U bënë 3 vjet që kur mora në dorë për herë të parë librin "Tullumbacja e bardhë" të shkrimtares Rovena Rrozhani. Më pëlqeu sigurisht kopertina e mbushur me ngjyra të çelura e të ëmbla dhe me admirim nisa ta shfletoja. Për shkak të ditës së ngarkuar qëllimi ishte t'i hidhja një sy të shpejtë e ta lexoja më pas me qetësi. Dua të them sinqerisht çfarë më ndodhi ndërsa mbarova faqen e parë e pastaj të dytën...

Isha ende në këmbë, gati për të dalë nga shtëpia, por nuk vajta drejt derës, u ula dhe u përqendrova në lexim duke e lënë kështu të priste çdo angazhim tjetër. Tani me siguri ju do të pyesni a ka mundësi që një libër për fëmijë të arrijë të ketë këtë efekt te një i rritur!

Libri "Tullumbacja e bardhë" është sigurisht një libër shkruar dhe përshtatur për një grupmoshe relativisht të vogël (3 - 7 vjeç) por për arsye të caktuara, mjaft interesant e befasues parë edhe nga këndvështrimi i një të rrituri. Bën përshtypje që në faqet e para kujdesi dhe vëmendja e shkrimtares në përdorimin e çdo fjale apo vargu, në krijimin e çdo situate, duke arritur të tërheqë brenda rreshtave cilindo e merr në dorë.

"Tullumbacja", kështu më pëlqen ta quaj me përkëdheli, nuk është thjesht një përrallë zbavitëse e vetëm kaq. Në të njëjtën linjë me humorin, gjallërinë dhe larminë e ngjarjeve dhe të personazheve të cilët pikturohen aq bukur nga fjalët e zgjedhura me kujdes e zgjuarsi, mbetet e pranishme deri në faqen e fundit, ajo dëshira që gati-gati kthehet në padurim, për të mësuar përfundimin. Është një libër shkruar me një gjuhë të rrjedhshme, i lehtë për t'u përthithur nga fëmijët por në të njëjtën kohë i pasur me fjalor të zgjedhur e të dobishëm për moshat së cilave u drejtohet.

Tok me kureshtjen që s'rresht e të bën të mos e lëshosh librin nga dora, ndërthuren në çdo situatë të re që krijohet edhe vargjet e shkurtra që me rimat e bukura i dhurojnë edhe më fort librit, imagjinatë, ritëm, muzikalitet dhe gjallëri, faktorë këta shumë të rëndësishëm për të zgjuar dhe ruajtur te fëmijët dëshirën për të lexuar. Fantazia që shkrihet në çdo ngjarje e personazh përgjatë gjithë udhëtimit të vogëlushes Lili jo vetëm që shton kureshtjen, por u dhuron të vegjëlve në formë zbavitëse edhe mesazhe të rëndësishme si rëndësia e ndihmës së ndërsjelltë, e miqësisë së mirë, e forcës dhe kurajës për të mos u dorëzuar përpara vështirësive, mesazhe këto të cilat hyjne te të vegjlit me lirshmërinë, rrjedhën e natyrshme dhe bukurinë e një udhetimi përralle dhe ç'është më e rëndësishmja pa nota apo moralizime të sforcuara.

Nuk dua të zbuloj shumë nga ky libër, befasi për mua. Pa dashur të zgjatem, u këshilloj të gjithë prindërve ta marrin e ta lexojnë së bashku me fëmijët sepse argëtimi, kënaqësia dhe fantazia e bukur do të bëhen pjesë jo vetëm e të vegjëlve por dhe e tyrja. Jo më kot libri hyri në botimin e tij të dytë. Jam e bindur që botime të tjera do ta pasojnë sepse mendoj që "Tullumbacja e bardhë" është një nga ato përralla që do të lexohet ndër breza.