar nga organizata Compass.

Kjo organizatë është e lidhur me Mainstream, një grupim brenda Laburistëve që mbështet fuqishëm një kandidim të mundshëm të Burnham për drejtimin e partisë.

Sondazhi tregoi se më shumë se gjysma e anëtarëve laburistë (51%) nuk besojnë se Starmer mund ta përmbysë situatën në sondazhe, duke treguar mungesë besimi se ai mund të mposhtë Reform UK në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.

Por Starmer nuk është i vetmi objektiv i zemërimit të anëtarëve. 49% thanë se përgjegjësia për rezultatet e dobëta ndahet mes kryeministrit dhe qeverisë qendrore. Nga të anketuarit, 36% kishin menduar të anulonin anëtarësinë në parti.

Zëvendësdrejtoresha e Compass, Lena Swedlow, deklaroi:

“Votuesit e shprehën pakënaqësinë ndaj drejtimit të Starmer të enjten dhe tani këtë po e bëjnë edhe anëtarët e Laburistëve. Gati gjysma duan që ai të largohet dhe më shumë se gjysma nuk mendojnë se ai është njeriu i duhur për këtë detyrë.

Përballë një situate shumë serioze ekonomike brenda dhe jashtë vendit, është thelbësore që vendi dhe partia të kenë një lider tek i cili mund të besojnë. Ka një dëshirë të qartë për ndryshim, si në politikë ashtu edhe në drejtimin e kësaj qeverie. Kryerja e këtyre ndryshimeve në mënyrë të rregullt, të matur dhe të menduar mirë do të jetë vendimtare për stabilitetin dhe prosperitetin e vendit.”

Mbështetësit e Burnham në Parlament shpresojnë që duke rritur presionin ndaj Starmer dhe figurave të larta të partisë, kryeministri të vendosë një afat për largimin dhe që Burnham të mos pengohet më për të kandiduar për Parlamentin.

Kryebashkiaku kishte tentuar të kandidonte në zgjedhjet e pjesshme në Gorton dhe Denton, por u bllokua nga NEC me argumentin se partia nuk mund të përballonte humbjen e një zgjedhjeje për kryebashkiakun e Greater Manchester.

Të paktën 10 deputetë kanë kërkuar që kryeministri të vendosë një kalendar për largimin e tij, mes tyre ish-ministrja e Transportit Louise Haigh, kryetarja e komisionit parlamentar për gratë dhe barazinë Sarah Oëen, si dhe disa deputetë të zgjedhur në vitin 2024, përfshirë Jonathan Brash, Simon Opher dhe Connor Naismith.