Futbolli italian rezervon sonte një tjetër akt spektakolar të derbit të Italisë pas atij të 16 ditëve më parë. Inter do të presë në San Siro Juventusin për gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë, me synimin për t’i shkuar deri në fund këtij kompeticioni, ndërsa ‘zonja e vjetër’ për t’u hakmarrë për atë humbje 2-0 në kampionat.

Në prag të supersfidës trajneri i Juventusit Andrea Pirlo është shprehur: ‘Humbja në Seria A kundër Interit në mësoi shumë. Na tregoi se kur nuk jemi në rrugën e duhur nuk jemi vetvetja. Tani e njohim më mirë kundërshtarin dhe trajnerin riva’.

Ndërkohë Antonio Conte, trajneri i Interit, i druhet motivimit për t’u hakmarrë nga Juventusi. Ish-futbollisti bardhezi la të kuptohet se fitorja e pak ditëve më parë e ka helmuar ‘zonjën e vjetër’.

Interi nuk do të ketë sonte të disponueshëm për shkak kartonash Romelu Lukaku-n dhe Achraf Hakimin, dy nga futbollistët më të spikatur. Për t’i zëvendësuar Conte ka zgjedhur Sanchez dhe Darmian, ndërsa Brozovic pritet të rikthehet në qendër në vendin e Eriksen.

Sakaq te Juventusi Buffon do të kthehet në portë nga minuta e parë, ndërsa në sulm Ronaldo do të mbështetet nga Kulusevski, me Morata-n i gatshëm për të ndërhyrë nga stoli në çdo moment. Ndeshja e kthimit Juventus-Inter do të luhet një javë më pas, me 9 shkurt në ‘Allianz Stadium’.