Reali dhe Bayerni do zhvillojnë sonte ndeshjen e dytë gjysmëfinale, para finales së madhe të Munich në 19 Maj. Madrilenët kanë detyrën të përmbysin rezultatin nga ndeshja e parë, kurse bavarezët shkojnë në Santiago Bernabeu për ta mbrojtur avantazhin e krijuar në Allianz Arena 2-1.

Real Madridi dhe Bayerni do ta kërkojnë finalen e Munichut, pas përballjes së tyre të dytë në harkun e një jave. Madrilenët u mposhtën në Allianz Arena për herë të parë këtë vit në këtë kompeticion, por ‘Los Blancos’ duhet t’i falen golit të vlefshëm në udhëtim të realizuar nga Mesut Ozil. Fitorja 1:0 do t’u mjaftonte atyre që të prekin finalen në vitin e tyre të dytë nën drejtimin e trajnerit Jose Mourinho.

Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema kanë filluar të kuptohen mirë, prandaj Reali është bërë më i rrezikshëm këtë sezon. “Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme për ne dhe duhet të fitohen. Kemi gjithmonë përgjegjësi t’i fitojmë ato. E duam finalen e Ligës së Kampionëve”, ka thënë trajneri i Realit, Jose Mourinhos, i motivuar pas fitores së madhe në El Clasico në duel me Barcelonën.

Në anën tjetër, bavarezët do të mundohen ta mbrojnë avantazhin e krijuar në duelin e parë. Mario Gomez, i mbështetur nga dyshja Frank Ribery-Arjen Robben, ka detyrën që të eliminojë nëntë herë kampionin evropian dhe të luajë në stadiumin e tij në finalen e 19 majit. Bayerni ka më shumë lojtarë që kanë kartonë dhe që mund të mungojnë në finalen eventuale, nëse ndëshkohen sërish, plot 7 futbollistë. (rb/shqiptarja.com)