Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili reagoi sot në Kuvend duke e akuzuar opozitën për nxitjen e dhunës në protesta, instrumentalizimin e të miturve dhe përhapjen e të pavërtetave për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Ismaili deklaroi se dhuna nuk mund të trajtohet me standarde të dyfishta, duke denoncuar atë që e cilësoi si një dhunë të koordinuar në sheshe dhe në rrjetet sociale, në funksion të interesave për pushtet.
“Dhuna ka vetëm një perceptim, ka vetëm një emër, që është dhunë. Nuk mundet dot që të justifikohet dhuna as në sheshe, as online”, u shpreh ministrja.
Duke iu përgjigjur deputetëve të opozitës për të miturit e lënduar gjatë protestave, Ismaili vuri në pikëpyetje përgjegjësinë njerëzore dhe institucionale të organizatorëve.
“Po si mundet dot të vini me krenari këtu të lexoni një listë të tërë emrash minorenësh? Pak njerëzillëk nuk e keni?”, deklaroi ajo.
Ministrja denoncoi dhe pengimin e studentëve që kanë zgjedhur të vijojnë procesin mësimor në universitete, duke mbrojtur veprimet e Policisë së Shtetit për garantimin e rendit dhe sigurisë.
“Ku është parë që huliganë protestues të shkojnë dhe të nxjerrin me dhunë studentë nga auditoret vetëm sepse nuk e pranokan dot që studenti shkon në universitet për të mësuar?”, tha Ismaili.
Në përfundim të fjalës së saj, Ismaili tha “në grahmën e fundit është një opozitë e cila ka humbur zgjedhje të lira e të ndershme dhe që për karriget e veta të munguara është gati të nxjerrë si mish për top edhe të miturit, ndër të tjera, dhe që është gati të vijojë të tentojë të bëjë të ardhmen e Shqipërisë kurban për gjithë dështimet madhështore që ka patur ndër vite.”
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Kuvend/ PD kundër aktit normativ për protestuesit e dhunshëm: Anti demokratike, tërhiqeni! PS: Selia juaj, fabrikë molotovësh! Nuk thatë një fjalë kundër djegies së policëve






