Pas këtij momenti Lufta e shqiptarëve merr ngjyresa të tjera, ku shpesh ngre krye Lufta për pushtet.
Në një intervistë me historianen e njohur, Prof.asoc.Dr.Sonila Boçi, një prej studiueseve më skrupuloze të kësaj periudhe historike, zbërthejmë shumë pikëpyetje dhe enigma, duke krijuar një tablo më qartë të saj.
[gallery]19920[/gallery]
Nëse flasim për Luftën e Dytë Botërore ne Shqipëri, është me interes të zbulohen të gjithë anët e saj. Kush luftoi në krye të herës?
Nuk ka dyshim që çdo ngjarje historike duhet parë në kompleksitetin e saj dhe e kushtëzuar nga rrethanat kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare. Sa i takon Luftës së Dytë Botërore, me gjithë botimet interesante të kohëve të fundit, të cilat hedhin dritë mbi këtë periudhë, narrativa historike dhe ligjërimi publik vazhdojnë të jenë të përqendruar mbi një tematikë të kufizuar kryesisht mbi aspektet politike. Por edhe këto nuk janë trajtuar në mënyrë shteruese. Kështu, pak të trajtuara janë fillimet e pushtimit italian, rezistenca e hershme shqiptare ndaj Italisë së Musolinit; e varfër është bibliografia edhe për territoret shqiptare që iu bashkuan Shqipërisë politike më 1941. Ndërkohë nuk kemi fare studime të karakterit socio-ekonomik për këtë periudhë. Sa i takon pyetjes suaj se kush luftoi në krye të herës, mendoj se është i njohur reagimi i shqiptarëve në Tiranë, Korçë, Vlorë e gjetkë ndaj rrezikut të pushtimit italian që në ditët e para të prillit 1939. Gjithashtu është e njohur rezistenca që i bënë zbarkimit italian forcat e xhandarmërisë shqiptare të drejtuara nga majori Abaz Kupi në portin e Durrësit. Ishin 11 shqiptarë që humbën jetën në këto luftime të para. Kjo do të thotë se shpirti i rezistencës ka ekzistuar që me fillimet e pushtimit italian, por sa e organizuar dhe e orientuar ka qenë, kjo është një çështje tjetër.
Si ishte situata e rezistencës menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë?
Pushtimi italian i Shqipërisë e vendosi elitën intelektuale dhe popullsinë para zgjedhjeve të vështira dhe imediate. Një pjesë zgjodhën të bashkëpunonin ngushtësisht me pushtuesit. Disa për qëllime thjesht dhe vetëm personale, të tjerë pasi besonin se nën ombrellën italiane mund të zhvillohej vendi dhe të zgjidhej çështja kombëtare. Dinjiteti i një vendi sovran nuk ishte një gjë dhe aq e rëndësishme për këtë grup. Disa zgjodhën të ishin indiferentë, ca të tjerë të prisnin zhvillimin e ngjarjeve.
Kishte të tjerë që zgjodhën t’i rezistonin pushtuesit në emër të atdheut dhe antifashizmit. Kjo rrugë nuk ishte aspak e lehtë për disa arsye. Së pari, gjatë viteve 1939-1941, për shkak të planeve të tyre për ekspansion të mëtejshëm në Ballkan, pushtuesit italianë ndoqën një politikë të zgjuar për t’u miqësuar me shqiptarët. Duke trumbetuar se kishin ardhur për të shpëtuar vendin nga “regjimi satrap i Zogut”, ata bënë ç’është e mundur për të fituar simpatinë e shqiptarëve. Shpallën një amnisti për të dënuarit politikë; lejuan të ktheheshin në Shqipëri emigrantët politikë të larguar gjatë qeverisjes së Zogut. Ndonëse ndjekjet dhe përgjimet e antifashistëve filluan që të nesërmen e vendosjes së administratës italiane të pushtimit, ajo u tregua shumë selektive në përdorimin e “dorës së fortë”. Miklimi i ndjenjave kombëtare dhe nxitja e nacionalizmit shqiptar ishte një tjetër linjë e politikës së pushtuesve italianë. Po kështu ishte edhe paraqitja e një programi ambicioz për zhvillimin urban dhe ekonomik të Shqipërisë, zbatimi i të cilit filloi që në verën e vitit 1939.
Së dyti, mungonte organizimi i elitës politike dhe intelektuale shqiptare, gjë që e bënte të vështirë rezistencën e menjëhershme ndaj pushtuesit. Grupet komuniste ishin të përçara dhe pa një qëndrim të unifikuar. Nëse u referohemi kujtimeve të Koço Tashkos, komunistët në këto fillime përcaktuan si linjë politike punësimin në strukturat shtetërore të pushtuesit, duke menduar se kështu mund ta sabotonin atë nga brenda. Edhe antifashistët jo komunistë, si: Bahri Omari, Kol Tromara, Faik Quku etj. pranuan postet qeveritare që u ofroi pushtuesi dhe nuk dolën hapur si një organizatë rezistence. Në fillimet e pushtimit, nuk pati asnjë grupim politik të aftë për t’u bërë promotor i rezistencës.
Në këto kushte ishte rinia shkollore, mbështetur edhe nga profesorët e tyre, të inspiruar nga atdhetarizmi dhe antifashizmi, që gjetën mjete dhe forma të ndryshme për t’i rezistuar pushtuesit. Rezistenca e tyre përfshinte që nga bojkotimi i lëndëve të reja profashiste, të përfshira rishtazi në programet shkollore, deri në kthimin e mitingjeve populiste të pushtuesit, në protesta popullore kundër tij. Të tilla ishin p.sh. demonstratat e zhvilluara me rastin e 28 Nëntorit në vitet 1939 dhe 1940. Nxënësit dhe mësuesit e gjimnazit të Tiranës, Institutit femëror “Nëna Mbretëreshë”, të Liceut Francez të Korçës etj. devijonin mitingjet qeveritare të organizuara me rastin e festës kombëtare dhe i kthenin ato në protesta kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste. Pushtuesit iu përgjigjën menjëherë këtyre organizimeve duke përjashtuar nga shkollat disa prej pjesëmarrësve në demonstrata, duke pushuar nga puna mësues dhe duke internuar në Itali shumë mësues e nxënës. Në “listat e zeza” të pushtuesve ishin si Safet Butka, ashtu dhe Qemal Stafa, si Enver Hoxha e Pëllumb Dishnica, ashtu dhe Fazlli Frashëri.
Kur nisi realisht rezistenca e organizuar e shqiptarëve dhe a lidhet ajo me daljen në skenë të PKSH-së dhe të Ballit Kombëtar?
Viti 1941 shënoi intensifikimin e rezistencës dhe fillesat e organizimit të saj. Kjo lidhet sa me zhvillimet e brendshme, aq edhe me ato ndërkombëtare. Në planin e brendshëm, faktor i rëndësishëm ishte kriza që pasoi dështimin italian në fushatën kundër Greqisë. Ai jo vetëm i dha një grusht të rëndë prestigjit të pushtuesve italianë, por u pasua nga një kriza ekonomike dhe ulje e investimeve italiane, gjë që rriti ndjeshëm pakënaqësitë e shqiptarëve ndaj Italisë së Musolinit. Në këtë kohë filloi të ngjizej embrioni i qëndresës së armatosur. Në dokumentacionin e MPB dhe Drejtorisë së Policisë përmenden shqetësimet dhe aktet e sabotazhit të çetave të Myslim Pezës, Abaz Kupit dhe Ismail Petrelës në zonën e Tiranë, Mestan Ujanikut në Skrapar, Haxhi Lleshit në zonën e Dibrës, Baba Faja Martaneshit në zonën e Martaneshit, Tele Baçit në zonën e Korçës e shumë të tjera.
Së dyti, sulmi ndaj Bashkimit Sovjetik ishte vendimtar në nxitjen e procesit e bashkimit të komunistëve shqiptarë në një parti të vetme komuniste dhe për t’i dhënë hov rezistencës së drejtuar nga PKSH-ja. Kjo, nën kujdesin dhe orientimet e të dërguarve të PKJ-së, i dha rëndësi krijimit të një fronti të gjerë popullor, në të cilin fillimisht arriti të përfshinte edhe mbështetës të monarkisë, si Abaz Kupin, por edhe nacionalistë të tjerë, si Kamber Qafmollën, Ndoc Çobën etj.
Krijimi i grupimeve politike, PKSH/Frontit Nacionalçlirimtar dhe Balli Kombëtar sigurisht i dha rezistencës karakter më të organizuar, por edhe krijoi sfida të reja për të. Sfida kryesore ishte përfshirja e një masë të madhe të popullsisë në rezistencën kundër pushtuesit, duke rritur njëkohësisht dhe mbështetësit për secilën organizatë. Vështirësia shtohej edhe për shkak të represionit gjithnjë në rritje të pushtuesit dhe bashkëpunëtorëve të tij vendas. Represioni shtohej në proporcion të drejtë me rritjen e rezistencës të zhvilluar si nga komunistët, ashtu dhe nacionalistët. Mustafa Kruja, i zgjedhur nga Mëkëmbësi i Përgjithshëm, Francesco Jacomoni si nacionalist dhe intelektual për të ripajtuar shqiptarët me pushtuesin, përdori “dorën e fortë” për të shtypur rezistencën, duke zbatuar gjerësisht dënimin me vdekje për komunistët dhe antifashistët.
Pse themi që në njëfarë rruge Balli Kombëtar dhe Partia Komuniste kanë qenë të unifikuar në qëndrimin ndaj pushtuesit? Deri ku zgjat ky moment?
Si PKSH/FNÇ, ashtu dhe Ballin Kombëtar i bashkonte antifashizmi, të dyja palët ishin të rreshtuara në frontin kundër pushtuesit italian, pavarësisht se mjetet dhe metodat për zhvillimin e rezistencës kundër tij ndryshonin dukshëm. PKSH/FNÇ ishte i vendosur në organizimin e rezistencës, ndërsa Balli Kombëtar nuk ishte i unifikuar në lidhje me këtë çështje. Një pjesë e tij ishin për të mbajtur një qëndrim pritës, ndërkohë që të tjerë ishin më të vendosur në organizimin e saj. Si PKSH/FNÇ, ashtu dhe Balli Kombëtar, kishin të njëjtën zonë veprimi dhe mbështetjeje, kryesisht Shqipërinë e Jugut dhe më pak në atë të Mesme. Të dyja organizatat mbështeteshin mbi të njëjtat burime financimi: ndihmat e popullsisë (financime, ushqime, strehë etj.), si dhe sulmet ndaj depove të armikut. Sa i takon raportit të forcave ushtarake mes tyre, nëse u referohemi të dhënave të raporteve britanike të muajve prill-maj 1943, ai duket se anonte disi nga çetat e organizuara nën siglën e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, por gjithsesi kishte një ekuilibër goxha të qëndrueshëm. Kjo situatë e balancuar e bënte të domosdoshme për të dyja palët gjetjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi, gjë që rezultoi shumë e vështirë.
Marrëdhëniet ndërmjet FNÇ-it dhe Ballit Kombëtar, në gjysmën e parë të vitit 1943, ndryshonin nga qarku në qark në varësi të mbështetjes që kishin grupimet në secilin qark, por edhe sjelljes së drejtuesve lokalë. Në zonën e Vlorës dhe Gjirokastrës, ku të dyja organizatat kishin mbështetës të shumtë dhe ndiheshin të fuqishme, përplasjet ishin më të shumta dhe më të hershme. Në ditët e para të shkurtit 1943, një incident i ndodhur në Fushë-Bardhë të Gjirokastrës mes çetës partizane, të komanduar nga Dilaver Poçi, dhe asaj të Ballit Kombëtar, të drejtuar nga Jonuz Topulli, mund të kishte përfunduar në përleshje mes dy grupimeve, nëse nuk do të kishin ndërhyrë si krerët lokalë të Ballit, ashtu dhe KQ i PKSH-së. Një tjetër panoramë e marrëdhënieve mes FNÇ-it dhe Ballit Kombëtar na shfaqet në qarkun e Beratit në fillim të vitit 1943. Marrëdhëniet e çetave partizane të kësaj krahine me Abaz Ermenjin ishin mjaft bashkëpunuese, madje flitet dhe për krijimin e një “komisioni lufte” të përbashkët.
Në nivel qendror, të dyja organizatat kishin shfaqur dëshirën për të bashkëpunuar me njëra-tjetrën. Sa i takon PKSH, ajo ishte e detyruar të vepronte sipas direktivave të Kominternit, të cilat i solli rreth muajit dhjetor 1942 i dërguar i Titos, Bllazho Jovanovic. Ato flisnin për krijimin dhe forcimin e frontit nacionalçlirimtar me të gjithë patriotët shqiptarë, duke evituar parullat që dilnin jashtë kuadrit nacionalçlirimtar të Shqipërisë, si dhe përfshirjen në luftë të sa më shumë patriotëve dhe nacionalistëve të ndershëm. Menjëherë pas këtyre direktivave, Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dërgoi tre përfaqësues për të biseduar me krerët e Ballit Kombëtar. Bisedimet ngecën në modalitetet e arritjes së bashkëpunimit. PKSH-ja kërkonte ta përfshinte Ballin si organizatë në Frontin Nacionalçlirimtarë, të ngritur sipas vendimeve të Konferencës së Pezës. Balli, nga ana e tij, nuk e njihte Konferencën e Pezës dhe nuk e konsideronte Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe gjithë strukturën organizative që ishte krijuar në bazë të tij si një front popullor. Për të, në Shqipëri ekzistonte vetëm PKSH-ja dhe Balli Kombëtar dhe, nëse do të arrihej një bashkëpunim, ky do të ishte në baza dualiste. Të gjitha propozimet e bëra nga PKSH-ja për të përfshirë Ballin në Frontin Nacionalçlirimtar, qoftë dhe duke e rimodeluar atë, hasën në kundërshtimin e krerëve nacionalistë. Në fillim të vitit 1943, Balli Kombëtar propozoi të fillohej me bashkëpunimin e dy organizatave në nivel lokal duke u bërë, kështu, nxitësi i krijimit të komiteteve të koordinimit në nivel lokal.
Anëtarët e misionit britanik, Bill McLean dhe David Smiley së bashku me Osman Gazepin dhe vajzat e tij
Vijon nesër
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com