Sondazhi i Report Tv! 62% e shqiptarëve: SPAK të burgosë Sali Berishën, shkeli vendimin e GJKKO! Bashkimi i opozitës, i pamundur! Nëse zgjedhjet mbahen sot, fiton PS

Shumica absolute e shqiptarëve e konsiderojnë të patolerueshme sjelljen e Sali Berishës i cili në arrest shtëpie ka shkelur vendimin e GJKKO, teksa mendojnë se SPAK duhet të kërkojë arrest me burg për ish Kryeministrin i akuzuar për korrupsion për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Në sondazhin e kësaj të mërkure të Report Tv në bashkëpunim me analistin Eduart Zaloshnja, 62.6% e qytetarëve të pyetur janë shprehur se dalja e Berishës çdo mbrëmje në dritare duke komunikuar me mbështetësit gjithnjë e më të pakët poshtë banesës së tij duhet të dënohet nga drejtësia. Vetëm 22.7% e të anketuarve i përgjigjen negativisht pyetjes se “a duhet t’i kërkojë SPAK Gjykatës arrest në burg për Sali Berishën meqë ka shkelur kushtet e gjykatës për arrestin shtëpiak”, ndërkohë që 14.7% thonë ndoshta jo.

Pjesën e demokratëve, tashmë me ‘kokën’ në arrest shtëpie, 73.9% qytetarëve e shohin të pamundur për t’u bashkuar me forcat e tjera opozitare në një front. Sipas të dhënave të sondazhit të prezantuar në "Repolitix" 62.8% e qytetarëve të anketuar shprehen se grupimet e opozitës nuk do të bashkohen në një front të vetëm opozitar. 11.1% e tyre thonë ndoshta jo, ndërsa 15.4% thonë ndoshta po. Vetëm 10.7% e qytetarëve të anketuar besojnë se opozita mund të bashkohet në lëvizje të tilla si federata. Pra vetëm 1 në katër shqiptarë mendon se opozita mund të ketë ndonjë shans bashkimi. Flakadanët dhe kaosi që karakterizoi opozitën në parlament, me dirigjues Sali Berishën ka sjellë pakënaqësi te qytetarët, për aktivitetin e opozitës. Në total 82.1% e qytetarëve kanë mendim negativ për aktivitetin e saj, ndërsa vetëm 13.7% e shohin pozitive këtë strategji.

Nga ana tjetër, vlerësimi për qeverinë është më i ekuilibruar. 25.7% e qytetarëve kanë vlerësim pozitiv, 16.4% përgjigjen anoj pozitiv, 29.4 anoj negative dhe 28.4% negative. Por nëse zgjedhjet e përgjithshme do të mbaheshin sot, Rama do të fitonte një mandat të katërt, me 36.8% të votave. PD e Berishës do të merrte vetëm 14%, duke rënë me 2.2% mbështetje krahasuar me sondazhin e bërë një muaj më parë. Rritje pëson PD e Bashës e cila gjithsesi, nëse qytetarët do ti drejtoheshin sot kutive të votimit, merr vetëm 6.1% ndërsa PL 2%. E njëjta renditje vihet re edhe për liderët politikë. Rama mbetet më i pëlqyeri ndërsa një diferencë në përqindje ka me Sali Berishën. Pozicionin e politikanit më pak të pëlqyer vijon të mbajë Ilir Meta.

Shënim: Sondazhi i Report Tv në bashkëpunim me autorin e sondazheve Eduard Zaloshnja realizua me 1104 banorë të rritur nga e gjithë Shqipëria të cilët janë kontaktuar me SMS të përzgjedhur në mënyrë të rastësishme. Ndërsa marzhi i gabimit +/- 3.3 %.

Të ftuar në studion e 'Repolitix' me gazetarin Denis Minga për të analizuar shifrat e sondazhit të Report Tv në bashkëpunim me sondazhistin Eduard Zaloshnja ishin Plator Nesturi, analist; Reldar Dedaj “liberale.al”; Arian Galdini, kreu i Lëvizjes së Re.

Ndiqni më poshtë të dhënat e sondazhit

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:23
Sondazhi i Report Tv/ Rritet elektorati gri, por Rama merr mandatin e katërt nëse zgjedhjet mbahen sot! Rritje ka dhe PD e Bashës! Berisha e Meta vijojnë rënien

1705526713_7.jpg

Partia Socialiste do të fitonte mandatin e katërt nëse zgjedhjet parlamentare, do të mbahen sot më 17 janar.

Sipas të dhënave të sondazhit të Report Tv, në bashkëpunim me Eduard Zaloshnjën, 36.8% e qytetarëve do të votonin për Partinë Socialiste, shifër që duket se ka një ulje të pa konsiderueshme me muajin dhjetor (2023) që ishte 37%.

PD e Bashës ka pësuar rritje kurse Rithemelimi i Berishës ulje. Të pyetur se cilën parti do të votonin nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot, 14.0% % kanë thënë PD e Berishës, e cila vijon trajektoren rënëse krahasuar me muajin dhjetor (2023) që ishte 16.2%.

Kurse 6.1% e qytetarëve të pyetur votuar për PD e Bashës, e cila pëson sërish rritje krahasuar me muajin dhjetor kur ishte 5.1%.

2.0% kanë votuar Partinë e Lirisë e cila ka sërish ka rënie, pasi në muajin e kaluar ishte 2.2%

E pandryshuar mbetet përqindja e votave për një parti tjetër të paspecifikuar. Nëse zgjedhjet do mbaheshin sot do të ulej numri i votuesve. 36.0% thonë se nuk do të votonin, shifër kjo që një muaj më parë ishte 34.3%.

Ora 22:20
Sondazhi i Report Tv/ Rritet vlerësimi për Bashën, Rama ruan ‘fronin’! Vijon rënia e mbështetjes për Berishën, Meta ‘inekzistent’ (Shifrat)

1705526490_6.jpg

Kryeministri Ei Rama vijon të jetë lideri më i pëlqyer nga qytetarët shqiptarë. Sipas shifrave të sondazhit të Report Tv të realizuar në bashkëpunim me Eduard Zaloshnjën, Rama nuk ka pasur rritje të konsiderueshme pëlqyeshmërisë krahasuar me një muaj më parë por ai vijon të mbajë fronin në radhët e politikanëve më të pëlqyer.

Sot 40.4% e qytetarëve kanë opinion pozitiv për Ramën, kundrejt 40% e qytetarëve që ishin në muajin e kaluar (dhjetor). Sali Berisha vijon të ketë rënie të mbështetësve të tij ndërkohë që ndodhet në arrest shtëpie për korrupsion për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Kështu 14.2% e qytetarëve të pyetur kanë mendim pozitiv për Sali Berishën, kundrejt 15.9% që kishin muajin e kaluar (dhjetor 2023). Surpriza duket se ka nga Lulzim Basha. Për kreun e PD 5.4%e qyfterëve mendojnë pozitivisht, ndërsa në muajin dhjetor shifrat ishin 4.9%.

Ilir Meta duket “inekzistent” sa i përket shifrave të mbështetësve, pasi shifrat po shkojnë drejt zeron. Për të kanë votuar pozitivisht 2.0% e qytetarëve krahasuar me një muaj më parë që ishte 2.2%. Ndërkohë 38.0% e qytetarëve nuk vlerësojnë pozitivisht asnjërin nga këta politikanë, shifër kjo që ka ardhur në rritje çdo muaj.

Ora 22:05
Sondazhi i Report Tv/ Kaos dhe sulme ndaj drejtësisë, vetëm 13% e qytetarëve e mbështesin ‘aksionin’ e opozitës, 82% janë kundër

1705525639_5.jpg

Shqiptarët kanë zbehur edhe më tepër vlerësimet ndaj aktivitetit të opozitës që është tkurrur në një rrugicë për interesa personale.

Në sondazhin e Report Tv në bashkëpunim me sondazhistin Eduard Zaloshnja, qytetarët e pyetur se çfarë vlerësimi kanë për aktivitetin e opozitës në përgjithësi deri më sot, në total 82.1% e tyre kanë dhënë  vlerësim negativ. Konkretisht 56.9% kanë votuar "negativ", ndërsa 25.2% kanë votuar “anoj negativ”.

Shumë i vogël është numri i qytetarëve që janë të kënaqur me veprimtarinë e opozitës. Krahasuar me muajin dhjetor të 2023, vlerësimi negativ është rritur me 2%.

Pavarësisht se  ka ardhur duke u ulur me 2% krahasuar me një muaj më parë, në total 17.9% e qytetarëve kanë vlerësim pozitiv për aktivitetin e opozitës. Konkretisht 13.7% e të anketuarve kanë vlerësuar “pozitiv” aksionin e opozitës, kurse 4.2% anoj pozitiv.

Ora 21:50
Sondazhi i Report Tv/ Ja cili është vlerësimi i qytetarëve shqiptarë për punën e qeverisë Rama

1705524686_4.jpg

Vlerësimi i qytetarëve për punën e qeverisë është rritur krahasuar me të dhënat e sondazhit të një muaji më parë, por sërish numri i kritikëve është më i lartë.

Të pyetur përmes sondazhit të përmuajshëm të Report Tv në bashkëpunim me Eduard Zaloshnjën se çfarë vlerësimi kanë për punën e qeverisë në përgjithësi deri më sot 41.2% e të anketuarve kanë dhënë mendim pozitiv, duke shënuar rritje krahasuar me 40.4% që ishte një muaj më parë (dhjetor 2023).

Konkretisht 25.7% janë përgjigjur pozitiv, kurse 16.4% anoj pozitiv. Ndërkohë në total 57.8% e qytetarëve vlerësojnë negativisht punën e qeverisë në përgjithësi deri më sot. Kështu ‘anoj negativ’ janë përgjigjur 29.4 e qytetarëve, ndërsa ‘negativ’, 28.4% e qytetarëve.

Ora 21:37
Sondazhi i Report Tv/ Shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk i besojnë iniciativës për bashkimin e opozitës

1705523894_3.jpg

“Federata opozitare”, nuk është një nismë që ngjall besimin e qytetarëve shqiptarë për një pikë kthese të opozitës e cila ka nisur negociatat që të gjitha kampet brenda të djathtës, të mblidhen në një.

Të pyetur në sondazhin e Report Tv në bashkëpunim me sondazhistin e njohur Eduard Zaloshnja, nëse mendojnë se do të arrijnë të bashkohen grupimet e ndryshme opozitare në një front të përbashkët elektoral, 73.9% e qytetarëve përgjigjen jo.

10.7% e të anketuarve kanë besim se do të arrihet ky bashkim, ndërsa 15.4% nuk janë fortë të bindur se lufta brenda PD do të marrë fund, duke u përgjigjur “ndoshta po”. Pavarësisht se ndoshta dëshira nuk mungon, kjo nismë dhe dëshirë e opozitës për bashkim sipas qytetarëve është e destinuar të dështojë.

Ora 21:26
Sondazhi i Report Tv/ 62% e shqiptarëve kërkojnë burgosjen e Sali Berishës në qeli! Shkeli vendimin e GJKKO për aferën Partizani

1705523299_2.jpg

Shumica e shqiptarëve e duan Sali Berishën në burg. 62.6% e qytetarëve që janë pyetur në sondazhin e përmuajshëm të Report Tv në bashkëpunim me Eduard Zaloshnjën janë dakord që SPAK t’i kërkojë GJKKO arrest në burg për Berishën i cili në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit, ka vendosur të mos zbatojë vendimin që e ndalon të komunikojë me persona të tjerë përveç bashkëjetuesve.

51.5% e qytetarëve thonë “po” SPAK të kërkojë arrest në burg, ndjekur nga 11.1% që përgjigjen “ndoshta po”. Sipas shifrave të sondazhit që u publikuan në emisionin “Repolitix”, 14.7% nuk janë të vendosur nëse Berisha duhet të burgoset apo jo, ndërsa 22.7% shprehen kundër mbylljes së ish kryeministrit të akuzuar për korrupsion në qeli.

Nga dritarja e banesës Berisha nuk i ndal akuzat ndaj drejtësinë për shkak të hetimeve të zhvilluara ndaj tij dhe dhëndrit Jamarbër Malltezi po në arrest shtëpie, të dy të akuzuar për korrupsion për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Ora 21:06
Sondazhi i Report Tv/ Zhvlerësimi i euros përkeqësoi financat e familjeve shqiptare, të prekur 60.8% e qytetarëve

1705522069_1.jpg

Zhvlerësimi i fortë i euros ka nisur tashmë të japë efektet edhe në ekonominë e familjeve shqiptare duke u përkeqësuar financat.

Në sondazhin e përmuajshëm të Report Tv në bashkëpunim me sondazhistin e njohur Eduard Zalonshnja, 60.8% e qytetarëve thonë se zhvlerësimi i euros ua ka përkeqësuar ekonominë në familje.

Sipas të dhënave të publikuara në emisionin “Repolitix” 30.0% e qytetarëve thonë se zhvlerësimi i euros nuk ka ndikuar në ekonominë e tyre. Vetëm 9.2% thonë se nënçmimi i euros e ka përmirësuar ekonominë e tyre.

Edhe në javët e para të vitit 2024 leku po ruan pozita të forta në kursin e këmbimit valutor. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të mërkurën me 103.70 Lekë.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Korrupsioni në vend, Rama për VOA-n: Nuk është aq i madh sa të meritojë tamtamet e përnatshme! Thuhen shumë të pavërteta që duken atraktive

Korrupsioni në vend, Rama për VOA-n: Nuk është aq i madh sa të meritojë tamtamet e përnatshme! Thuhen shumë të pavërteta që duken atraktive