Sot 1 qershori, e gjithë bota në festë, Rama: Gëzuar! Kushi: Të punojmë më shumë për fëmijët tanë

 Sot 1 qershori, e gjithë bota në festë, Rama: Gëzuar! Kushi: Të punojmë më shumë për fëmijët tanë

Foto ilustruese

Sot është dita ndërkombëtare e fëmijëve.

Kjo ditë, 1 qershori, është një festë e madhe e dedikuar tërësisht buzëqeshjeve dhe lumturisë së vogëlushëve kudo në botë.

Por nuk është vetëm një ditë festive, por edhe në një ditë sensibilizimi, për t'i thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve.

Në fakt 1 qershori e ka origjinën nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Dita e fëmijëve u vendos në datën 1 qershor, sepse në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në vitin 1925. Në të njëjtën ditë, përkoi që konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi së bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetim kinezë të celebronin në festivalin e “Anijes së Dragoit”.

Dy vjet më pas Festa e 1 qershorit filloi të festohet në të gjithë botën.

Vendet të cilat e festojnë Ditën Botërore të Fëmijëve më datën 20 nëntor e bëjnë këtë në përkujtim të Deklaratës për të Drejtat e Fëmijëve miratuar nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor të vitit 1959. Në Shqipëri, Kosovë dhe mbarë botën, kjo ditë u kushtohet fëmijëve, me organizime dhe aktivitete të larmishme. Shumë vende të botës e kanë pranuar atë si festën ndërkombëtare të fëmijëve dhe realizojnë festime të cilat kanë si qëllim të rrisin vëmendjen në drejtim të mirëqenies së tyre.

Kjo ditë lumturon fëmijët dhe prindërit e tyre kur shohin se fëmijët me buzëqeshjen e tyre të ëmbël. Pra, të gjithë fëmijët kanë të drejta të barabarta.

Në kuadër të kësaj dite, shumë figura politike kanë zgjedhur në mënyra të ndryshme të urojnë festën e fëmijëve.

I pari kryeministri Edi Rama, me një foto kuptimplote ka uruar festën e fëmijëve.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka uruar të gjithë fëmijët për festën e 1 Qershorit, me anë të një video-mesazhi mjaft të veçantë.

Edhe mjeku infeksionist, Tritan Kalo në këtë 1 qershor, ka përcjellë një mesazh ku thotë se fëmijëve duhet t’i sigurohet një rritje e shëndetshme fizikisht e mendërisht. Mbi të gjitha Kalo thekson se kryesore është arsimimi cilësor dhe shpresa në vendin e tyre.

Me një foto të ngrohtë plot përqafime, ambasadorja amerikane, Yuri Kim ka uruar festën e fëmijëve.

Ndërkohë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka lançuar një nismë të re , e cila do të shtrihet edhe për grupe të tjera të fëmijëve në nevojë, me synim nxitjen dhe zbulimin e talenteve, për t’i dhënë një mundësi të barabartë çdo fëmije.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:58
Meta i bashkohet festës së 1 qershorit: Çdo fëmijë meriton mundësinë e barabartë për t’u rritur denjësisht, për t’u arsimuar dhe për të realizuar ëndrrat

Presidenti Ilir Meta, me rastin e 1 qershorit i është bashkuar festës së fëmijëve.

I përqafuar nga vogëlush, përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Meta shkruan se çdo fëmijë në Shqipëri meriton mundësinë e barabartë për t’u rritur denjësisht, për t’u arsimuar dhe për të realizuar ëndrrat shumëngjyrshme në një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm.

Me një poezi të Naim Frashërit, presidenti Meta ka zgjedhur të përfundojë postimin e tij.

 “Falu gjithë mirësitë

Të rrojnë me nder në jetë

Të mësojnë dituritë

Të bëhen të vërtetë

Të nderojnë Mëmëdhenë

Vlerat t'ja lartësojnë

Mbi gjithë botën ta ngrenë

Si lule ta zbukurojnë!”

Ora 12:23
1 Qershori, Manastirliu: Bursa 1-vjeçare tek TUMO për fëmijët e 'Zyber Hallullit', programi do të shtrihet për ata që janë në nevojë

 

Fëmijët e Shtëpisë së Fëmijëve “Zyber Hallulli” kanë nisur sot një program të veçantë tek Qendra e Teknologjisë TUMO, me bursa të financuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale,  në bashkëpunim me UNICEF.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ka lançuar nismën e re, e cila do të shtrihet edhe për grupe të tjera të femijëve në nevojë, me synim nxitjen dhe zbulimin e talenteve, për t’i dhënë një mundësi të barabartë çdo fëmije.

Gjatë aktivitetit të zhvilluar në Qendrën TUMO, Manastirliu ka bërë me dije se kjo nismë nis me 12 fëmijë të moshës 12-18 vjeç të Shtëpisë së Fëmijëve “Zyber Hallulli”, të cilët do të mbështeten me bursë për 1 vit nga UNICEF dhe MSHMS në kuadrin e programit të deinstitucionalizimit për të ndjekur programet në këtë qendër.

"Në këtë ditë të veçantë menduam për një aktivitet që të mos jetë vetëm për një ditë, por t’i shërbejë të ardhmes tuaj dhe e ardhmja fillon sot. Por të jeni të bindur se, ashtu sikurse i dhamë mundësinë 12 fëmijëve të moshës 12-18 vjeç, pjesë e institucioneve tona të përkujdesit social apo siç më pëlqen mua ta them, shtëpisë sonë të madhe ‘Zyber Hallulli’, të ndërkojmë një program së bashku me mbështetjen e UNICEF-it në Shqipëri dhe pse jo edhe të Fondacionit për Zhvillim Amerikano-Shqipëtar, për të mundësuar krijimin e programeve të tilla për të mbështetur fëmijët në nevojë, fëmijët me aftësi speciale, për t’u zhvilluar dhe për të qenë pjesë integrale e këtyre qendrave që besoj që janë e ardhmja", deklaroi Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nënvizoi se ky program do të fuqizohet dhe shtrihet në institucionet e tjera të kujdesit dhe për fëmijët më në nevojë.

"Kjo është një filizë dhe ne do të bëjmë të pamundurën që ta rrisim, ta forcojmë, ta fuqizojmë, që çdo fëmijë që nuk ka mundësi dot për të qenë pjesë e aktiviteteve të këtij lloji por që në fakt ka brenda vetes talentin, energjinë, dëshirën, të gjejë dhe të ketë mundësi, që brenda këtyre strukturave, të zhvillojë vetveten, të zhvillojë aftësi më të mira", tha Manastirliu.

Duke vlerësuar bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, drejtuesi i zyrës së UNICEF në Shqipëri, Roberto De Bernardi u shpreh se fëmijët në këtë qendër do të kenë mundësi të integrohen, mësojnë dhe argëtohen.

"Jam shumë i lumtur për ju sepse kjo është një qendër fantastike dhe jam i sigurt që do të mësoni jashtëzakonisht shumë dhe që do të kënaqeni, do të argëtoheni pa masë teksa mësoni. Dhe jam shumë i lumtur për ju sepse, do të thoja është një kënaqësi dhe nder për të bashkëpunuar me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerian për Zhvillim", tha drejtuesi i zyrës së UNICEF.

12 Fëmijë të  Shtëpisë Fëmijëve “Zyber Hallulli”, të cilët plotësojnë kriterin 12-18 vjeç të programeve të Qendrës TUMO janë të parët që do të mbështeten me bursë për 1 vjeçare, pjesë e programit të deinstitucionalizimit dhe fuqizimit të fëmijëve pa kujdes prindëror.

Për 1 vit, fëmijët do të ndjekin 2 herë në javë programet në Qendrën TUMO. ADF do të vazhdojë mbështetjen e këtyre fëmijëve me bursë në vitin e dytë të programit. Qëllimi i këtij programi është përgatitja e fëmijëve për daljen nga institucioni, edukimi dhe integrimi në jetën sociale dhe në shoqëri. Programi i bursave do të vazhdojë më pas me fëmijët e qendrave të tjera të kujdesit social, si dhe me fëmijët e familjeve në nevojë.

Ora 12:12
E rrethuar nga përqafimet, Kim uron 1 qershorin: Gëzuar ditën e fëmijëve

E rrethua nga përqafimet e fëmijëve dhe e buzëqeshur, ambasadorja amerikane, Yuri Kim ka uruar 1 qershorin.

“Gëzuar 1 Qershorin - Ditën e Fëmijëve!”, shkruan ajo në një postim në rrjetin e saj social Twitter.

 

Ora 12:05
1 qershori, Avokati i Popullit: Fëmijët investimi më i rëndësishëm, dhuna dhe abuzimi ndaj tyre ende një shqetësim, duhet të adresohet me seriozitet

Avokati i Popullit dhe Komisionerja e seksionit të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të fëmijëve i kanë uruar ata me rastin e 1 qershorit.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Avokati i Popullit shkruan se me rastin e 1 qershorit, kanë theksuar faktin se duhet të rritet vëmendja ndaj fëmijëve dhe të drejtave të tyre në Shqipëri.

Në postim shkruhet se fëmijët janë investimi më i rëndësishëm i një shoqërie përtej çdo aspirate e kalkulimi politik, ekonomik a gjithçka tjetër.

Sipas Avokatit të popullit, dhuna dhe abuzimi ndaj fëmijëve sikurse dëshmohet edhe nga raportet ende është një shqetësim i madh.

“Avokati i Popullit do të jetë përherë përkrahës i ndryshimit rrënjësor të mjedisit jetësor ku rriten sot fëmijët e po ashtu do të nxisë e shtyjë përpara çdo nismë që mëton përmirësimin e asaj çka i pret fëmijët e së ardhmes.

Gëzuar pra 1 Qershorin të gjithëve, fëmijëve të sotëm e atyre të djeshëm!”, shkruhet në fund të postimit.

Ora 10:40
Komisariati i Vlorë hap dyert për 1 qershor, fëmijët luajnë me makinat dhe motorët e policisë

 

Për 1 qershorin, Policia e Vlorës ka hapur dyert për të pritur fëmijët. Të shoqëruar nga edukatorët, fëmijët janë lejuar nga efektivët që të luajnë me makinat dhe motorët e policisë. Ato shfaqen edhe me pankarta në duar me disa mesazhe të rëndësishme.

" Një vizitë speciale nga fëmijët e kopshtit “Internacional” në Policinë e Vlorës  .Fëmijë e këtij kopshti, të shoqëruar nga edukatoret, panë nga afër ambientet dhe mjetet e Policisë. Punonjësit e Policisë i mirëpritën fëmijët duke i lejuar për disa minuta të luanin me makinat dhe motorët e Policisë. Drejtoria e Policisë Vlorë uron të gjithë fëmijët gëzuar festën e 1 Qershorit", njofton policia.

Ora 08:55
Urimi i veçantë i ministres Kushi për 1 Qershorin: Të punojmë më shumë që fëmijëve tanë të mos u mungojë buzëqeshja

 

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka uruar të gjithë fëmijët për festën e 1 Qershorit, me anë të një video-mesazhi mjaft të veçantë.

“Ata meritojnë të gjitha kushtet për të jetuar një fëmijëri të bukur. E ç’kuptim do të kishte puna dhe mundimi ynë nëse në fytyrën e tyre do të mungonte buzëqeshja?!” shprehet ministrja.

Më tej ajo shton se çdo ditë për ta duhet të jetë ‘1 Qershor’, duhet të jetë festë.

“Prandaj ne do të punojmë fort që t’i rrisim të shëndetshëm dhe të lumtur, që t’i edukojmë siç duhet, që të jenë profesionistët e aftë dhe qytetarët e denjë të së nesërmes,”, thotë ajo.

Nga klasa e parë në të dymbëdhjetën, nxënës të disa shkollave 9 vjeçare dhe të mesme kanë dhënë mesazhe nga më të ndryshmet dhe kanë shprehur dëshirat e tyre me rastin e kësaj feste.

Në këtë video-mesazh tërheqin vëmendje mesazhet e Emanuelës nga ‘Instituti i Nxënësve që nuk Dëgjojnë’, dhe Anit, nxënësit të talentuar pianist nga ‘Instituti i Nxënësve që nuk Shikojnë’.

Emanuela me gjuhën e shenjave përcjell emocion të heshtur dashurie duke thënë “Ne jemi si ju!”, ndërsa Ani me pjesën e tij të luajtur bukur në piano, shoqëron të gjithë video-mesazhin e urimit për 1 Qershorin. 

“Zëri arrin aty ku shikimi nuk mundet!”, shprehet pianisti i talentuar.

Ndërsa Juarti, bën një thirrje dhe lutje të fortë: “Të gjithë të përqafojnë nxënësit me aftësi ndryshe dhe me aftësi të kufizuara!”. Ai shton se “që të gjithë duhet të bëjnë durim dhe t’i mbështesin këta fëmijë dhe nxënës”.

Fëmijë nga shkolla dhe klasa të ndryshme shprehin mesazhe kundër dhunës dhe për lumturinë fëmijëve, mesazh dashurie dhe mbështetjeje për fëmijët që rriten pa prindër, për fëmijët e sëmurë me talasemi dhe leuçemi.

Gjithashtu ata shprehen kundër bulizmit, ftojnë fëmijët ta duan librin e leximin, ndërsa për fëmijët që jetojnë jashtë Shqipërisë u bëjnë thirrje që të mos e harrojnë gjuhën shqipe.

 

Ora 08:40
1 qershori, Tritan Kalo: T’u mundësojmë fëmijëri të lumtur, të shëndetëshme, plot dritë e shpresë në vendlindje

1610435680_18marstritankaloframe13241100x6201.jpg

Mjeku infeksionist, Tritan Kalo në këtë 1 qershor, ka përcjellë një mesazh ku thotë se fëmijëve duhet t’i sigurohet një rritje e shëndetshme fizikisht e mendërisht. Mbi të gjitha Kalo thekson se kryesore është arsimimi cilësor dhe shpresa në vendin e tyre.

“T’u mundësojmë atyre një fëmijëri të lumtur, një fëmijëri të shëndetëshme fizikisht e mendërisht, një fëmijëri me mundësi edukimi e arsimimi sa më cilësor, një fëmijëri plot dritë e shpresë se vendlindja, Toka e të Parëve, Atdheu ynë i përbashkët pret shumë prej “lulëzimit” të tyre, që mos vijë duke e shteruar shpresën e shtimit dhe jo rrudhjes në numër dhe të plakjes së popullatës, sikundër po ndodh këto 30 vitet e Demon-kracisë....Shqipëria nuk mundet kurrë të ketë ardhmëri pa rritjen e brezave të rinj të plotëshëndetshëm e të mirëedukuar.

Guri peshon e rëndon vetëm në vend të vet”…Profesionalizmi duhet të jetë kriteri i vetëm i punësimit dhe jo militantizmi, konformizmi, puthadorja, nepotizmi, krahinizmi e mediokriteti…Është e domosdoshme rritja e brezave të rinj të mirëarsimuar dhe të mirëedukuar edhe me dashurinë për vendin e të parëve si dhe ndjesinë e krenarinë e të qenurit shqiptar, të përkatësisë së një Kombi të lashtë sa vetë njerëzimi….Gëzuar 1 qershorin, kudo që ndodheni ju shqipet e vogla…..Together forever”, shkruan Kalo.

Postimi i Tritan Kalos:

Kohë kovidiane....1.06.2021....Muaj të mbarë, të qetë e të begatë për JU miq, të afërm, kolegë e bashkëkombas....Më shumë punë, përpjekje, mëndjedritësi e sa më pak militantizëm, për t’u mundësuar fëmijve të Trojeve Arbërore jo vetëm një Festë të lumtur të 1 Qershorit, POR mbi të gjitha një ARDHMËRI të sigurtë e të MBROTHTË në Tokën e të parëve.....T’u mundësojmë atyre një fëmijëri të lumtur, një fëmijëri të shëndetëshme fizikisht e mendërisht, një fëmijëri me mundësi edukimi e arsimimi sa më cilësor, një fëmijëri plot dritë e shpresë se VËNDLINDJA, Toka e të Parëve, Atdheu ynë i përbashkët pret shumë prej “lulëzimit” të tyre, që mos vijë duke e shteruar shpresën e shtimit dhe jo rrudhjes në numër dhe të plakjes së popullatës, sikundër po ndodh këto 30 vitet e Demon-kracisë....SHQIPËRIA nuk mundet kurrë të ketë ardhmëri pa rritjen e brezave të rinj të plotëshëndetshëm e të mirëedukuar....Mbrothësimi progresiv i vendit, shtimi i mundësive të punësimit në Trevat Arbërore, rritja e shkallës së sigurisë së jetës në to, pak nga pak do të ulë ritmin e “rrjedhjes së trurit” jashtë vendit.... ËSHTË e pa imagjinueshme mundësimi i mbrothësimit të TROJEVE ARBËRORE nga të huajt dhe jo nga vetë bijtë e bijat e kësaj toke, të cilëve u duhen krijuar mundësitë e gjetjes së vetvetes këtu dhe jo gjetkë, sepse “guri peshon e rëndon vetëm në vend të vet”.....PROFESIONALIZMI duhet të jetë kriteri i vetëm i punësimit dhe jo MILITANTIZMI, KONFORMIZMI, PUTHADORJA, NEPOTIZMI, KRAHINIZMI e MEDIOKRITETI....Është e domozdoshme rritja e brezave të rinj të mirëarsimuar dhe të mirëedukuar edhe me dashurinë për Vendin e të parëve si dhe ndjesinë e krenarinë e të qënurit Shqiptar, të përkatësisë së një Kombi të lashtë sa vetë Njerëzimi....GËZUAR 1 QERSHORIN kudo që ndodheni ju shqipet e vogla.....Together forever!!!

Ora 08:38
Festa e 1 qershorit, Rama: Gëzuar ditën e fëmijëve

Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me një urim për ditën ndërkombëtare të fëmijëve.

“Gëzuar ditën e fëmijëve! Shqipëria e Ardhmja Jonë”, shkruan Rama në një postim në rrjetin e tij social Facebook.

Ai e ka shoqëruar urimin edhe me një fotografi kuptimplote, ku paraqitet një dorë e vockël e një fëmije duke hedhur një balonë me flamurin shqiptar në qiell.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja