Programi Erasmus+ në dy universitete⁄ Ambasadori Soreca apel të rinjve: Votoni, Europa është këtu

Ambasadori Luigi Soreca gjatë një vizite për të parë nga afër investimet e bëra në fushën e arsimit nga programi ERASMUS + në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe tek “Aleksandër Moisiu” në Durrës u bëri apel edhe të rinjve, që të votojnë në 25 prill.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, preku nga afër shndërrimet që janë realizuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës në Kamzë dhe në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës nga programi Erasmus+. Gjatë pritjes dhe bashkëbisedimit më stafin akademik të Universitetit Bujqësor, por edhe me studentët që kanë përfituar nga kjo eksperiencë, Soreca e cilësoi fuqizimin e të rinjve, një ndër objektivat kryesore të tij, si ambasador, por edhe të Bashkimit Europian.

“Unë kam pas mundësinë, që të shikoj se si janë vënë në zbatim fondet e BE, përmes Smart Al. Duhet të them se Erasmus+ është një program i rëndësishëm. Është më shumë se program shkëmbimi për studentët, por përmes saj përfitojnë edhe akademikët, përpos që përfitohet edhe në anën e pajisjeve. Sapo është lançuar edhe faza e dytë e Erasmus+ nga BE, nga 14 miliardë euro, buxheti është bërë 26 miliardë euro për shtatë vitet e ardhshme. Me këtë ne dëshirojmë të themi se BE është këtu, edhe veçanërisht akademikët në këtë mënyrë mund të shtyjnë përpara anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, shprehet ambasadori i BE-së. Luigi Soreca.

 “Dua të ndaj tre çështje me ju 1) Vizibilitetin. Për këtë kemi hap një portal që të themi se Universiteti Bujqësor është këtu edhe në ndihmë të fermerëve. 2) Ne lidhje projektet e Erasmus+, vlerësoj shumë ndihmën, por qëllimi nuk është vetëm të marrim, por edhe të japim. Për këtë ne kemi kohe që programet tona në master po i ofrojmë edhe në anglisht. 3) Ne kemi aktivitete edukimi, por kemi dhe një fermë ku bëjmë disa prodhime, për këtyre sot kam zgjedhur dhe një dhuratë për juve (vaj ulliri extra virgin)”, shprehet rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku.

Përpos faktit që Shqipëria ka qenë pararojë në rajon e Erasmus+ ( nga viti 1992 me Tempus), ku gjatë kësaj kohe 8000 shqiptarë kanë shkuar në institucionet e BE edhe 5000 studentë edhe akademikë nga vendet e BE-s kanë ardhur në Shqipëri për të përfituar nga institucionet e arsimit të lart shqiptar, Soreca u bëri edhe apel rinjve që në datë 25 prill të votojnë, duke qenë ata që vendosin të ardhmen e tyre

“Për mua që nga momenti që kam ardhur në Tiranë në vitin 2018, fuqizimi i të rinjve ka qenë një nga objektivat e mia më të mëdha. Për B-n  të investosh te të rinjtë do të thotë të bësh investimin më të mirë për të ardhmen e Shqipërisë. Prandaj, dëshiroj që të rinjve të Shqipërisë t’u jap një mesazh, meqenëse jemi në prag zgjedhjesh. Këto zgjedhje janë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë, por dhe më të rëndësishme janë këto zgjedhje për të ardhmen e të rinjve të Shqipërisë. Pikërisht ajo ftesë që unë dëshiroj që t’u bëj të rinjve shqiptarë është: Të merrni pjesë në zgjedhje. Dilni edhe hidhni votën tuaj në kutinë e votimit. Kjo është mënyra se si ju do të bëni diferencën. Mos e lini pa shfrytëzuar këtë të drejtë që ju keni. Pra: Ti vendos”, shprehet Soreca.

Përpos Universiteti Bujqësor i Tiranës që përmes programit Erasmus plus tashmë ka laboratorin e ri të masterit ekzekutiv me 20 kompjuterë dhe pajisje të tjera,  dhe në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës është zbatuar Projekti i Programit Mësimor TV Multimedial dhe Digjital dhe Universiteti ka një laborator modern multimedial dhe një studio audio-vizuale.

“Jam i impresionuar për nivelin e bashkëpunimit edhe për 90 milionë eurot, që janë dhënë për Shqipërinë. Dua që t’u them se kjo është vetëm pjesa e parë. Pjesa e dytë vjen në korrik edhe ka për qëllim ata që janë të prekur nga pandemia. Jo çdokush e kujton atë që BE bën për Shqipërinë. Vitin e kaluar nisëm një fushatë, që: “Europa është këtu”. Në fakt, është këtu prej disa vitesh. Shpresoj që muajt që vijmë të çelim negociatat formalisht, pas çeljes së negociatave, kjo është një mënyrë që Shqipëria t’i bashkohet familjes që i përket”, Luigi Soreca, ambasador i BE-së.

Erasmus+ është programi i Bashkimit Evropian për mbështetjen e projekteve, partneriteteve, aktiviteteve dhe lëvizshmërisë në fushat e arsimit, trajnimit të të rinjve dhe sportit. Ai mbështetet te përvoja e gjatë në Evropë e programeve akademike dhe atyre të shkëmbimit rinor, si dhe te bashkëpunimi universitar, dhe në vitin 2022 do të festojë 35 vjet që kur studentët e parë lëvizën ndërmjet universiteteve evropiane. Pjesëmarrja në Erasmus+ ka nxitur zhvillimin personal, social dhe profesional të mbi 10 milion njerëzve, pothuajse gjysma e tyre në periudhën midis vitit 2014 dhe 2020. Me pothuaj dyfishin e buxhetit për periudhën e ardhshme të programimit 2021-2027-më shumë se 26 miliardë euro - programi do të ketë në fokus arritjen e Zonës Evropiane të Arsimit.

 

I.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Mbi 90.000 të regjistruar për votim nga diaspora

Kosovë/ Mbi 90.000 të regjistruar për votim nga diaspora