Në fjalën e mbajtur në këtë takim, Zëvendësministrja e Shëndetësisë, znj. Milva Ekonomi është shprehur se sipas studimeve të fundit, dëmtimet që vijnë si pasojë e sëmundjeve të shkaktuara nga ushqimi, nxjerrin në pah kërcënimin global që paraqesin ushqimet e pasigurta.
Më poshtë fjala e plotë e Zëvendësministres së Shëndetësisë, znj. Milva Ekonomi
Të nderuar pjesëmarrës,
Ashtu si çdo vit, Organizata Botërore e Shëndetësisë zgjedh një çështje prioritare me ndikim global në shëndetin publik, si temë të Ditës Botërore të Shëndetit, e cila shënon ditën e themelimit të Organizatës më 7 prill 1948.
Dita Botërore e Shëndetit 2015, e cila i kushtohet ‘Sigurisë Ushqimore’, ofron një mundësi të shkëlqyer që qeveritë e vendeve të ndryshme të Botës, prodhuesit, shitësit dhe opinioni publik mbarëbotëror të ndërgjegjësohen për rëndësinë e sigurisë ushqimore dhe rolin që gjithësecili prej këtyre aktorëve duhet të luajë për të siguruar që ushqimi ynë të jetë i sigurtë që nga toka deri në pjatë.
Me këtë rast, më lejoni të falënderoj organizatorët që ndihmuan për realizimin e këtij takimi mjaft të rëndësishëm, i cili, jo vetëm që krijon një mundësi për njohjen e rolit të rëndësishëm që kanë të gjitha hallkat e prodhimit ushqimor në sigurinë ushqimore, por trajton gjithashtu, edhe çështje të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërmjet aktorëve të sektorëve të ndryshëm për të parandaluar, diagnostikuar dhe për t’iu përgjigjur sëmundjeve me origjinë ushqimore.
Të dhënat e studimeve të fundit që flasin për dëmtimet që vijnë si pasojë e sëmundjeve të shkaktuara nga ushqimi, nxjerrin rishtazi në pah mprehtësinë e kërcënimit global që paraqesin ushqimet e pasigurta, dhe nevojën për të bashkërenduar nismat e veprimet ndërkufitare nëpër të gjithë zinxhirin e furnizimit të ushqimit.
Ashtu siç thekson edhe Drejtorja e Përgjithshme e OBSH-së, Dr. Margaret Chan, jetojmë në epokën e industrializimit të prodhimit ushqimor dhe globalizimit të tregtisë së tij, dhe këto ndryshime mbartin me vete mundësi të reja e të panumërta për kontaminimin e ushqimit me bakterie të dëmshme, viruse, parazitë apo kimikate të dëmshme.
Në këtë stad të ri të zhvillimit botëror, një problem i lokalizuar i sigurisë ushqimore mund të shndërrohet menjëherë një rast emergjence ndërkombëtare. Ndërkohë që, hetimi i shpërthimit epidemik të një sëmundjeje të shkaktuar nga ushqimi bëhet përherë e më i ndërlikuar, kur qoftë edhe një pjatë e vetme, apo një ushqim i paketuar, përmban përbërës ushqimor nga disa vende të ndryshme.
Ushqimi i pasigurtë mund të përmbajë baktere, viruse, parazitë ose substanca kimike të dëmshme, të cilat mund të shkaktojnë më tepër se 200 lloje sëmundjesh të ndryshme - duke filluar që nga diarreja e deri te zhvillimi i kancerit. Shembuj të ushqimit të pasigurtë përfshijnë ushqimet e paziera me origjinë shtazore, frutat dhe perimet e kontaminuara me feçe apo butakët që përmbajnë biotoksina detare.
Prandaj, në këtë drejtim, dëshiroj të përshëndes OBSH-në për nismën që ka ndërmarrë tashmë për studimin në vazhdim dhe analizën e gjerë të barrës globale të sëmundjeve të shkaktuara nga ushqimi. Rezultatet e plota të këtij hulumtimi, të realizuar nga Grupi i Referencës Epidemiologjike të OBSH-së për Barrën e Sëmundjeve të Shkaktuara nga Ushqimi (FERG - ËHO’s Foodborne Disease Burden Epidemiology Reference Group), të cilat priten të publikohen në tetor 2015, do të shërbejnë si një referencë e rëndësishme për infeksionet intenstinale që shkaktohen nga viruset, bakteriet dhe protozoarët që futen në trup nëpërmjet gëlltitjes së ushqimit të kontaminuar.
Më lejoni të ndalem pak edhe tek rreziqet e mëdha ekonomike që paraqesin ushqimet e pasigurta, veçanërisht në një botë të globalizuar.
Kështu, të gjithë e kujtojmë rastin e shpërthimit epidemik të “E. coli” në 2011 në Gjermani, i cili mendohet se shkaktoi një humbje financiare prej 1.3 miliardë dollarësh për fermerët dhe industrinë ushqimore, e cila u pasua më tej nga një faturë tjetër financiare prej 236 milionë dollarësh si pagesë e ndihmës së emergjencës nga 22 vendet anëtare të Bashkimit Evropian për këtë rast.
Prandaj, ne besojmë, se përpjekjet për për të parandaluar emergjenca të tilla mund të forcohen, megjithatë, përmes zhvillimit të sistemeve të fuqishme të sigurisë së ushqimit që nxisin veprimet kolektive të qeverive dhe publikut për t’u mbrojtur përkundrejt ndotjes kimike apo mikrobike të ushqimit, duke përfshirë përdorimin e platformave të përbashkëta ndërkombëtare, për të siguruar komunikim efektiv dhe të shpejtë gjatë emergjencave të sigurisë ushqimore.
Mbështetja e funksionimit të mekanizmave koordinues ndërsektoriale për problemet madhore të shëndetit publik, ku përfshihen midis të tjerash edhe siguria ushqimore dhe kequshqyerja, është edhe një nga angazhimet tona kryesore të Programit Qeverisës.
Prandaj, ne besojme fuqimisht se ‘Siguria Ushqimore’ është një çështje ndërsektoriale dhe përgjegjësi e përbashkët që kërkon pjesëmarrjen e sektorëve të shëndetësisë jo-publike (bujqësisë, tregëtisë dhe biznesit, mjedisit, turizmit, etj.) dhe mbështetjen e agjencive kryesore ndërkombëtare dhe rajonale dhe organizatave aktive në fushën e ushqimit, ndihmës emergjente dhe arsimi.
Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)