TIRANË- Në ndeshjen e parë në Torino ku Juventusi u përball me Barcelonën në fushë u pa vetëm Leo Messi ndërsa sonte rikthehet sfida më e madhe e kësaj epoke në futboll Messi kundër Ronaldos. Pasi e ka sfiduar për vite me radhë me fanellën e Real Madrid Ronaldo përballet sot me Messin si një lojtar i Juventusit dhe në lojë është vendi i parë në grupin G të Champions League. Në kampionat katalanasit po kalojnë një moment krize ndërsa trajneri Koeman ka thënë se ekipi i tij do ta mbyllë në vend të parë grupin dhe këtë mund ta bëjë edhe me një barazim.
Ndërkaq tek Juventusi shpresojnë në një fitore me tre gola diferencë apo një rezultat më i mirë se ai 2-0 që u mposhtën në Torino. Ronaldo e Morata në majën e sulmit do të përpiqen për ta arritur ndërsa trajneri Pirlo thotë se skuadra e tij mund ta arrijë vendin e parë. Buffon do jetë në portë ndërsa De Ligt do pushojë. Në ndeshjen tjetër të grupit Dinamo Kiev e Ferencvarosh luajnë për një vend në Europa League.
Në grupin H të Champions vetëm sot në ndeshjet e fundit do të përcaktohen dy ekipet që do kalojnë më tej . Manchester United luan në Gjermani ndaj Lajpcig dhe kualifikohet edhe me një barazim ndërsa PSG-së i mjafton të mposht Istanbul Basaksehir dhe siguron biletën për në 1/8. Grupi F i mbyll llogaritë më shpejt pasi ndeshjet luhen në 18:55. Lazio pret belgët e Brugge dhe me një barazim kalon më tej dhe do arrinte fazën me eliminim direkt pas plot 20 vitesh ndërsa Dortmundi është i impenjuar ndaj Zenit thjesht për të mbajtur vendin e parë.
Grupi E ka mbyllur çdo llogari. Chelsea i kualifikuer si vend i parë pret në Londër Krasnodarin që e ka siguruar vijimësinë në Europa League. Ndërsa Sevilla luan në Francë ndaj Rennes./Përgatiti Andi Kapxhiu