Mbrëmjen e sotme mbahet finalja e edicionit të 67-të të ‘Eurovision Song Contest’, kompeticionit më të ndjekur muzikor në Evropë. Pjesë e finales është edhe Shqipëria që u përfaqësua nga Albina dhe familja Kelmendi me këngën ‘Duje’.

Albina dhe Familja Kelmendi kanë dhënë një performancë të shkëlqyer duke elektrizuar skenën me këngën 'Duje' që u vlerësua për detajet tradicionale dhe sinkronizimin e zërave të familjes. 

Deri më tani në platformat online, kënga ka arritur miliona klikime duke shënuar një sukses të madh. Albina dhe familja e saj do të ngjiten në skenë të 10-ët natën e së shtunës.  

Këtë vit festivali i ‘Eurovision’ po mbahet në Liverpool të Anglisë në vend të Ukrainës që nuk e pati të mundur një organizim të tillë për shkak të luftës që po zhvillohet.

Gjysmëfinalja e dytë e Eurovision Song Contest ishte në tërësi më e qetë se e para. Në një kohë që të martën gati në secilën këngë-performancë kishte “act party”, të enjten dolën më shumë solistë në skenë pa bujë, të mbështetur vetëm nga efektet e dritave. Vendet që prezantuan këngë të tilla qeta duket se nuk e patën të lehtë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:25
Albina dhe familja Kelmendi 'pushtojnë' skenën e Eurovisionit me këngën 'Duje', shkëlqejnë me performancën në finale

Albina dhe familja Kelmendi kanë dhuruar një super performancë mbrëmjen e sotme në finalen e Eurovisionit të mbajtur në Liverpool të Anglisë.

Përfaqësuesja e Shqipërisë me këngën “Duje” synon të arrijë fitoren. Kënga e Albinës dhe familjes së saj, ka në qendër një baladë me motive nga Ballkani, detaj që është parë tepër tërheqës nga ana e publikut të gjerë.