Mbrëmjen e sotme nisi në Report Tv emisioni "Pa Protokoll" i drejtuar nga gazetarja Anduela Ndreu, ku të ftuar ishin ish-Presidenti Bujar Nishani, konstitucionalisti Sokol Hazizaj dhe analisti Aleksandër Çipa. Ish-kreu i shtetit mori në mbrojtje Presidentin aktual Ilir Meta duke sulmuar komisionin e Venecias për draftin që e cilëson si politik.

Duke u ndalur te situata brenda PD-së, Nishani tha se duhet të afrohen njerëzit me eksperiencë dhe gjenerata e re, por kishte një mesazh të qartë për kritikët e Lulzim Bashës duke u treguar derën nëse mendojnë se vlejnë. Emisioni "Pa Protokoll"  do të transmetohet cdo të premte në orën 20:55.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:02
A e aspiron vendin e Bashës? Nishani: Ja për cfarë ka nevojë PD-ja

1570222579_bnishani2.jpg
Lulzim Basha ka bërë thirrje për hapjen e PD-së, por si duhet të bëhet dhe kush janë elementët që duhet të afrohen sipas Bujar Nishanit? "Nuk jam pjesë e lidershipit të PD-së, për hapjen u takon vendimmarrësve. Unë kam aspiratat e mia.

Unë mendoj që PD-ja dhe jo vetëm, duke thithur brenda saj mendimin, prezencën, fizionominë e atij grupi që ka edhe kapacitete intelektuale. PD-ja ka nevojë për këtë grupim, edhe për ata që kanë shërbyer, eksperiencën e tyre. Ka nevojë edhe për gjeneratën e re" tha ai.

Por a e aspiron Bujar Nishani postin e kryetarit të PD-së? "Nuk kam asnjë arsye ta aspiroj. Për faktin se PD-ja e ka të zgjedhur kryetarin, është në fazën finale të aksionit të saj për të realizuar rrotacionin e pushtetit. Kam aksionet e mia në politikë jo vetëm brenda PD-së por në politikën institucionale. Politika është profesion dhe unë nuk kam profesion tjetër". Por a do ta shohim ish-Presidentin në Kuvend? "Ajo varet nga disa rrethana dhe arsye se disa pritet që të ndodhin".

Në fund ai ka folur edhe për marrëdhënien me Sali Berishën. "Marrëdhëniet njerëzore janë nga më të mirat e mundshme. Është një nga figurat kryesore të politikës. Do ta gjykojë historia e Shqipërisë, por në gjykimin tim është personalitet, që i ka dhënë një vend të rëndësishëm vetes së tij" përfundoi ai.

Ora 22:59
Kritikët e Bashës? Nishani: Nëse mendojnë se vlejnë e kanë rrugën e hapur ta provojnë veten

1570222540_bujar.jpg
Nga Jozefina Topalli, te Genc Ruli, por edhe shumë emrave të tjerë të njohur si kritikë të Lulzim Bashës, ish-Presidenti Bujar Nishani u përgjigjet duke u thënë se nëse mendojnë se kanë mbështetje e kanë të hapur rrugën që të të provojnë veten dhe idetë te qytetarët.

"Qëndrimi politik i opozitës nuk cedon në bazë. Të gjithë emrat kam respektin tim, kemi punuar dhe bashkëpunuar, cështja është që ka një diferencë mes individit që merr mandatin dhe bazës. Nëse secili prej këtyre emrave mendon se mund të tërheqë bazën e ka rrugën e hapur dhe mund ta provojë.

Unë jam i bindur që baza në shumicën dërrmuese është në mbështetje të qëndrimit të opozitës. Nuk shoh një alternativë tjetër brenda opozitës që të thithë mbështetjen e bazës, nëse do të ketë do të mbetem i surprizuar" tha ai.

Por a është Jozefina Topalli alternativë? "Nuk e shoh politikën si shah. Problemi i kësaj loje është që nuk po luajmë brenda fushës. Nuk gjykoj askënd, secili është i lirë. Unë kam pozicionim tim politik. Mbështes PD-në në këtë vendim, sepse ende beson dhe përfaqëson në ato parime me ato që mendoj unë. Nuk kam pasur kontakte" tha ai.

Ora 21:30
A i ka regjistruar të gjitha bisedat me Ramën? Nishani: Ka formim nën mesatar

'Shigjetave' të kryeministrit, Bujar Nishani u është përgjigjur duke e sulmuar dhe cilësuar Edi Ramën si një njeri me formim nën mesataren në jurispudencë dhe ekonomi.

Ai kujton bisedat kur ishte President me kryeministrin e sotëm dhe shprehet se "Kthimi i xhevapit për Ramën nuk ka rëndësi për postin që kam tani, por në të ardhmen opinioni mund të njihet...Ne kemi pasur një kryeministër që ka një formim nën mesataren në jurispudencë dhe ekonomi.

Nuk dua të tregoj ato që kanë qenë brenda zyrës diskutimet mes kryeministrit dhe Presidentit, por mund t'u them vetëm këtë, që ne kemi një kryeministër që në nivelin e kulturës mesatare ekonomike dhe juridike është i paarrirë" tha ai.

Por a janë regjistruar ato takime në Presidencë? "Jo, jo vetëm takimet zyrtare për cështje zyrtare" tha Nishani.

Ora 21:27
Konstitucionalisti: 'Venecia' s'e mori parasysh situatën kur u shtyn zgjedhjet

Konstitucionalisti Sokol Hazizaj shprehet se Komisioni i Venecias nuk e ka marrë parasysh situatën ku ndodhej Shqipëria kur ka dhënë opinionin që Presidenti shkeli Kushtetutën duke tejkaluar kompetencat.

"Komisioni i Venecias nuk mundet t'i shmangej situatës ku ndodhej Shqipëria. Ai komision nuk varet nga ne prandaj duhet të jemi të kujdesshëm, është organ këshillimor.

Mund të përbëjë pozitivitet, por edhe negativitet në vendet e tjera, për shkak të negativitetit në Shqipëri. Koncepti i tejkalueshmërisë së tagrit të Presidentit. Në pikëpamje formale thuhet se i takon të nxjerrë dekrete, e mira apo e keqja, kjo varet.

Kuvendi ka ngatërruar, në vend që formalisht Presidenti e ka të drejtën për një dekret, janë marrë me përmbajtjen. Nuk është gabim i rëndë thotë Komisioni i Venecias, ndërsa në raport me përmbajtjen e ka tejkaluar" tha ai.

Ora 21:10
Drafti që kapi Metën me shkelje, Nishani: 'Venecia' foli politikisht

Ish-presidenti Bujar Nishani thotë se Komisioni i Venecias gaboi në draftin mbi Metën duke e cilësuar si mesazh politik evidentimin se kreu i shtetit shqiptar tejkaloi kompetencat me anulimin e 30 Qershorit.

"Unë e kam lexuar si qytetar i interesuar për zhvillimet. Mos prisni nga unë të bëj komente rreth komenteve të presidentit mbi disa komente të Komisionit të Venecias.

Është e drejta e presidentit të mbajë qëndrimin e tij, por në gjykimin tim, presidenti ka shkuar te dy gjëra, që janë të rëndësishme, njëri është mesazhi i artikulimit ligjor brenda konturit, megjithëse unë kam pikëpamjen time, që nuk është strikt institucionale por mund të japë këshillë ligjore kur ia kërkon gjykata Kushtetuese.

Kemi një qëndrim ligjor ku thuhet se nuk ka vend për shkelje të rëndë për të shkarkuar Presidentin. Ka edhe një mesazh politik, që nuk duhet të dilte nga komisioni i Venecias. Komentimi se ka tejkaluar kompetencat është argumentim politik dhe jo ligjor.

Përderisa jemi në kontekstin e një lufte politike. Të gjitha aktet e shumicës janë të motivuara politikisht. Nëse jemi pa gjykatë Kushtetuese, përgjegjësi kryesor është kryetari i shumicës, ai njeri duhet të kishte dhënë dorëheqjen.

Nuk ka asnjë qeveri në vendet demokratike, që një qeveri të këtë qeverisur pa kontrollin e institucioneve. Artikulimi i komisionit të Venecias përtej asaj që iu kërkua, kur thotë se ka tejkaluar kompetencat ka bërë interpretim politik.

Shumica nuk e shkarkon dot Presidentin se nuk ka tagër Kushtetuese. Nëse ka 2/3 mund ta propozojë, ndërsa për shkarkimin vendos gjykatë dhe për këtë do të presim disa vite. Por në gjykimin tim nuk ka lëndë për këtë.

Jemi në një krizë shumë të thellë, nuk ka pasur asnjë rast të tillë. Institucionet të inkriminuara, krizë ekonomike. Ndërkombëtarët do i imponohen shumicës, dhe jo vetëm ato 5 pika të opozitës, por edhe 4-5 të tjera do të ishte. Kjo përplasje mund të sjellë një eksplodim më të pakontrolluar" tha ai.