Shumë e zhgënjyer është shprehur sopranoja Ramona Tullumani me mungesën e vëmendjes së institucioneve ndaj kontributit të gjyshit të saj, baritonit Ramiz Kovaçi për operën e Tiranës. Duke folur në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, ajo kujtoi se Opera e Izmirit i ka kushtuar një bust baritonit shqiptar që mban dhe titullin Artist i Popullit, pavarësisht se ai qëndroi atje vetëm për 4 vite. Ndërsa në Teatrin e Operas dhe Baletit nuk ka as edhe një fotografi të tijën.
Jam shumë e zhgënjyer pasi ka shumë këngëtarë të mëdhenj që e kanë krijuar operën dhe nuk përmenden aspak. Unë nuk e di se çfarë do të ndodhë me teatrin e ri që po bëhet , por që janë gjithmonë shumë të vakta kujtesat. Duket si një gjë që është e shkuar dhe kjo nuk është e vërtetë. Ata janë këngëtarë që kanë mbaruar në shkollat më të mira, kanë kënduar në teatrot më të mirë. Pa ata , nuk do ishte ky teatër, kështu që ata meritojnë më shumë. Sikur ky teatër i ri të bëhej me të gjithë bustet e tyre kur hyn në sallë do ishte një vlerë.
Sopranoja Ramona Tullumani
Sopranoja e famshme e cila e ndan jetës mes Sofies dhe Tiranës është pyetur se nga ndryshojnë teatrot e dy vendeve. Sipas Tullumanit këtu ka shumë vështirësi për artistin, ndërsa në Sofie duhet vetëm të këndosh mirë
Sofia nga Shqipëria ndryshon sepse atje ka teatër, ndërsa këtu nuk ka. Opera nuk mund të këndohet në çdo vend . ne detyrohemi të këndojmë në pallat të kongreseve ku nuk ka asnjë lloj akustike dhe vështirësitë janë të jashtëzakonshme. Në operën e Sofies çdo gjë është ok, e rëndësishme është që të këndosh mirë. Nëse nuk ke një teatër, atëherë duhet të shpikësh.
Sopranoja Ramona Tullumani
Sopranoja e mirënjohur erdhi në studion e Rreze Dielli në Report Tv për të folur rreth në koncertit të saj të parë recital i cili është një cikël i plotë vazhdimësie i koncerteve “Opera Soul” të Teatrit të Operas dhe Baletit. Këngëtarja lirike tregon se babai i saj Edmond Tullumani , i cili është edhe i vetmi producent klasik në Shqipëri është ai që i ka dhënë asaj besimin më të madh për të performuar.