Politika ka uruar 114-vjetorin e shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur. Mesazhe jo vetëm nga vendi, por edhe nga Kosova e partnerët ndërkombëtarë. I pari që uroi ishte kryeministri Edi Rama, i cili me një foto nga monumenti i pavarësisë në Vlorë uroi qytetarët shqiptarë, duke e lidhur festën kombëtare me aspiratën europiane të vendit.
“Mirëmëngjes dhe me 28 Nëntorin më të afërt me Europën e Bashkuar, ju uroj fundjavë të gëzuar”, shkruan Rama.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, e shoqëroi urimin me një shqiponjë dykrenare të punuar në xham nga mjeshtri Vasil Dhiamandi, duke e cilësuar atë simbol të historisë dhe identitetit kombëtar.
Nga Shtetet e Bashkuara, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, uroi shqiptarët për Ditën e Pavarësisë dhe vlerësoi partneritetin strategjik me Shqipërinë, duke veçuar bashkëpunimin në mbrojtje, në luftën kundër krimit të organizuar dhe në sigurinë kibernetike.
“I shpreh urimet e mia më të ngrohta popullit të Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë. Partneriteti ynë strategjik me Shqipërinë i bën qytetarët tanë më të begatë dhe më të sigurt, duke përfshirë edhe përpjekjet e përbashkëta për t'u përballur me kërcënimet që paraqesin grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to”, shkroi Rubio.
Edhe NATO uroi Shqipërinë për festën kombëtare, duke vlerësuar kontributin e ushtarakëve shqiptarë në misionet dhe stërvitjet e përbashkëta të Aleancës, ku vendi bën pjesë që prej vitit 2009.
Edhe nga Kosova nuk munguan urimet. Kryeministri Albin Kurti kujtoi qindra telegramet që lidhën qytetet shqiptare në ditët para shpalljes së Pavarësisë.
“Liria dhe pavarësia nuk ranë nga qielli dhe nuk u dhuruan nga asnjë konferencë”, shkroi Kurti.
Ndërkohë, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, përcollën urimet e tyre nga qelia. Meta nderoi Ismail Qemalin dhe patriotët që kontribuuan në shpalljen e Pavarësisë, duke e mbyllur mesazhin me fjalët “Një komb dhe një flamur!”
Veliaj uroi për festat e Pavarësisë dhe të Çlirimit, duke thënë se do të donte të ishte në sheshin “Skënderbej” për të ngritur flamurin dhe për të nderuar ata që dhanë jetën për Shqipërinë.
“Çdo nëntor na kujton se liria nuk na është falur”, shkroi Veliaj.
Kreu i PD Sali Berisha e cilësoi 28 nëntorin festën e të gjitha festave, por mesazhin e tij e aktualizoi me protestën për të cilën bëri thirrje që mbarë kombi të mblidhej në Tiranë në protestë të fuqishme kundër Edi Ramës dhe narkodiktaturës së tij.
“Ne e festojmë këtë ditë të madhe nën diktaturën e narkoshtetit të Edi Ramës, Pashiqit të Tiranës, i cili, në një hark kohor 14-vjeçar, ndërtoi në Shqipëri narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Evropë, zëvendësoi zgjedhjet e lira me farsat zgjedhore dhe, me politikat e regjimit kleptokratik, po shkreton dhe zbraz më shumë se çdo pushtim tjetër në histori Shqipërinë nga shqiptarët.
Sot mbarë kombi mblidhet në Tiranë në protestë të fuqishme kundër Edi Ramës dhe narkodiktaturës së tij. Le të na frymëzojnë festat e kësaj dite për ta çliruar sa më shpejt Shqipërinë nga regjimi i Pashiqit të Tiranës”, shkroi Berisha.
Vargjet e Fan Nolit, Elisa Spiropali kishte zgjedhur që së bashku me fëmijët e saj ti recitonte në një videomesazh ku uronte shqiptarët në facebook, të cilin e shpërndau me mesazhin e shkurtër ku shkruante, rron or’rron e s’vdes shqiptari.
Kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë?
Pavarësia e Shqipërisë u shpall më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali në Vlorë. Në Kuvend morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, dhe 40 prej tyre nënshkruan Aktin e Pavarësisë. Menjëherë më pas, Asambleja formoi qeverinë e parë të pavarur, të kryesuar nga Ismail Qemali, si dhe Këshillin e të Urtëve të njohur ndryshe edhe si Pleqësia. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur. 28 nëntori përkon edhe me ditën kur Gjergj Kastriot Skënderbeu ngriti më 1443 flamurin e Kastriotëve në Krujë, duke udhëhequr rezistencën kundër Perandorisë Osmane.
Report Tv dhe Shqiptarja.com urojnë të gjithë shqiptarët: Gëzuar Ditën e Pavarësisë
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përcjellë një mesazh urimi për shqiptarët me rastin e Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.
Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Thaçi ka rikthyer një deklaratë të mëhershme, në të cilën 28 Nëntorin e cilësonte si ditën më të madhe dhe më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.
Thaçi ka uruar shqiptarët që këtë festë ta kremtojnë të bashkuar, me krenari dhe dinjitet, ndërsa ka shprehur edhe besimin se nëntorët e ardhshëm do t’i festojë së bashku me ta.
“Sot është dita më e madhe dhe më e rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Është 28 Nëntori i Skënderbeut. Është 28 Nëntori i Ismail Qemalit e Isa Boletinit, i UÇK-së dhe Adem Jasharit. Sot çdo shqiptar ka festë kombëtare, shtetërore dhe familjare, sepse është festa e dinjitetit dhe krenarisë kombëtare”, thuhet në deklaratën e publikuar.
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka përcjellë një mesazh urimi për Shqipërinë me rastin e Ditës së Pavarësisë.
Përmes një postimi në rrjetin social X, llogaria zyrtare e diplomacisë serbe, ka uruar popullin dhe qeverinë e Republikës së Shqipërisë, si dhe homologët e saj në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
“Serbia uron popullin dhe qeverinë e Republikës së Shqipërisë, si dhe homologët tanë në diplomacinë shqiptare, për Ditën e Pavarësisë”, thuhet në mesazhin e publikuar në X.
Zv.kryeministrja Albana Koçiu ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e 28 Nëntorit, përmes një videoje të gjeneruar me inteligjencë artificiale ku thekson se rrugëtimi drejt Bashkimit Europian është një vazhdimësi e amanetit të lënë nga brezat e kaluar, por edhe një përgjegjësi ndaj brezave që do të vijnë.
Në mesazhin e saj, Koçiu e lidh simbolikën e flamurit kuq e zi dhe ëndrrën e brezave që luftuan për pavarësinë me të ardhmen europiane të vendit.
“Nga një copëz pëlhure e kuqe, mbi të cilën u qëndis ëndrra e një kombi, te një Shqipëri që sot shkruan kapitujt e rinj të historisë së saj. Me amanetin e brezave që na paraprinë dhe përgjegjësinë për brezat që do të vijnë, drejt Europës që kemi zgjedhur si shtëpinë tonë të përbashkët.
Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Shqipëri! E bukur, e lirë dhe gjithmonë krenare”, shkruan Koçiu.

Ministrat e Jashtëm të Hungarisë, Sllovenisë dhe Kroacisë kanë uruar shqiptarët me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë, duke rikonfirmuar mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në mesazhet drejtuar homologut shqiptar, Ferit Hoxha, ministrja e Jashtme e Hungarisë, Anita Orban, dhe ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Tone Kajzer, shprehën angazhimin e vendeve të tyre për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe mbështetjen e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.
Ndërkohë, kryediplomati kroat, Gordan Grliç-Radman, vuri në dukje miqësinë e gjatë mes dy vendeve, partneritetin në NATO dhe angazhimin e përbashkët për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
“Kroacia mbetet një mbështetëse e palëkundur e integrimit europian të Shqipërisë. Gëzuar Ditën e Pavarësisë! Rroftë miqësia shqiptaro-kroate!”, shkruan ai në mesazhin e urimit.
Pas një jave përplasjesh politike, deklaratash të forta dhe akuzash ndaj kryeministrit Edi Rama, Elisa Spiropali ka zgjedhur gjuhën e poezisë për të uruar shqiptarët në 114-vjetorin e Pavarësisë.
Këtë 28 Nëntor, deputetja, tashmë jashtë grupit parlamentar socialist, është shfaqur së bashku me fëmijët e saj, duke zgjedhur vargjet e Lasgush Poradecit,
“Hija ime nuk di dhunë,
Di veç frymëzim lirije,
Dhe di punë, punë, punë,
Mund pa fund për art magjije.”
Në një tjetër moment të karrierës së saj politike, zgjedhja e këtyre vargjeve mund të lexohej thjesht si një urim për festën kombëtare. Por në kontekstin e përplasjes së saj me Edi Ramën dhe përjashtimit nga grupi parlamentar socialist, vargjet e Lasgushit marrin edhe një tjetër kuptim.
Veçanërisht domethënëse janë vargjet me të cilat nis poezia:
“Ju më lini të flas unë,
T’u them fjalë vjershërije,
Në bunacë a në furtunë
Të këndoj siç më ka hije.”
Vetëm pak ditë më parë, Spiropali kritikoi publikisht mungesën e debatit të brendshëm në Partinë Socialiste, përqendrimin e pushtetit dhe personalizimin e partisë.
Në reagimet që pasuan largimin e saj nga strukturat drejtuese të PS-së, ajo iu referua krijesave mitologjike, dhisë së malit dhe figurave historike si Kleopatra, për të shprehur vendosmërinë e saj për të mos u dorëzuar.
Këtë herë, në vend të metaforave të forta me të cilat iu përgjigj kundërshtarëve të saj politikë, Spiropali ka zgjedhur vargjet e një prej poetëve më të mëdhenj shqiptarë. Urimi vjen gjithashtu pak ditë pasi kryeministri Edi Rama deklaroi se Spiropali tashmë është një njeri i lirë në jetën politike dhe se nuk është më e detyruar të ndjekë atë apo Partinë Socialiste.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka përcjellë një urim të veçantë për të gjithë efektivët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, që shërbejnë brenda dhe jashtë vendit, me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë. Nufi ka shprehur mirënjohjen për burrat dhe gratë që janë betuar përpara flamurit kombëtar, duke i cilësuar ata si vazhdues të trashëgimisë së brezave që kanë sakrifikuar për lirinë e Shqipërisë.
Urimi i plotë
"Në këtë ditë të shënuar për mbarë kombin shqiptar, dua t’u përcjell një urim të veçantë të gjithë burrave dhe grave në shërbim të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Për ju, që jeni betuar përpara Flamurit Kombëtar, kjo festë ka një kuptim edhe më të veçantë. Ju keni marrë përsipër nderin, por edhe barrën e madhe të mbajtjes së këtij flamuri, jo vetëm mbi uniformën tuaj, por edhe në ndërgjegjen tuaj, në çdo ditë të shërbimit ndaj Atdheut.
Trimëria, besnikëria dhe dashuria për lirinë kanë qenë ndër virtytet më të spikatura të shqiptarit përgjatë historisë. Breza të tërë shqiptarësh kanë dëshmuar se, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e Atdheut, asnjë sakrificë nuk është më e madhe se detyrimi ndaj tij. Ju jeni sot vazhduesit e kësaj trashëgimie dhe përfaqësuesit e këtyre virtyteve.
Në këtë 28 Nëntor, dëshiroj të shpreh mirënjohjen dhe respektin tim më të thellë për secilin prej jush ne Forcave tona të Armatosura, kudo ku shërbeni, brenda apo jashtë kufijve të Shqipërisë.
Në një ditë kur të gjithë shqiptarët krenohen me Flamurin Kombëtar, ju meritoni një nderim të veçantë, sepse keni zgjedhur që krenarinë për të ta ktheni në detyrë, dashurinë për Atdheun në shërbim dhe besnikërinë ndaj Shqipërisë në një betim që ju shoqëron gjatë gjithë jetës.
Gëzuar Festën e Flamurit, ju dhe familjeve tuaja!
Nder dhe respekt për të gjithë ata që i shërbejnë Atdheut!
Lavdi Flamurit Kombëtar!'
Ministri Blendi Gonxhja ka zgjedhur mikpritjen shqiptare për të përcjellë urimin e tij në 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Nga bujtinat e Thethit, rrugicat e Beratit e deri në brigjet e Jonit, Gonxhja shkruan se vizitorët europianë po e njohin Shqipërinë përmes mikpritjes së familjeve shqiptare. “
"Deri pak kohë më parë Europa na njihte nga hartat. Sot na njeh nga oborri dhe tryeza e shtepisë sonë. Çdo vizitor europian që ulet në një bujtinë në Theth, shëtit në Berat a lundron në brigjet e Jonit, kthehet në shtëpi duke ditur diçka që ne e dimë prej kohësh: ky vend është Europë. Sot dua t'i uroj tëra ata që hapin dyert nga Vermoshi ne Butrint. Familjet që shtrojnë bukën për mikun. Gëzuar Ditën e Pavarësisë, dhe miq paçi gjithmonë!" tha Gonxhja.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka përcjellë urimin për festat e Nëntorit përmes një videomesazhi së bashku me vajza dhe djem të Policisë së Shtetit.
“Lirinë e trashëguam, të ardhmen e ndërtojmë bashkë!”, është mesazhi i ministrit, i cili e lidh përgjegjësinë për të ardhmen e vendit me kujdesin për njerëzit, sigurinë e fëmijëve dhe mundësinë që familjet ta ndërtojnë jetën në Shqipëri.
“E bëjmë duke i qëndruar pranë atij që ka nevojë, duke u kujdesur që fëmijët të rriten të sigurt dhe që çdo familje ta ndërtojë jetën këtu, në Shqipëri”, shkruan Demo në mesazhin shoqërues.
Videoja sjell pamje të punonjësve të Policisë në shërbimin e përditshëm: në komunikim me qytetarët, në menaxhimin e qarkullimit, pranë shkollave dhe në patrullim.
Ministri shpreh mirënjohjen për punonjëset dhe punonjësit e Policisë së Shtetit që edhe gjatë festave qëndrojnë në detyrë, për t’u mundësuar qytetarëve të festojnë të qetë pranë njerëzve të tyre.
“Edhe në emër të tyre, ju uroj gëzuar festat e Nëntorit! Gjithmonë në shërbim të njerëzve!”, përmbyll urimin ministri Demo.

Policia e Shtetit ka uruar të gjithë qytetarët shqiptarë me një mesazh të publikuar në rrjetet sociale.
Institucioni thekson se punonjësit e policisë janë në shërbim të flamurit, qytetarëve dhe atdheut, në çdo cep të vendit ku festohet historia dhe identiteti kombëtar.
Postimi i plotë:
Policia e Shtetit ju uron Gëzuar 28 dhe 29 Nëntorin!
Në çdo cep të Shqipërisë, aty ku valëvitet flamuri kuqezi, ku historia flet përmes kalave dhe monumenteve, kuqezinjtë bashkohen në nderim të historisë dhe të sakrificës së brezave. Aty jemi edhe ne, punonjësit e Policisë së Shtetit, në shërbim të flamurit, qytetarëve dhe atdheut.
Me krenarinë për historinë tonë, nderimin për Dëshmorët dhe sakrificën e brezave që bënë të mundur lirinë dhe pavarësinë, si dhe me përgjegjësinë për të ardhmen, nderojmë këto data të shënuara, që përfaqësojnë identitetin, dinjitetin dhe ekzistencën e Shqipërisë.
Gëzuar Shqipëri!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, uroi shqiptarët për 28 Nëntorin duke risjellë në vëmendje qindra telegramet që lidhën qytetet shqiptare në ditët para shpalljes së Pavarësisë. Përmes tyre, Kurti kujtoi kontributin e njerëzve që nga një zyrë telegrafike në tjetrën ndihmuan në organizimin e shpalljes së Pavarësisë, duke thënë se "liria dhe pavarësia nuk ranë nga qielli".
"Sa herë që vjen kjo ditë e shënuar e 28 Nëntorit, të gjithëve na shfaqet në mendje e njëjta pamje: një flamur që shpaloset nga ballkoni i asaj shtëpie në Vlorë ku qëndronte Ismail Qemali me atdhetarë të tjerë. Por sot dua të flas për një tjetër pamje: për një varg telegramesh që do të mund të quheshin flamurtha të pavarësisë. Nga të dhënat historike tani e dimë se pavarësia e Shqipërisë, para se të shfaqej si flamur, ishte një vargan prej qindra telegramesh, që, duke lëvizur nga njëri qytet i Shqipërisë në tjetrin, thurën shpalljen e pavarësisë, ashtu sikurse gishtat e Marigonës që thurën Flamurin Kombëtar duke lëvizur gjilpërën nga një vrimë e pëlhurës në tjetrën.
Vargu i këtyre telegrameve nis më 9 nëntor 1912, me tridhjetë e dy fjalë nga Vjena: «Me vaporin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipniës âsht sigurue.» Dërgohej nga Ismail Qemal Vlora. Këtij telegrami, rastësisht apo jo, i mungon adresa, por ne sot e dimë se adresa ishin zemrat e të gjithë shqiptarëve, e të gjithë dëshmorëve të rënë, e të gjithë atdhetarëve të gjallë e të vdekur, që kishin punuar pareshtur për këtë ditë të bekuar.
Nëntë ditë më vonë, paria e Vlorës i përcjell një telegram të radhës me rreth shtatëdhjetë fjalë te kryetarët e bashkive të tridhjetë qyteteve, nga Janina te Shkodra, nga Kosturi te Peqini: «I thirrni të gjithë. Gjer sa të mbërrij un, mbani qetësiën e bashkimin.» Dhe këtu nisi puna e vërtetë, sepse nën atë telegram është ruajtur edhe shënimi i zyrës telegrafike të Elbasanit. E mori në orën 10:40 dhe e përcolli në orën 12:15 për Strugën, Ohrin, Korçën, Dibrën dhe Manastirin. Po atë ditë për Tiranën, Krujën, Kavajën, Durrësin dhe Shkodrën. Për Peqinin të nesërmen, në 9:20 të mëngjesit. Këto janë orët, janë minutat dhe janë sekondat kur po niste pulsimi i zemrës së një shteti që bashkohej me rrahjet e aparatit telegrafik. Kjo ishte e gjithë infrastruktura e pavarësisë sonë: një tel prej bakri dhe disa njerëz që nuk ndaleshin së përcjelli fjalë nëpër këto shtigje të holla telash.
Ndërkohë Ismail Qemali po vazhdonte shtegtimin. Kur i lexojmë sot, shohim se telegramet e atyre ditëve nuk përmbajnë porosi me ide madhështore. Flasin, fjala vjen, për karroca e për kuaj. Bektash Cakrani i shkruan Aziz Pashës në Berat se duhen karroca për në Durrës «nga shkaku qi Viosa ka ardhë shum e nuk ka va».
Duket gati e pabesueshme, por kështu po lindte një shtet, duke kërkuar të sigurohej një karrocë, duke paralajmëruar për lumin e fryrë, duke kërkuar kuaj. Dhe asgjë nga këto nuk ndodhte në qetësi, por brambullonte brenda një rrethi prej zjarri armatash të huaja që kishin mbërthyer kufijtë e tokave shqiptare dhe po e ngushtonin unazën dita-ditës. Ja një telegram tjetër: 25 nëntor, Qukës, ora 10:25 e mëngjesit. Dërguesi është komandanti serb Simoviqi:
«Populli mysliman e i krishtênë i Ohrit e i Strugës u-dha. Ju do t’epeni apo jo? Tridhet mijë ushtarët tonë serb qi ndodhen n’Ohër, janë ngarkue me ndjekun ata qi nuk epen. Pres përgjegjë me doemos.»
Kjo është atmosfera e trazuar e atyre ditëve, vetëm tri ditë para ngritjes së Flamurit. Komandanti kriminel serb kërkonte dorëzimin, nënshtrimin e një populli, derisa para shqiptarëve po shfaqeshin rrezet e para të Lirisë.
Dikush, po ashtu, mund të mendojë se flamuri u ngrit një herë, në një vend. Por historia na dëshmon se as kjo nuk ishte kështu. Dy ditë më parë kishte lajmëruar Tirana: «sot Tirana ngriti flamurin kombëtar edhe shpalli independencën n’emën të gjithë Shqipniës». Të nesërmen e shpallën Durrësi, Kavaja, Peqini, Lushnja. Dhe pastaj vjen Njëzet e Teta: në linjën telegrafike midis Vlorës e Elbasanit, Lef Nosi shkruan katër fjalë: «Ngrini-e sa mâ shpejt.» Elbasani përgjigjet me tri: «Ndashti po e ngremë.» Atë pasdite, në orën katër, në shtëpinë e Xhemil Beut, dyzet burra që kishin ardhur me kalë, me vapor e në këmbë nga Berati, Dibra, Ohri, Gjirokastra, Peja, Gjakova dhe Durrësi, vendosën «me një zâ» që Shqipëria «me sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme». Po atë ditë, Luigj Gurakuqi shkroi një telegram prej rreth shtatëdhjetë fjalësh dhe ia dërgoi pesëmbëdhjetë gazetave të Evropës — Corriere della Sera, Le Temps, The Times, Neue Freie Presse etj.: «Assemblea Kombëtare… shpalli Independencën e Shqipniës.»
Ne jemi mësuar ta kujtojmë atë ditë si vepër grash e burrash të mëdhenj. Dhe ajo, pa dyshim, ishte e tillë. Por kur i lexon dokumentet një nga një, sheh edhe diçka tjetër: sheh një telegrafist në Fier që numëron tetëmbëdhjetë fjalë për të thënë se Ismail Qemali mbërriti shëndoshë e mirë, sheh kryeplakun e një lagjeje në Ohër që nënshkruan në emër të të gjitha lagjeve, sheh njerëz që paguanin për çdo fjalë, e që prapë i shpenzonin për t’i thënë po pavarësisë.
Liria dhe pavarësia nuk ranë nga qielli dhe nuk u dhuruan nga asnjë konferencë. Ato u përcollën me këmbëngulje brez pas brezi, fjalë pas fjale, nga ati te e bija, nga nëna te i biri, nëpër zjarre betejash të panumërta dhe në fund nga një zyrë telegrafike në tjetrën, që një ditë nëntori të shohim atë Flamur të ringrihet pas 469 vjetësh, po më 28 nëntor, mbi një godinë të Vlorës, ashtu si ishte ngritur dikur në kështjellën e Krujës së Skënderbeut. Gëzuar", shkruan Kurti.

Ilir Meta uroi shqiptarët për 114-vjetorin e Pavarësisë, duke nderuar Ismail Qemalin dhe patriotët që kontribuuan në shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912.
“Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar dhe 114-vjetorin e Pavarësisë! Nga Vlora e Ismail Qemalit në Mitrovicën e Isa Boletinit, nga Kruja e Skënderbeut në Prekazin heroik të Adem Jasharit, të valojë përjetësisht krenar në trojet shqiptare Flamuri Kuqezi, i pastër si gjaku i derdhur për Liri.
Nderim i përjetshëm për Ismail Bej Vlorën dhe të gjithë patriotët që me sakrificë e përkushtim përjetësuan 28 Nëntorin e vitit 1912. Një komb dhe një flamur! Gëzuar 28 Nëntorin të gjithë shqiptarëve”, shkruan Meta.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka uruar qytetarët me rastin e festave të 28-29 Nëntorit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Veliaj thotë se dëshira e tij është të ishte në Sheshin Skënderbej për të nderuar ata që dhanë jetën për Shqipërinë.
Qytetari i parë i Tiranës ndër të tjera thekoson se amaneti i të parëve tanë nderohet duke mbrojtur lirinë dhe drejtësinë e duke ndërtuar një Shqipëri ku fëmijët tanë të jetojnë të lirë dhe krenarë që janë shqiptarë.
"Gëzuar festat e 28-29 Nëntorit!
Do të doja shumë që edhe këtë nëntor të isha në Sheshin Skënderbej, për të ngritur lart Flamurin Kuqezi dhe për të nderuar ata që dhanë jetën për Shqipërinë.
Çdo nëntor na kujton se liria nuk na është falur. Ajo është fituar me gjak, është mbrojtur me sakrifica dhe duhet ruajtur me guxim e dinjitet.
Amaneti i të parëve tanë nderohet duke mbrojtur lirinë dhe drejtësinë e duke ndërtuar një Shqipëri ku fëmijët tanë të jetojnë të lirë dhe krenarë që janë shqiptarë.
Lavdi përjetë heronjve dhe dëshmorëve të atdheut!
Gëzuar Pavarësinë! Gëzuar Çlirimin!", shkruan Veliaj.

NATO ka uruar sot Shqipërinë me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke e cilësuar vendin tonë një aleat të rëndësishëm brenda Aleancës.
Në mesazhin e urimit, NATO thotë se shërbimi i ushtrisë sonë kontribuojnë në stërvitje shumëkombëshe, misione të NATO-s dhe bashkëpunim ushtarak në të gjithë Aleancën.
“Që nga viti 2009, Shqipëria është pjesë integrale e mbrojtjes kolektive të NATO -s, me anëtarë të shërbimit shqiptar që kontribuojnë në stërvitje shumëkombëshe, misione të NATO-s dhe bashkëpunim ushtarak në të gjithë Aleancën. Në Ditën Kombëtare të Shqipërisë, ne njohim përkushtimin dhe shërbimin e kolegëve tanë shqiptarë. Gëzuar Ditën Kombëtare, Shqipëri”, shkruan Aleanca në X.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi ka uruar shqiptarët me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë. Në mesazhin e tij për 28 Nëntorin, ai kujton ngritjen e flamurit në Vlorë më 1912 dhe sakrificën e brezave që luftuan për liri.
Postimi i plotë i Ermal Nufit
28 Nëntori – dita që bashkon historinë, krenarinë dhe identitetin tonë kombëtar!
Nga Vlora historike e vitit 1912, ku Ismail Qemali, Dom Nikollë Kaçorri dhe firmëtarët e Pavarësisë ngritën flamurin kuqezi, nisi një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare.
Një ditë që mbart në vetvete sakrificën e brezave, guximin e atyre që luftuan për liri dhe krenarinë e të qenit shqiptarë. Një histori e shkruar me gjak, përkushtim dhe dashuri për atdheun, që vazhdon të na frymëzojë edhe sot.
Flamuri kuqezi mbetet simboli që na bashkon, na përfaqëson dhe na kujton rrënjët e vlerat tona kombëtare.
Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë!

Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë shqiptarë me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Teksa ka shpërndarë një foto nga Vlora kreu i qeverisë e lidh festën kombëtare me aspiratën drejt rrugës në Bashkimin Eurpian
“Mirëmëngjes dhe me 28 nëntorin më të afërt me europën e bashkuar, ju uroj fundjavë të gëzuar”, shkruan Rama.
Në Ditën e Pavarësisë, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi përcjell urimin e tij për të gjithë shqiptarët duke sjellë në vëmendje simbolin që na bashkon dhe na kujton rrënjët, historinë dhe dashurinë për vendin.
“Një shqiponjë në xham, por me gjithë shpirtin e Shqipërisë brenda saj”, shkruan Kryetari Peleshi, duke e lidhur simbolin tonë kombëtar me historinë e brezave që luftuan për liri, sakrificat e tyre dhe krenarinë që trashëgojmë brez pas brezi.
Në mesazhin e tij, Peleshi vë theksin te ajo që na bashkon si shqiptarë, kujtesa, identiteti dhe ndjenja e përkatësisë. Një ftesë për të mos harruar nga vijmë dhe për të ecur përpara me dinjitet duke mbajtur gjithmonë gjallë dashurinë dhe krenarinë për Shqipërinë.
Mesazhi i Kryetarit Peleshi shoqërohet me realizimin e një vepre arti në xham nga mjeshtri Vasil Dhiamandi, ku shqiponja dykrenare merr jetë përmes talentit dhe mjeshtërisë së tij duke sjellë në një formë artistike simbolin që mishëron historinë dhe identitetin tonë kombëtar.

Foto: Marco Rubio
Një mesazh urimi për 114-vjetorin e Pavarësisë ka ardhur edhe nga SHBA. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio uron në emër të SHBA popullin shqiptar, ndërsa vlerëson partneritetin e fortë me Shqipërinë.
Në një deklaratë zyrtare, Rubio vë theksin edhe te bashkëpunimi mes dy vendeve për t'iu përgjigjur kërcënimeve kibernetike.
Deklarata e plotë
Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i shpreh urimet e mia më të ngrohta popullit të Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë.
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një marrëdhënie të fortë të ndërtuar mbi sigurinë kolektive, prosperitetin ekonomik dhe lidhjet midis njerëzve. Ne mirëpresim thellimin e bashkëpunimit të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara në çështje kyçe të mbrojtjes dhe politikës së jashtme.
Partneriteti ynë strategjik me Shqipërinë i bën qytetarët tanë më të begatë dhe më të sigurt, duke përfshirë edhe përpjekjet e përbashkëta për t'u përballur me kërcënimet që paraqesin grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to. Ne gjithashtu i vlerësojmë përpjekjet tona të përbashkëta për t'iu përgjigjur kërcënimeve kibernetike, ndërsa Shqipëria rrit aftësitë e saj të sigurisë kibernetike. Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të thellojmë të gjitha aspektet e marrëdhënies sonë të dobishme reciprokisht.






Komente
Komento