TIRANË- Kjo e shtunë ka regjistruar sërish një bilanc negativ të koronavirusit! 4 humbje jete janë konfirmuar ditën e sotme me COVID-19, teksa 124 persona nga 500 të testuar kanë rezultuar pozitiv. Në bilancin ditor të Ministrisë së Shëndetësisë bëhet e ditur se viktima ka pasur në Shkodër dhe Tiranë.
"Fatkeqësisht, edhe pas përpjekjeve të mëdha të ekipeve mjekësore, në dy spitalet Covid, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen një 76 vjeçare nga Shkodra, dhe 3 qytetarë nga Tirana; një 50 vjeçar; një 75 vjeçar dhe një 76 vjeçar", njofton Ministria. Edhe ditën e sotme, njësoj si një dje, Tirana ka pasur numrin më të lartë të të prekurve, për t'u ndjekur nga Elbasani dhe Mirdita.
"Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 33 raste në Tiranë, 19 në Elbasan, 9 në Mirditë, 8 në Lushnje, nga 7 raste Fier, Krujë, 6 në Korçë, nga 4 raste në Shkodër, Durrës, Vlorë, Divjakë, 3 në Tropojë, nga 2 raste në Kurbin, Lezhë, Pukë, nga 1 rast në Kavajë, Kamëz, Pogradec, Tepelenë, Fushë-Arrëz, Dibër, Malësi e Madhe, Vorë, Maliq, Patos", bën me dije Dr. Marjeta Dervishi, përfaqësuese e Insitutit të Shëndetit Publik.
Ndërkohë, bilanc negativ është edhe numri pacientëve në terapi intesive dhe të intubuar. "Aktualisht ne spitalin Infektiv dhe "Shefqet Ndroqi" po trajtohen 116 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid19, 19 pacientë janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve të intubuar. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 41 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3268, që nga fillimi i epidemisë. Ndërkohë rreth 1600 mjekë familjeje në të gjithë vendin po ndjekin personat aktivë me Covid19, që janë në banesë", thuhet në njoftim.
Apeli i ministrisë shkon për bizneset për të respektuar protokollet e sigurisë dhe për qytetarët që të bajnë maskën dhe të ruajnë distancën fizike.
"Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, institucioneve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë, të miratuara nga autoritetet shëndetësore. Një apel edhe për qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura. Ruani distancën fizike, lani shpesh duart, përdorni maska ose barriera mbrojtëse në ambiente publike apo kudo ku nuk është e mundur të ruhet distanca, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni", përfundon Ministria.
COVID-19 – Statistika (8 Gusht 2020)
Testime totale 45381
Raste pozitive 6275
Raste të shëruara 3268
Raste Aktive 2814
Humbje jete 193 (Qarku Tiranë 94, Shkodër 32, Durrës 28, Fier 10, Elbasan 7, Lezhë 5, Kukës 5, Korçë 5, Vlorë 4, Dibër 2, Berat 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 1572
Durrës 354
Shkodër 238
Fier 105
Vlorë 102
Kukës 96
Lezhë 91
Korçë 84
Elbasan 64
Berat 44
Dibër 34
Gjirokastër 30
Mbyllet drejtoria Arsimore në Elbasan. Burime për Report Tv bëjnë me dije se drejtoresha ka rezultuar pozitiv me COVID-19, teksa mësohet se i gjithë stafi është karantinuar. Ky qytet ka pasur 19 raste të reja ditën e sotme, ku mes tyre i infektuar është edhe një ekonomist i njohur që ka një studio në qendër të qytetit.