TIRANE, 4 Tetor/ATSH/.- Mijëra besimtarë myslimanë kremtojnë sot ditën e sakrifikimit Eid al-Adha ose festën e Kurban Bajrami. Festimet që i takojnë kësaj dite shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit të zotit dhe në emër të dashurisë për njeriun. Ajo përbën festën e madhe të mëshirës, të faljes, mirëkuptimit, mirësisë, vëllazërimit dhe paqes. Kremtimi i kësaj dite siç është bërë traditë fillon në orët e para të mëngjesit, kur mijëra besimtarë myslimanë falin namazin.
Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të madh konsiston në dy momente; e para është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar therret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit.
Familja që e therr mund të mbajë aq mish sa i duhet dhe pjesën tjetër duhet ta ndajë me familjet e varfra.
Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet. Në çdo familje myslimane gatuhen ëmbelsira, të cilat duhet t'u serviren dhe miqve. Ndërkohë, të gjithë besimtarët, si dhe shtëpitë e tyre duhet të stolisen sa më mirë të jetë e mundur.
Besimtarët flijojnë në orët e para të mëngjesit qindra qengja dhe desh për të evokuar ngjarjen e shenjtë, ku zë fill kjo festë, ndër më të rëndësishmet për fenë myslimane.
Vite më parë, kur besimi fetar ishte i ndaluar në Shqipëri, ritet fetare, kremtoheshin fshehurazi. Ndonëse pa bujë shume familje tradicionale, shqiptarët i kushtonin një fond të veçantë kremtimit të kësaj feste.
Kurban Bajrami, tashmë një ditë feste zyrtare, kremtohet prej vitesh nga të gjithë shqiptarët, pa harruar këtu devotshmërinë e besimtarëve myslimanë në këtë ditë, e cila shënon flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit te Zotit, në emër të dashurisë për njeriun./k.s//a.ke/