Sot Dita Botërore e Autizmit
Shtohet numri i fëmijëve të preku

TIRANE- Sot në ditën Botërore të Autizmit është e vështirë që në vend të gjesh shifra të sakta të numrit të fëmijëve të prekur nga autizmi. Mjekët konfirmojnë se numri i rasteve është në rritje, por kjo edhe për shkak të ndërgjegjësimit dhe njohjes së kësaj sëmundje nga ana e prindërve. Në një intervistë për “Shqiptarja.com”, mjekja Psikiatre Florida Dobi, Përgjegjëse e Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor Nr.1 shpjegon për njohjen e kësaj sëmundjeje ne vend dhe mënyrat me të cilat mund të trajtohet.
 
Doktoreshë, çfarë është autizmi dhe sa njihet në vendin tonë?
Çrregullimi autik bën pjesë në Çrregullimet Pervazive të Zhvillimit dhe karakterizohet nga dëmtime të rënda dhe të përhapura në disa fusha të zhvillimit: aftësitë e ndërveprimit reciprok, social, aftësitë e komunikimit, prezenca e sjelljeve stereotype. Ky çrregullim evidentohet përpara moshës 3 vjeç dhe shpesh shoqërohet me prapambetje mendore. Fëmijët me këtë çrregullim mund të kenë dëmtime të dukshme në përdorimin e sjelljeve joverbale (shikimi sy më sy, shprehja e fytyrës, pozicioni i trupit dhe gjestet) që përdoren për të rregulluar ndërveprimin social dhe komunikimin. Fëmijët mund të kenë pak ose aspak interes në vendosjen e miqësisë dhe të ndarjes së gëzimit. Shenjë tjetër klinike është mungesa e reciprocitetit social me mosmarrje pjesë aktive në lojra, preferimi i aktiviteteve të vetmuara. Gjithashtu komunikimi dëmtohet rëndë në të dyja aspektet si verbal dhe joverbal me vonesë ose mungesë totale të zhvillimit të gjuhës së folur.
 
Vetëm fëmijët që kanë mungesë të zhvillimit të gjuhës së folur kanë rriskun të jenë autikë?
JO. Edhe individët të cilët flasin mund të kenë vështirësi për të filluar ose vazhduar një bisedë me të tjerët; përdorim përsëritës të gjuhës apo një gjuhë idiosinkratike. Kur i foluri zhvillohet, ritmi i zërit, intonacioni, shkalla, ritmi apo theksi mund të jenë anormale. Individët me çrregullim autik kanë modele të kufizuara, përsëritëse dhe stereotipe të sjelljes, interesave dhe aktiviteteve. Ata mund të insistojnë në ngjashmërinë dhe të tregojnë rezistencë ndaj ndryshimeve të parëndësishme (p.sh një fëmijë i vogël mund të shfaqë reagim katastrofik ndaj një ndryshimi të vogël në mjedis, si p.sh një perde e re apo një ndryshim në tavolinën e ngrënies).
 
Çfarë formash të tjera reagimi kanë fëmijët autikë?
Këta individë shfaqin gjitha­shtu një preokupim ngulmues me pjesë të caktuara të objekteve, si p.sh me kopsat, rrotat e makinave apo me disa pjesë të trupit. Ata mund të kenë gjithashtu një magjepsje me lëvizjet si: rrotullimi i rrotave të lodrave, hapja dhe mbyllja e dyerve, e një ventilatori elektrik ose rrotullime me shpejtësi të objekteve të tjera. Personi mund të jetë shumë i lidhur me disa objekte jo të gjalla (p.sh një copë pe ose një rrip llastiku).
 
Si ta kuptojnë prindërit se fëmija i tyre vuan nga autizmi?
Motivi i parë i konsultimit të fëmijës së tyre mund të jetë çrregullimi gjuhësor ose vonesat psikomotore. Pavarësisht se çrregullimi autik shfaqet para moshës 3 vjec, ka disa shenja të parakohshme të cila mund të jenë prezent që vitin e parë të jetës. Disa prej këtyre shenjave mund të jenë: nuk krijon kontakt me sy, nuk ndjek lëvizjet, indiferent ndaj kujdesjeve, injoron lojrat, nuk reagon ndaj zërit, buzëqesh pak apo aspak (bebe serioze, i qullët, ngurtë, i mpirë), mungesë imitimi, urtësi e veçantë ose bebe shumë e irrituar.
 
Cilat janë shkaqet e k­ësaj sëmundje dhe a mund të kurohet?
Autizmi ka shkaqe të ndryshme të fituara e jo të fituara, pra një etiologji të shumëfishtë. Studimet mbi binjakët dhe familjet paraqesin evidenca pozitive që mbështesin si faktor kyç etiologjik, gjenetikën. Përsa i përket trajtimit të rasteve, dua të theksoj se kalohen një sërë vizitash deri në egzaminimin e plotë të fëmijës. Që në momentin e parë kur fëmija referohet pranë shërbimit tonë, si nga mjeku pediatër ashtu edhe nga specialistët e institucioneve të edukimit parashkollor, ai/ajo vlerësohet nga ekipi multidisiplinar i shërbimit. Është mjeku psikiatër për fëmijë, ai i cili vlerëson, diagnostikon dhe rekomandon për trajtimet e nevojshme në rastet e një fëmije me autizëm. Pas vënies së diagnozës, janë prindërit ata të cilët duhet të bien dakort me rekomandimet e mjekut për ndjekjen dhe trajtimin e fëmijës.  
 
A është i shëru­eshëm autizmi?
Mendoj se është e udhës të theksohet se autizmi është një çrregullim që fillon që në fëmijërinë e hershme, prek të gjitha fushat e zhvillimit të fëmijës dhe zgjat gjatë gjithë jetës. Me depistimin e hershëm dhe fillimin sa më shpejt të ndërhyrjes përmes procesit terapeutik, vihet re lehtësim dhe zbutje e shenjave klinike për të cilat diskutuam më lart. Ndërhyrja e hershme është ajo e cila luan një rol thelbësor në rehabilitimin dhe përvetësimin e sa më shumë aftësive sociale që shpien drejt pavarësimit dhe funksionimit më të mirë të individit që vuan nga autizmi në shoqëri.
 
Si shfaqet numri i rasteve të fëmijëve autikë?
Në ven­din tonë nuk ka të dhëna të sakta për numrin e personave që vuajnë nga çrregullimi. Duke u bazuar në të dhënat botërore përhapja e tij është 1 në 68 fëmijë. Ndërsa, sa i përket raportit gjinor, më shumë fëmijë autik janë të seksit mashkull. Pranë shërbimit tonë, evidentohet një rritje e lehtë e numrit të rasteve që paraqiten për herë të parë, por kjo vjen si rezultat i sensibilizimit të prindërve, referimeve nga mjekët pediatër si dhe përmirësimi i diagnostikimit.

Shkrimi u publikua sot (2.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Marrëveshja Hamas-Izrael, ekip i përbashkët Katar-Egjipt-SHBA për monitorimin e armëpushimit

Marrëveshja Hamas-Izrael, ekip i përbashkët Katar-Egjipt-SHBA për monitorimin e armëpushimit