Sot 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas! Uron politika: Jeni forca e vërtetë

Sot 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas! Uron politika: Jeni forca e vërtetë

Rama ndan trëndafila për gratë më 8 Mars

Sot është 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, ditë e cila shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim për disa dekada.

Forcën e vërtetë të jetës dhe shoqërisë sonë i vlerësoi Presidenti Bajram Begaj gratë shqiptare. Në një mesazh për 8 marsin, kreu i shtetit ndan bekimi për gratë. 

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali përveç urimit zgjodhi të kujtojë ato gra që nuk shpëtuan dot nga dhuna, vajzat që nuk u arsimuan sepse nuk i lejuan, ato që u shkelën dhe u shfrytëzuan,  por edhe të gjitha ato që ia dolën duke sfiduar pengesat.

"Në historinë tonë të mundimshme gratë kanë qenë shembull i jashtëzakonshëm i një feminizmi të fshehtë e pa bujë, por të denjë po aq sa ai i grave të këtij kontinenti, e botës ku përkasim", tha Spiropali. 

Mbështetje dhe promovim të mëtejshëm të grave në diplomaci garantoi ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani

"Në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, gratë përbëjnë sot 59% të stafit diplomatik shqiptar, me gjithsej 300 prej tyre që punojnë në shërbimin e jashtëm të Shqipërisë. Kur gratë janë të përfshira në proceset e paqes, marrëveshjet kanë më shumë mundësi të zgjasin dhe të jenë të qëndrueshme", tha Hasani.

Nga qelia, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se u kujdes të lë porosi të veçantë që përgjatë 8 marsit, gratë dhe vajzat të përdorin transportin publik falas. 

Një urim për vajzat, gratë dhe nënat shqiptare ndau nga paraburgimi edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta duke theksuar së vlerat e familjes po cënohen nga axhendetat antikombëtare sorosiste sipas tij të "Prindit 1 - Prindi 2".

Për ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Hoxha, gratë në strukturat e policisë janë shembull i forcës dhe vendosmërisë. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:54
8 Marsi, Policia e Beratit u dhuron lule vajzave dhe grave të qytetit (VIDEO)

Policia e Beratit ka vendosur të surprizojë sot të gjitha drejtueset femra në timon, që qarkullojnë në rrugët e qytetit.

Kanë qenë efektivët e qarkullimit rrugor që pasi i kanë ndaluar me justifikimin për t’u kërkuar dokumentacionin, i kanë dhuruar nga një lule.

Kjo nismë speciale e Policisë së Beratit vijoi për rreth 2 orë duke krijuar edhe një atmosferë të veçantë në qytet.

“Gëzuar 8 Marsin nga Policia Rrugore e Beratit

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, punonjësit e Policisë Rrugore në DVP Berat organizuan një aktivitet të veçantë, duke shpërndarë lule në qytet për drejtueset e mjeteve, si një shenjë respekti dhe mirënjohjeje për rolin e tyre të rëndësishëm në shoqëri.

Urime 8 Marsin! Urojmë që kjo ditë të jetë një moment vlerësimi dhe reflektimi për kontributin, forcën dhe rolin e pazëvendësueshëm të grave në familje, shoqëri dhe çdo fushë të jetës”, shkruhet në faqen zyrtare të Policisë së Beratit.

Ora 11:51
Meta nga burgu uron gratë dhe vajzat për 8 Mars: Asnjë fjalë nuk arrin të shprehë mirënjohjen për sakrificat e tyre

Foto: Ilir Meta

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka përcjellë sot një mesazh nga burgu për të gjithë vajzat edhe gratë. Në postimin e tij në Facebook Meta shprehet se nuk ka fjalë që të shpreh mirënjohjen për sakrificat që ato bëjnë për familjet e tyre.

Mesazhi i plotë i Metës:

Një urim nga zemra për të gjitha vajzat, gratë dhe nënat shqiptare: GËZUAR 8 MARSIN!

Asnjë fjalë nuk arrin dot të shprehë të gjithë mirënjohjen për sakrificat e panumërta të tyre për familjen, të cilën ato e mbrojnë duke lartësuar vlerat e saj themelore, të rrezikuara sot më shumë se kurrë më parë nga axhendat antikombëtare sorosiste të "Prindit 1 - Prindi 2" dhe shpopullimit dramatik të Shqipërisë.

Fuqizimi ekonomik dhe shoqëror i gruas shqiptare është prioritet madhor i Partisë së Lirisë, që do ta bëjë Shqipërinë shumë më të zhvilluar, më njerëzore, më të drejtë dhe më të lumtur.

Më 11 Maj, nëpërmjet "Aleancës për Shqipërinë Madhështore" jam i bindur se zëri juaj do të dëgjohet më fort se kurrë për të mirën e familjes dhe të të gjithë shoqërisë tonë!

Ora 11:13
8 Marsi, Spiropali: Gratë shqiptare, shembull i jashtëzakonshëm i një feminizmi të fshehtë

Foto: Elisa Spiropali

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali uroi sot vajzat dhe gratë me rastin e festës së 8 Marsit. Përmes një mesazhi Spiropali shprehet se shoqëria jonë mund të quhet e përmbushur dhe e denjë në misionin e saj vetëm kur gruaja të respektohet plotësisht.

Mesazhi i plotë i Spiropalit:

Sot më 8 Mars, përveç urimit të natyrshëm e me gjithë zemër për të gjitha gratë dhe vajzat, dua të kujtoj me respekt të thellë ato që nuk shpëtuan dot nga dhuna, ato që shpëtuan por nuk u shëruan, vajzat që nuk u arsimuan sepse nuk i lejuan, ato që u shkelën dhe u shfrytëzuan, vajzat e martuara me detyrim, ato që përfliten sepse guxojnë, ato që kurrë nuk u lejuan ta shfaqin personalitetin, por edhe të gjitha ato gra dhe vajza që ia dolën duke sfiduar pengesat, ato gra të guximshme dhe inteligjente të potencialit të pakufishëm njerëzor që rri i fshehur tek vajzat e jashtëzakonshme shqiptare kudo ku janë, kudo ku vuajnë, kudo ku lodhen, kudo ku triumfojnë.

De Beauvoir thoshte se gratë e kuptuan rolin e tyre kur burrat ikën në luftë. Modestisht do të thoja se gratë shqiptare e kishin kuptuar këtë gjë shumë herët sepse historia i detyroi burrat e tyre përherë të luftonin e emigronin. Në historinë tonë të mundimshme gratë kanë qenë shembull i jashtëzakonshëm i një feminizmi të fshehtë e pa bujë, por të denjë po aq sa ai i grave të këtij kontinenti, e botës ku përkasim.

Shoqëria shqiptare mund të quhet e përmbushur dhe e denjë në misionin e saj vetëm kur gruaja të jetë plotësisht e respektuar në lirinë e saj, dhe të ketë hapësirën e plotë për rolin e saj krejt unik në shoqëri.

Përveç ecjes kulturore që kërkon ky proces, jam e përkushtuar që në binarin politik e shtetëror, të punoj me krejt energjitë e mia në Kuvendin e Shqipërisë që ky mision të jetë i përmbushur.

Ora 10:39
8 Marsi, Policia e Elbasanit dhuron lule për gratë dhe vajzat e qytetit

Foto: Një polic duke i dhuruar lule një zonje

Me rastin e festës së 8 Marsit Policia e Elbasanit ka dhuruar lule të gjithë vajzave dhe grave në këtë qytet.

Urimi i policisë bashkiake vjen përmes një urimi në Facebook dhe disa fotove të publikuara kur kanë dhuruar lulet

“Gëzuar 8 Marsin për të gjitha Gratë dhe Vajzat nga Policia Bashkiake Elbasan”, shkruhet në faqen e tyre zyrtare.

Ora 10:10
Ministri Hoxha për festën e 8 Marsit: Gratë një shembull i fuqishëm i forcës dhe vendosmërisë

1741425138_ervinhoxha.JPG

Foto: Ministri Ervin Hoxha me punonjëse të Policisë

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha uroi sot të gjitha gratë për festën e 8 Marsit. Përmes një postimi në rrjetet sociale Hoxha shprehet se gratë janë një shembull i fuqishëm i forcës dhe vendosmërisë.

Postimi i plotë:

Së bashku me Sekretaren e Përgjithshme, Suzana Hoxha, zhvilluam një takim frymëzues dhe u shprehëm falënderime punonjëseve të Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të varësisë, me rastin e festës së 8 Marsit.

Me përkushtimin, profesionalizmin dhe sakrificat e përditshme, gratë në strukturat e sigurisë janë një shembull i fuqishëm i forcës dhe vendosmërisë.

U përcollëm urimet më të ngrohta, duke konfirmuar mbështetjen për fuqizimin e grave në çdo aspekt të jetës dhe karrierës.

Gëzuar 8 Marsin, gjithë nënave e vajzave që me punë dhe përkushtim kontribuojnë për një shoqëri më të sigurt e më të drejtë!

 

Ora 09:52
8 Marsi, Hasani: Gratë shqiptare pjesë e pandashme e diplomacisë! Kanë kontribuar në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka uruar të gjithë vajzat dhe gratë për festën e 8 Marsit.

Gjatë akitivitetit të organizuar në mjediset e kësaj ministrie Hasani vlerësoi rolin dhe kontributin e grave në diplomaci, një fushë që ka parë transformime të rëndësishme dhe të vazhdueshme përgjatë viteve të fundit. 

“Gratë shqiptare janë pjesë e pandashme e diplomacisë dhe kanë kontribuar në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke hapur mundësi të reja për zhvillim dhe paqe. Ky ndryshim i rëndësishëm është rrjedhojë e përpjekjeve të vazhdueshme për të krijuar një shoqëri dhe një diplomaci më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse”, u shpreh ai. 

Ministri Hasani ndau para të pranishmëve edhe disa shifra pozitive në lidhje me numrin e grave që janë pjesë e stafit diplomatik shqiptar, fakte që sipas tij përbëjnë arritje të jashtëzakonshme dhe janë dëshmi e transformimeve të mëdha që po ndodhin në Shqipëri.

“Në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, gratë përbëjnë sot 59% të stafit diplomatik shqiptar, me gjithsej 300 prej tyre që punojnë në shërbimin e jashtëm të Shqipërisë”, shtoi Hasani.

Sipas tij, roli i grave në diplomaci ka një ndikim të rëndësishëm në politikën e paqes dhe të sigurisë. 

“Kur gratë janë të përfshira në proceset e paqes, marrëveshjet kanë më shumë mundësi të zgjasin dhe të jenë të qëndrueshme. Pra, ata nuk janë vetëm pjesë e zgjidhjes, por janë gjithashtu katalizatorët që kontribuojnë në arritjen e këtyre marrëveshjeve”, nënvizoi Hasani duke theksuar gjithashtu se do të vazhdohet pa ndërprerje mbështetja dhe promovimi i mundësive të barabarta për gratë në të gjitha fushat, përfshirë diplomacinë. 

Ora 08:09
8 marsi, Presidenti Begaj: Gratë shqiptare forca e vërtetë e jetës sonë

Foto: Bajram Begaj dhe një zonjë

Presidenti Bajram Begaj, uroi sot të gjitha gratë shqiptare me rastin e 8 Marsit, duke i cilësuar ato forcën e vërtetë të jetës së shoqërisë sonë.

Përmes një mesazhi në profilin e tij zyrtar në rrjetet sociale, Begaj përcolli urimin bashkë me foto të takimeve të tij me zonja gjatë vizitave nëpër Shqipëri apo në pritjet e zhvilluara në Institucionin e Presidentit.

“Bekuar qofshin gratë shqiptare, forca e vërtetë e jetës sonë!", shkroi Bajram Begaj.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 30 Mars, 00:06

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?



×

Lajmi i fundit

Turistët izraelitë: Mezi presim muzeun hebre në Vlorë! Mirënjohës shqiptarëve për strehimin gjatë luftës

Turistët izraelitë: Mezi presim muzeun hebre në Vlorë! Mirënjohës shqiptarëve për strehimin gjatë luftës