Ukraina dhe Rusia zhvilluan raundin e dytë të bisedumeve në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe. Delegacionet ukrainase dhe rus nuk arritën një marrëveshje për armëpushim, por gjetën dakordësi vetëm për shkëmbimin e 314 të burgosurve.

"Sot, delegacionet nga Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe Rusia ranë dakord të shkëmbejnë 314 të burgosur, shkëmbimi i parë i tillë në pesë muaj. Ky rezultat u arrit nga bisedimet e paqes që kanë qenë të detajuara dhe produktive. Ndërsa mbetet punë e rëndësishme, hapa të tillë tregojnë se angazhimi i qëndrueshëm diplomatik po jep rezultate të prekshme dhe po përparon përpjekjet për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. Diskutimet do të vazhdojnë, me përparim shtesë të parashikuar në javët në vijim. Falënderojmë Emiratet e Bashkuara Arabe për organizimin e këtyre diskutimeve dhe Presidentin Donald J. Trump për udhëheqjen e tij në bërjen e mundur të kësaj marrëveshjeje.", tha i dërguari i SHBA, Steve Witkoff.

Edhe pse u zhvilluan bisedime, Rusia nuk i ndali sulmet e saj. Gjatë natës, forcat ruse kanë goditur infrastrukturën hekurudhore të Ukrainës.

Moska ka deklaruar se sheh “përparime” në bisedimet që po zhvillohen në Abu Dhabi.

“Ka padyshim përparime, dhe gjërat po ecin në një drejtim pozitiv”, deklaroi negociatori rus Kirill Dmitriev për mediat shtetërore, duke dënuar njëkohësisht, në fillim të ditës së dytë të bisedimeve në Emiratet e Bashkuara Arabe mes negociatorëve rusë, ukrainas dhe amerikanë, ato që ai i përshkroi si përpjekje nga ana e “nxitësve të luftës nga Evropa për ta penguar këtë proces”, por pa specifikuar më shumë.

Përkundër këtyre pretendimeve, po në mediat ruse u raportua këtë të enjte se një nga aktorët kryesorë të politikës evropiane, presidenti i Francës po tenton të lëvizë për të ndërtuar ura komunikimi me Rusinë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron synon të telefonojë liderin rus Vladimir Putin, por përgatitja e një bisede të tillë do të kërkojë disa ditë. Kështu ka bërë të ditur një burim francez për agjencinë Tass.

“Të përgatitesh për një dialog konstruktiv nuk kërkon vetëm një ditë, por patjetër disa”, ka thënë burimi, duke shtuar se “lideri francez është i përqendruar te rezultatet”.

Negociatat e drejtpërdrejta që përfshijnë Moskën dhe Kievin, së bashku me përfaqësues amerikanë, rifilluan në Abu Dhabi më 23–24 janar. Takimet mes negociatorëve ukrainas dhe rusë kanë qenë të rralla që nga pushtimi në shkallë të plotë i Kremlinit në shkurt të vitit 2022.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:55
Përfundon dita e dytë e bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dhabi, nuk arrihet marrëveshje për armëpushim

1770217972_luftaneukrainenegociataperpaqenneukraine.JPG

Ukraina dhe Rusia kanë përfunduar ditën e dytë të bisedimeve për paqe të ndërmjetësuara nga SHBA-të në Abu Dhabi.

Diskutimet kanë rezultuar në marrëveshjen e parë të shkëmbimit të të burgosurve midis dy palëve.

Pavarësisht presionit nga administrata Trump mbi Kievin dhe Moskën për të gjetur një kompromis, të dyja palët deri më tani nuk kanë arritur të bien dakord për një armëpushim.

Moska dëshiron që Kievi të tërheqë trupat e tij nga i gjithë rajoni i Donetskut, përfshirë një linjë qytetesh të fortifikuara rëndë që konsiderohen si një nga mbrojtjet më të forta të Ukrainës.

Ukraina ka këmbëngulur që konflikti duhet të ngrijë përgjatë vijave aktuale të frontit dhe refuzon çdo tërheqje të njëanshme të forcave të saj.

Ora 12:26
Bisedimet Ukrainë-Rusi, Witkoff: Është dakordësuar për shkëmbimin e 314 të burgosurve

1769889893_witkoff.JPG

I dërguari special i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Steve Witkoff tha se delegacionet nga Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord të shkëmbejnë 314 të burgosur.

Witkoff thotë se dakordësia vjen pas bisedimeve produktive mes delegacioneve.

"Sot, delegacionet nga Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe Rusia ranë dakord të shkëmbejnë 314 të burgosur, shkëmbimi i parë i tillë në pesë muaj. Ky rezultat u arrit nga bisedimet e paqes që kanë qenë të detajuara dhe produktive. Ndërsa mbetet punë e rëndësishme, hapa të tillë tregojnë se angazhimi i qëndrueshëm diplomatik po jep rezultate të prekshme dhe po përparon përpjekjet për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. Diskutimet do të vazhdojnë, me përparim shtesë të parashikuar në javët në vijim. Falënderojmë Emiratet e Bashkuara Arabe për organizimin e këtyre diskutimeve dhe Presidentin Donald J. Trump për udhëheqjen e tij në bërjen e mundur të kësaj marrëveshjeje.", shkruan Witkoff.

Ora 10:58
Zelensky: 55 mijë ushtarë ukrainas janë vrarë në luftën me Rusinë

1770285701_zelensky.jpg

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka thënë televizionit France 2 se rreth 55,000 ushtarë ukrainas janë vrarë në fushën e betejës në luftën me Rusinë.

“Në Ukrainë, zyrtarisht numri i ushtarëve të vrarë në fushën e betejës, qoftë profesionistë apo të rekrutuar, është 55,000”, tha ai.

Zelensky shtoi se përveç viktimave, një numër i madh njerëzish konsiderohen zyrtarisht të zhdukur.