Sot 17 vite pa ish-presidentin Ibrahim Rugova, në Kosovë mbahen Homazhe! Osmani: Trashëgimia e tij do të rrojë përherë

Sot shënohet 17-vjetori i vdekjes së ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ky i fundit ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006, pas një beteje me kancerin në mushkëri. Ai u dërgua në banesën e fundit me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake. Kosova mbajti sot homazhe në nder të ish-presidentit Rugova, ku të pranishëm ishin kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani. 

Presidentja Osmani tha se trashëgimia që ka lënë pas Rugova, po u shërben tani si udhërrëfyes në përpjekjet për ta forcuar shtetin.

"Natyrisht që është pikërisht trashëgimia që ai la pas, që na shërben si dritë udhërrëfyese në përpjekjet tona të pa ndalura që ta forcojmë shtetin tonë, i cili u ndërtua me shumë mund dhe sakrificë të shumë burrave e grave të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

Kurti vlerësoi lart figurën e Rugovës si intelektual i shquar që mendoi e punoi për paqen e Kosovës.

“Vendosëm lule të freskëta të varri i presidentit Rugova. 21 janari është ditë e ftohtë dhe një ditë në të cilën teksa e përkujtojmë presidentin Ibrahim Rugova, e kujtojmë atë për qëndrimin intelektual, për sjelljen paqësore, për çështjen humaniste dhe ndërkombëtarizimin e rezistencës civile”, tha Kurti.

Para se të vdiste, Rugova kishte lënë amanet, që Kosova të mos i prishë miqësitë me vendet e fuqishme në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe që të kishte kujdes nga disa vende të tjera. Në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës.

Kush ishte Ibrahim Rugova?

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë të Komunës së Istogut. Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatojnë të atin, Ukë Rugova dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave që pkoo depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës. Ibrahim Rugova mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971.

Rugova qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Ibrahim Rugova mori doktoratën në letërsisë në Universitetin e Prishtinës më 1984. Më 1996, Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës. Po në këtë vit ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris.

Autor i dhjetë librave, Dr. Ibrahim Rugova ishte në nismëredaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj për afro dy dekada, Dr. Rugova punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike”, që e nxirrte ky Institut.

Dr. Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, e cila u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë. Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën në skenë dhe parti e grupe të tjera. Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, përmbylli kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.

Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:28
17-vjetori i vdekjes së Ibrahim Rugovës, Basha: Mirënjohje të përjetshme liderit që i dha zë aspiratës të Kosovës për liri dhe pavarësi

1674314966_ibrahim.JPG

Lulzim Basha ka ndarë një mesazh ngushëllimi në 17-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova duke e cilësuar si lider që i dha zë aspiratës të Kosovës për liri e pavarësi.

“Mirënjohje të përjetshme presidentit historik Ibrahim Rugova, liderit që i dha zë aspiratës shekullore të Kosovës për liri dhe pavarësi, arkitektit të Kosovës së pavarur, demokratike dhe Euro-Atlantike, frymëzim i pashtershëm për të nesërmen europiane të Kosovës dhe mbarë kombit”, shkroi Basha.

Ora 14:33
Kosova homazhe për 17-vjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës! Kurti: Intelektual e humanist! Osmani: Trashëgimia e tij do të rrojë përherë edhe në brezat që vijnë pas


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidenten Vjosa Osmani, kanë bërë të shtunën homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, me rastin e 17 vjetorit të vdekjes. KurtI tha se Rrugova do të kujtohet gjithmonë për qëndrimin e tij intelektual, sjelljen paqësore si dhe qasjen humaniste.

“Bashkë me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu vendosëm lule të freskëta dhe bën homazhe këtu në Prishtinë, te varri i Presidentit Ibrahim Rugova. Presidentin e parë të Republikës së parë të Kosovës dhe Presidentit të parë të Kosovës së çliruar.

21 janari është ditë e ftohtë dhe është një ditë teksa kujtojmë Presidentin Ibrahim Rugova e kujtojmë atë për qëndrimin intelektual me sjelljen paqësore e qasjen humaniste për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për kombëtarizimin e rezistencës së saj.”- tha Kurti.

Ndërsa, presidentja Osmani, ka thënë se trashëgimia që ka lënë pas ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, po u shërben tani si udhërrëfyes në përpjekjet për ta forcuar shtetin.

 “Sot në këtë përvjetor të shkuarjen në amshin të atit themeltar të Republikës së Kosovës, të presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, e përkujtojmë me mall njeriun i cili i dha zë kërkesave të drejta të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Është trashëgimia që ai la pas që na shërben si dritë udhërrëfyese në përpjeket tona të pandalura që ta forcojmë shtetin tonë, që e ndërtuam me shumë mund e sakrificë të shumë burrave e grave të Republikës së Kosovës, prandaj ashtu siç diti presidenti Rugova të ndërtojë miq e aleatë, të cilët e mbështeten Kosovën në ditët më të rënda dhe më të errëta të saj, ashtu do t’i ruajmë këto aleanca edhe në rrugën tonë përpara derisa Kosova vazhdon të përballet me sfida. I përjetshëm qoftë kujtimi për të”- tha Osmani.

Në homazhe mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

“Në 17 vjetorin e ndarjes nga jeta të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, përkujtojmë dedikimin e tij të pareshtur dhe rrugëtimin paqësor drejt pavarësisë së vendit tonë”, ka shkruar Rama.

Ora 14:08
Rama në 17-vjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës: I përjetshëm qoftë kujtimi i tij

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një mesazh ngushëllimi në 17-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova.

“I përjetshëm kujtimi i Ibrahim Rugovës”, shkruan Rama.

Ora 13:14
17-vjetori i vdekjes së Ibrahim Rugovës, Haradinaj: Do mbetet në kujtimet tona, ia kushtoi jetën lirisë së Kosovës

Ramush Haradinaj dhe Ibrahim Rugova

Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka përkujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova në 17 vjetorin e vdekjes. Haradinaj shkruan se Rugova do të një nga personalitet kryesore që tërë jetën e tij ia kushtoi lirisë së Kosovës.

“Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova do të mbetet përjetësisht në kujtimet tona si njëri ndër personalitet kryesore që tërë jetën e tij ia kushtoi lirisë së vendit dhe i vuri themelet e shtetit tonë të pavarur. E kisha për nder që të bashkëpunoj me të në ditët e para të lirisë e në një periudhë kritike të shtetndërtimit. Do ta kujtojmë gjithmonë me respekt shembullin dhe vizionin e tij”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

SI.E./LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

 Fundjavë me shi e borë, vijon dhe i ftohti! Parashikimi I motit

Fundjavë me shi e borë, vijon dhe i ftohti! Parashikimi I motit