Sopranoja Orjana Kurteshi:
Vizioni im për  jetën ka ndryshua

Sopranoja Orjana Kurteshi:<br />Vizioni im për  jetën ka ndryshua
TIRANE- Mëmësia të ndryshon vështrimin. Jo thjesht vështrimin e syve, por vështrimin që një grua hedh mbi jetën, duke filluar nga familja e saj e duke u shtrirë në dimensione më të gjera të jetës. Fjala vjen të ndriçon në mënyrën sesi duhet të vësh në ekuilibër familjen me karrierën, duke gjetur paqen dhe lumturinë brenda vetes. Sopranoja e njohur shqiptare që ndan jetën artistike mes skenave të Strasburgut, Parisit apo Veneçias, tashmë e di mirë ndryshimin, dhe teksa rrëfen ditët e para të mëmësisë hedh vështrimin në fëmijërinë e saj, por edhe në të ardhmen e karrierës operistike. Por Oriana Kurteshi nuk e ka aspak vështrimin e turbulluar, përkundrazi është mjaft e qartë, larg një vizioni karrierist dhe shumë pranë të qenësishmes dhe gëzimit të jetës, i çili prej një muaji quhet Leonard.
 
Oriana urime, sapo jeni bërë nënë. Si po i përjetoni këto ditë?
Jam shumë e lumtur, dhe mbi të gjitha e lumtur që jam bërë nënë!! Në momentin që mamitë më sollën djalin në krahë çdo gjë ndaloi për mua. Kuptova që jeta ime do të jetë ndryshe nga ajo e jetuar më parë. Kishte ardhur momenti që Leonard të mbërrinte në jetën time dhe të më dhuronte këtë çast magjik, këtë paqe, që po jetoj së bashku me bashkëshortin tim. Një lumturi vërtet e papërshkruar, por që duhet jetuar dhe përfituar në maksimum.
 
Është mëmësia ashtu si e kishit imagjinuar?
Po, por unë do të thoja akoma dhe më keq, (qesh) në kuptimin e mirë të fjalës. Që tani 1 muajsh kaloj orë duke parë Léonardin duke fjetur, dhe mezi pres të hapë sytë që të mund t’i marr pak erë dhe ta shtrëngoj në krahët e mi. Kjo më siguron dhe më bën të harroj lodhjen e ditës me prova dhe aktivitete, por edhe lodhjen e natës…

Çfarë fëmijërie keni pasur dhe si do të donit të ishte fëmijëria e djalit tuaj?
Fëmijëria ime është dhe mbetet periudha më e bukur e jetës sime. Ajo ka qenë shumë e bukur, e mbushur plot me dashuri si të prindërve të mi ashtu edhe të gjyshërve. Ka qenë e lumtur, sepse ka qenë e theshtë në të gjitha aspektet e jetës në atë kohë. Ajo është e mbushur me kujtimet më të bukura. Uroj që t’i trasmetoj sadopak nga ajo thjeshtësi jete edhe Leonardit. Kuptohet jeta në kohët që po jetojmë është shumë më ndryshe nga ajo që ne kemi jetuar, por do të mundohem, do të përpiqem të jem një nënë e mirë. (E kush nuk do që të jetë?)
 
Çili është kujtimi më i bukur i fëmijërisë suaj?
Kam shumë e shumë kujtime të mrekullueshme, por më i bukuri është kur numëroja ditët për përfundimin e vitit shkollor, për të vrapuar tek gjyshi im, në Berat... !! Pushimet kanë qenë gjithmonë si për të gjithë fëmijët kujtim i bukur!
Thonë që kur bëhesh prind i kupton më mirë prindërit e tu….
 
Mendon që prindërit e sotëm e kanë më të vështirë të rrisin fëmijët?
Eshtë shumë e vërtetë..! Shuuuumë i kuptoj prindërit… U telefonoj prindërve çdo darkë kudo që të jem, dhe i pyes për çdo gjë. Nesër uroj që edhe djali im të mund të bëj të njëjtën gjë nëse do të jetë larg. Qoftë edhe për t’i dëgjuar zërin dhe për të hequr merakun. Nuk do të harroj kurrë momentin kur im atë mori në krahë Leonardin. Nuk doja t’i shfaqesha e përlotur....
Unë mendoj se sot prindërit e kanë më të lehtë të rrisin fëmijët sepse i kanë të gjitha kushtet, ndërsa përka i përket edukimit ky është një tjetër problem që varet vetëm nga ata.
 
Pritja e ëmbël ju ka mbajtur larg skenës. E keni ndjerë mungesën e saj?
Pritja e Leonardit tim më ka mbajtur larg vetëm 3 muajt a fundit.. Ai më ka shoqëruar në të gjitha aktivitet e mia deri në muajin e gjashtë, dhe ka qenë një aventurë shumë e bukur....por do të më mbajë larg edhe tre të tjerët në vazhdim. Dua t’i kushtohem një qind për qind në muajt e parë. Eshtë detyra ime si nënë, ndërsa gjërat e tjera presin më mirë të them duhet të presin!!

Unë në skenë u ktheva javën që shkoi dhe do të vazhdoj aktivitetet e mia edhe pse jam bërë nënë, por me një tjetër ritëm në muajt e parë. Tani që e kam prekur vërtet këtë ëndërr dua ta shijoj në maksimum. Dua të shoh buzëqeshjen e parë, dhe të dëgjoj fjalët e para të Leonardit. Dua të gëzoj me të dhe bashkëshortin tim!!
 
Tashmë ndodheni mes artit dhe familjes. Keni filluar të mendoni si duhet të jenë raportet mes tyre?
Duhet shumë organizim për një artist, dhe mbi të gjitha një suport maksimal...ndryshe është shumë e lodhshme. Për ne ndihma e familjes apo edhe një dadoje është shumë e nevojshme, si për udhëtimet, shfaqjet, provat…!! Javën që shkoi, kam qenë në Normandie ( Françe) për dy reçitale, dhe Léonard ka qenë “mon çompagnon” (shoku im) duke pritur si engjëll i vogël në dhomë turnin e tij për qumësht! Janë momente kaq të bukura që vetëm duke i jetuar mund të besohen! Janë pikërisht për mua këto momente në familje që balançojnë automatikisht raportin familje-karrierë. Pa njërën s’ka kuptim tjetra!!!
 
Shumë nëna në ditët e sotme synojnë të kthehen sa më shpejt në punë?
Dhe këto nëna bëjnë shumë mirë! Unë personalisht u ktheva mbas 3 javësh edhe pse bëj pjesë e atyre artistëve që e kanë filluar dhe rifilluar disa herë karrierën e tyre. Nuk jam karrieriste si dikur...! Vizioni im për jetën ka ndryshuar dhe është shumë ndryshe nga ai i mëparshmi, dhe kjo falë Meditimit që është kthyer në një pasion. Falë të madhit Prof. Oscho!! Do të vazhdoj karrieren time, por me një ritëm komplet ndryshe...duke iu kushtuar në muajt a ardhshëm “Muzikës së dhomës”,  shumë konçerte në Festival de Nice, Obernai, përsëri Strasburg e Venecia ,ndoshta Luksemburg... Gjithashtu prej disa kohesh i kushtohem mësimit të kantos. Në këtë mënyrë do të jem më pranë djalit dhe mbas sezonit tjeter karrieren operistike....
 
Si janë fundjavat për ju, tani që jeni bërë nënë?
Fundjavat janë shumë të qeta, me plot vizita të miqve, nxënësve, dhe familjarëve që vazhdojnë të vijnë e n’a urojnë për engjëllin tonë.

Shkrimi u publikua sot (18.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksidentohet djali i Brad Pitt dhe Angelina Jolie, pëson dëmtime në kokë

Aksidentohet djali i Brad Pitt dhe Angelina Jolie, pëson dëmtime në kokë